Kafazi i qershorit!

Kafazi i qershorit!
 

Nga Juela Meçani

Të gjithë fëmijët presin me padurim ditën e fundit të shkollës, madje, disa ditë përpara përfundimit, janë në alegri, sepse për ta po afrohen pushimet e shumëpritura. Kjo më bën të kujtoj, shpesh me nostalgji, kohën kur fillonin pushimet tona shkollore tremujore. Alternativat ishin shumë më pak, por nuk e di pse na shijonin aq shumë.

Ndanim kohën, si fillim, kur do të shkonim të rrinim nga gjyshja ose gjyshet, dy javë tek e babait e dy javë tek e nënës. Aty takonim shoqërinë e asaj lagjeje e na dukej sikur do të shkonim në një qytet tjetër, në një vend tjetër, edhe lojërat që ishin të njëjta na dukeshin më të këndshme.

Më pas, vinte koha kur i dedikoheshim, me mish e me shpirt, oborreve të lagjes, atyre të shtëpive private, oborret e pallateve, takimet me lagjet ngjitur, zona e “fshehtë” për ne vajzat, tek shkalla e pallatit ku ndërtonim “strofkën” tonë me kukulla e thashetheme fëmijërore. Sa lumturi kur nga ballkonet kolaudonim orarin kur kishim mbaruar punët e shtëpisë të lëna porosi nga mamatë, e takoheshim. E, në fund, po të ishe me fat, vinte 15-ditshi i plazhit, kabinë ose dhomë në kampin e punëtorëve, por edhe hotel-turizëm. Një javë përpara, shtëpia gëlonte nga rrobat që do të merrje me vete, tenxhere e çarçafë, përfshirë. Por pavarësisht se mjaft e lodhshme, kishte bukurinë e vet.

Nuk ka lidhje nostalgjia mbi sistemin e shkuar, aspak, por është si ajo buka me djathë e domate, që kurrë nuk ka për të na u mërzitur. Qershori ynë ishte një hare e përditshme. Sot hareja fashitet pas pak ditësh. Fëmijët varin faqkat, sapo kuptojnë se nuk kanë shumë zgjedhje të thjeshta, por apostafat për ta. I pret qershori në kafaze betoni, me atë pak oborr ku i lejojmë me shumë pasiguri, sepse makinat e motorrët lëvizin pa hesap. I pret komunikimi me celular, filma në kompjuter, konkursi “kush bën pozat më të bukura” por asgjë krijuese, për mendjen dhe fizikun.

Kjo është habia e mirëqenies. Të shton lukset, por të ul mundësitë reale, sepse kur shikoj furgonët mbushur plot me fëmijë që varen nga dritaret, teksa i çojnë në “kampet verore” që kushtojnë sa një hotel me 5 yje, nuk arrij të zgjedh dot që ta quaj argëtim. Edhe nëse e ke atë mundësi që shkon fiks sa një rrogë mujore e mirë, përsëri të duhet të matesh shumë herë. Kur kopshtet private që janë aq delikate, lënë për të dëshiruar, si mundet të jenë plotësisht të sigurt kampet verore?

Mos flasim për marrëdhënien me librat që, po, do të kishte qenë një mënyrë shumë e shëndetshme e kalimit të ditëve të verës. Celulari e kompjuteri u bëjnë hije të rëndë e nuk di sa nerva ke të bësh “luftën e tretë botërore” që në vend të një filmi, të lexohet një libër!

Qershori në kafaz! Ja çfarë i pret fëmijët në kryeqytet. Nuk kanë asnjë arsye të ndihen ziliqarë fëmijët e qyteteve të vogla, që kanë ende luksin, të luajnë buzë lumit a liqenit, të thithin ajër të pastër malesh, të mbledhin lule e të bëjnë kurora. Ata janë me fat, shumë madje! Ndihet ende aroma e familjeve të mëdha, gjyshet janë gjyshe e bëjnë petulla, gjyshërit tregojnë përralla e tundin tespihet, e nuk janë gjyshër me Facebook.

Dhe ja ku vjen qershori kryeqytetas, “në kafaz”, ku të gjithë prindërit presin me padurim të fillojë shkolla. E ku ëndërrojmë të kishim fëmijë mes parqesh e pyjesh, ku të zhvillonin lirinë e tyre dhe të zbulonin pavarësinë!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: