Julian Deda: Artistët duhet ta konsiderojnë veten, jo t’i prishin punë njëri-tjetrit

Julian Deda: Artistët duhet ta konsiderojnë veten, jo t’i prishin punë njëri-tjetrit
U bë i njohur nga karakteret e roleve në spektaklin televiziv “Portokalli”, e më pas, çdo javë tek “Apartamenti 2XL”. Julian Deda ishte një “fëmijë arti”, biri i Zef Dedës që ka bërë të qeshnim me lot dikur. Sot, pas 13 vjetësh, në skenën e humorit dhe mbi 700 premiera, Juli, - siç e thërrasin miqtë, - është një nga figurat më të dashura për publikun. Intervista me të ishte mes shakave dhe seriozitetit, por kur binte fjala tek statusi i aktorit dhe situata e artistëve, Julian Deda shprehu shqetësim serioz. Një baba dhe bashkëshort që punon me humorin, në një vend të vështirë. Kjo intervistë e gjerë do t’ju rrëfejë më shumë rreth tij.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ti je një “fëmijë arti”, bir i një aktori të madh të humorit. Si ia ke dalë të jesh po aq i njohur sa ai, kur dihet që nuk është e lehtë?

Ky është një përfundim që arrihet nga jashtë, por po ju them si kam vepruar unë. Nuk kam vepruar kurrë motamo si im atë. E vetmja ngjashmëri me të është çka kam marrë gjenetikisht, - ndonjë lëvizje, grimasë, shprehi në fytyrë, nuancë karakteriale, energji, por kjo është e tëra e lindur dhe e paqëllimtë.

Që në fëmijëri, pra, të ka lindur pasioni për të qenë aktor?

Jo, përkundrazi. Kur isha në shkollë, deri në vitin e dytë të shkollës së mesme, as që doja të bëhesha aktor. E urreja edhe mendimin të isha aktor.

 

Çfarë doje të bëheshe?

Ku ta di unë! Ndoshta jurist, si të gjithë çunat dhe gocat atëherë, që donin të gjithë të bëheshin juristë, të kishim shumë para. Në fakt nuk e paskan pas aq gabim, se këta juristët kanë ca para më shumë ha ha ha. Kam luajtur edhe futboll nja dy vite, po kurrë me idenë për tu bërë futbollist, sepse pashë që nuk kisha ndonjë dhunti.

Por çfarë ndodhi që ndërrove mendim?

Shkëndija që duhet të bëhesha aktor, më erdhi nga pjesëmarrja në një komedi, mbaj mend që quhej “Për një L” dhe vihej në skenë në teatrin Migjeni. Ishim një grup të rinjsh dhe regjisori, Bardh Smaja, më pa dhe më tha: “Ti duhet të bëhesh aktor!”

Iu përgjigja në atë mënyrë që e thosha shpesh: “Nuk do të bëhemi gjithë shtëpia aktorë!” Pas kësaj më erdhi si një thirrje nga lart, nga një pjesë në tjetrën, sikur më hyri në gjak. Deri sa erdhën studimet e larta. Por përsëri me mëdyshje, kërkova të drejtën e studimit në dy degë, aktrim dhe gjermanisht, që ta kisha një rezervë. Por konkursi zhvillohej në të njëjtën ditë e kështu që thashë po provoj shansin tim, po luaj bixhoz, e po zgjedh aktrimin.

Ishe përgatitur siç duhet?

Isha përgatitur gjatë, gati tetë muaj, me aktoren Merita Smaja. Kam fituar konkursin me rezultatin më të lartë. Në komision kujtoj profesorin tim për katër vite, Niko Kanxheri, Ermira Gjatën, Petrit Malaj dhe Skënder Plasari. Profesor Kastriot Çaushi herë hynte e herë dilte. Nga ai konkurs filloi rrugëtimi im në Akademinë e Arteve të cilës iu përkushtova. Në katër vite jam me zero M, pra pa asnjë mungesë. Kisha një dëshirë të thithja më të mirën nga shkolla, t’i merrja asaj 100%. Ndoshta, shkolla nuk të bën plotësisht aktor, por unë nuk doja t’i lija asgjë mangët.

Kam qenë i prirur në shkollë ndaj roleve dramatike. Kjo duket sot e habitshme. Të tjerët e nuhasnin ndoshta që unë kisha prirje për rolet humoristike, por unë vetë, doja vetëm rolet dramatike. Në vitin e katër u veçova si një aktor që isha më afër komedisë.

Si vijoi aktiviteti yt në skenë?

Menjëherë pas shkollës erdhi angazhimi im tek “Portokalli”. Një aktivizim i dobishëm, jo vetëm për sprovimin tim si aktor, por edhe në aspektin financiar, sepse ishim të rinj dhe kjo gjë kishte rëndësi. Në ato vite, televizioni ku shfaqej ky program kishte një cilësi të madhe dhe ishte kënaqësi të punoje. Punova 4 vjet, një fat i madh për mua!

Ky ishte thelbi im edhe në vazhdim. Kam menduar gjithmonë që suksesi të arrijë falë punës. Duke u rikthyer tek pyetja mbi Zef Dedën, tim atë, nuk jam nisur të bëj sukses. U nisa të punoj e nëse suksesi erdhi, akoma më mirë. Nuk kam pasur qëllimin të jem kopje e babait, nuk bën sens. “Nuk do bëhemi gjithë shtëpia aktorë të njëjtë!”- është shprehja ime tani. Duke pasur në vetvete këtë, mbase ky ka qenë sekreti i një individualiteti. Edhe për të njëjtin material, ne kemi këndvështrime të ndryshme, mënyra të ndryshme koncepti, pavarësisht se në plastikë kemi ngjashmëri. Ajo ku ngjajmë është mendimi: “Ti thjesht puno fort, se ajo që ke si vlerë do të dalë në skenë, herët a vonë.”

Pas “Portokallisë” ti i ruajte ritmet e suksesit edhe në “Apartamenti 2XL”. Ke disa role karakterialë aty...

“Portokalli” ishte si shkollë për ne. Ishte dhe një mësim mbi tregun, si të përballonim jetën me punën tonë, sepse ata që thonë se këtë punë nuk e bëjnë për para, nuk e mendojnë vërtetë. Punon për pasion, por edhe për të jetuar me punën tënde. Në “Portokalli” mësuam edhe truket e punës, ato kleçkat që ka çdo zanat dhe kjo për 9 sezone rresht. Kur kalova tek “Apartamenti 2XL”, patëm parasysh vetëm një parim që kërkesat e punës dhe mbi punën, të ishin po ato, pavarësisht se formatet ishin të ndryshëm. Teknikisht të ishim në një nivel, të ishim gati për një shfaqje të mirë e të them të drejtën na u plotësuan të gjitha kushtet që kërkuam nga televizioni ku shkuam.

Ajo që e bënte më të vështirë, por edhe më të lehtë “Apartamentin 2XL”, ishte pikërisht formati i cili u lëvrua në 34 vende të botës e në të gjitha këto vende, ose është ende në kulmin e suksesit, ose është mbyllur fare. Pra, nuk ka një rrugë të mesme, nuk e zvarrit dot si program. Nuk mund të shkosh për inerci. Është shumë i bazuar në improvizim, publiku është pjesë e lojës, ne u përmendim emrat publikut, i ftuari është pjesë e shtëpisë, mund të qeshë e të reagojë si të dojë. Pra, ne nuk kemi maska, paruke, mustaqe, nuk kemi barriera jemi ne dhe vetëm ne, Juli dhe vetëm Juli, Albano dhe vetëm Albano. Ose do të bësh një material të mirë ose një material të dobët. E të dobëta kemi bërë goxha, por brenda të njëjtit program ti ke kohë të rikuperosh e të rimarrësh ritmin. Ndërkohë tek “Portokalli”, ky është dallimi, nuk ke mundësi për rikuperim, duhet të kalojë java.

Sa dorë ke ti në përzgjedhjen e elementeve të rinj të spektaklit?

Kam shumë, sepse jam edhe Drejtori Artistik. Por Turi është ai që thotë fjalën e fundit, duke qenë edhe producenti. Por ne i bëjmë të gjitha në grup, marrim mendimin e njëri-tjetrit. Por duke qenë format specifik, nuk është e lehtë të gjesh aktorë të përshtatshëm, duhet të jenë më tepër të lindur sesa të bërë.

 

Numëron 700 premiera shfaqjesh të reja, 4 role në filma artistikë. Do punoje një ditë në Teatrin Kombëtar?

Ha ha ha ha... Jo, asnjëherë. Me projekte po, por i brendshëm jo. Madje nuk aspiroj as rolin e Drejtorit të Tetarit Kombëtar, sepse mendoj se duhet të jetë një menaxher e jo një artist drejtuesi i këtij institucioni. Duhet të jetë, në mendimin tim, një menaxher i mirë i buxhetit dhe i burimeve njerëzore, sepse ai produkt në fund të ditës, duhet të shitet. Aktorët kanë nevojë për lavdi dhe para, të trajtohen me dinjitet si artistë, por që lavdinë t’ua japë publiku, duhet të punojnë në kushte dinjitoze, në bazë të bordeve me njerëz të duhur e jo në konflikt interesi, që të marrë role njëri apo tjetri, sepse e ka shok drejtuesi. Ka rëndësi edhe posti i Drejtorit Artistik që duhet të kujdeset për nivelin artistik.

Në kaq shumë punë në vetëm 13 vjet. Si u ndjeve pas marrjes së çmimit “Mjeshtër i madh” nga Presidenti i Republikës?

U ndjeva i vlerësuar dhe i respektuar shumë. Do të kishte zëra kundër dhe pati. Do të kishte në çdo rast mendoj. Është normale që jo të gjithë janë dakord me punën që bëj unë.

 

Mos vallë jemi mësuar që çmimet apo vlerat këtu jepen pas vdekjes më shumë?

Shumë e vërtetë, ndaj nuk na pëlqejnë çmimet në kulmin e karrierës. Kur i japin pas vdekjes, thonë pse pas vdekjes. Kur i japin më parë, thonë pse më parë. Por rëndësi ka që unë vazhdoj punën time. E shoh këtë titull si shtysë që të vazhdoj punën edhe më fort, që ai titull të mos mbetet aty, pra, unë ta justifikoj edhe më shumë. Nuk dua të merret si përfundim karriere, përkundrazi, është një forcë për mua të bëj hapa më tej.

Ke ndonjë projekt të freskët?

Tani jemi në pushim me “Apartamentin 2XL”, për ne vera është e vakët. Kam një projekt për një pjesë të huaj teatrore, por uroj të kombinoj ditët, sepse “Apartamenti 2XL” regjistrohet të shtunave dhe teatri ka shfaqje të shtunave. Uroj që po!

Si u ndjenë prindërit pas titullit?

Mamaja, njëherë, është në qiellin e shtatë! Im atë shumë krenar se ai vetë është një “Mjeshtër i madh”, por vazhdon të jetë kritik. Unë pas çdo shfaqjeje, kam një telefonatë. Ai i ka pak inat ato që quhen banalitete, e kam fjalën tek fjalori që quhen të pista.

Tregoni kujdes në këtë aspekt?

Duhet bërë një dallim mes banalitetit dhe fjalëve të pista. Banalitet është edhe kjo kafe, rutinore pra. Fjalori i pisët është tjetër gjë. Ne jemi përpjekur, aq sa mundemi, të jemi të kujdesshëm, sepse target grupi ynë, është i gjerë, e shohin edhe fëmijët. Duke pasur parasysh këtë, jemi munduar të ruajmë disa limite, pavarësisht se na rrëshqet ndonjë gabim! Ha ha ha ha.

Jashtë aktrimit, çfarë të pëlqen?

Të luajë kalçeto. Luaj shpesh me miqtë e mi. Pjesa më e rëndësishme është koha me familjen dhe kur dal me gruan, nuk dal pa fëmijët me vete.

Këtë verë nga do pushosh?

Si çdo vit, ndoshta një turne nëpër Shqipëri. E nuk kushton shumë siç mendohet, më pëlqen të eci gjatë me makinë, të bisedoj, të dëgjoj muzikë, të ndal dy ditë këtu e dy ditë aty. Fatmirësisht, kjo i pëlqen edhe bashkëshortes.

Të shikoj të angazhuar në jetën social-politike. Duhet të bëjnë më shumë institucionet për artistët?

Duhet të fillojnë të bëjnë, se nuk kanë bërë asgjë ende. Uroj të fillojnë ta marrin seriozisht artin. Sa ditë fushatë kanë kaluar dhe nuk kam dëgjuar asnjë fjalë për artin, nga asnjë krah. Kjo është e dhimbshme! Ne, për fat të keq, nuk kemi një sindikatë që na përfaqëson, asnjë union, asnjë grupim. Ka nja dy tendenca për ta ndërtuar një të tillë. Por pa filluar mirë, kanë filluar zënkat, sepse nuk po ndërtojnë një sistem piramidë të së tërës. Ka një lëmsh. Duhet trajtuar më me seriozitet. Atyre që mund ta lexojnë këtë intervistë, do t’u sugjeroja ta ndërtojnë këtë strukturë në formë piramide e jo në rrëmujë, me një statut. Ne të parët si artistë, duhet të konsiderojmë veten, jo t’i prishim punë njëri-tjetrit. Janë të përfshirë politikisht, thuajse, të gjithë, pavarësisht se nuk e pranojnë. Nuk ka këtu asgjë të keqe! Unë vet jam pjesë e një partie. Por kur vjen puna tek të drejtat tona, ikën partia, bie, shkojmë tek pika zero. Duhet të quajmë parësore të drejtat e artistit e jo partitë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: