"KODI I HESHTJES" SË SALI BERISHËS! - Nga ALFRED PEZA

"KODI I HESHTJES" SË SALI BERISHËS! - Nga ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

A e keni vënë re se në gjithë këtë rrëmujë, tymnajë, zhurmnajë dhe rutinë skizofrenike, me lajme frenetike të një fushate si kjo, ku të gjithë flasin për të gjithë dhe ku pakkush dëgjon e, më pak akoma, kupton se ç'po ndodh, ka vetëm një zë që bubullon me heshtjen e tij të rrallë olimpike?! Është zëri i Sali Berishës. Zëri i ish-kryeministrit dhe liderit historik të PD-së. Zëri i atij që kur fliste dikur, të gjithë dëgjonin. E pakkush e ka menduar, ndoshta, se do të vinte kjo ditë, që të gjithë flasin dhe ai nuk e di nëse a na dëgjon! Por, të paktën, ai nuk po flet dhe sigurisht, askush nuk po e dëgjon. Duke folur në këtë mënyrë, si rrallëherë, me heshtjen e tij, e duke na bërë të kërkojmë të deshifrojmë, kodin e ngatërruar të këtij fenomeni kaq të rrallë për politikën shqiptare të post komunizmit.

Është një heshtje që, për hir të së vërtetës, nuk është se nuk është tentuar, provuar, sforcuar për t’u përdorur si mekanizëm komunikimi, edhe herë tjetër. Siç ka qenë rasti i zgjedhjeve lokale të 2011, kur Lulzim Basha ishte në garë për kreun e bashkisë së Tiranës, përballë Edi Ramës. Më shumë sesa heshtje, ishte një mënjanim, një largim i përkohshëm nga skena, një arratisje e detyrueshme. Për të mos i prishur punë asaj që po mundohej me sforcim të pashoq të shitej si një prurje e re për kryeqytetin, me anë të një alternative po aq të vjetër, sa vetë pluralizmi. Heshtja e dytë e madhe, ishte gjatë periudhës tremujore të çadrës. Një heshtje jo e plotë, jo permanente. Por me turne. Me orare të programuara, sepse çdo të enjte, duke mos patur mundësi të fliste e të fliste pafundësisht, siç përgjatë këtyre katër viteve në parlament, Sali Berisha nuk rrinte dot pa dhënë mesazhe, kumte, kërcënime dhe o bo bo-të e tij, drejt Edi Ramës dhe mazhorancës, nga "çadra e lirisë".

Por kaq, vetëm kaq, dhe ndonjë dalje sporadike, tek-tuk, në ndonjë ekran ose nëpër lajmet kur të huajt që vinin për të zgjidhur "krizën" në Tiranë, ishin të detyruar të kalonin nga zyra apo telefoni i tij. Apo në intervalet mes takimeve me ta, kur Lulit i duhej të shkonte e të falej pesë herë në ditë, kokë më kokë me të. Për gjithkënd në politikën aktive, edhe kaq dalje mediatike e publike, do të ishte shumë. Por, mos harroni, po flasim për Sali Berishën, i cili "na ka rritur" të gjithëve me praninë e tij të përditshme në krye të mediave. Në qendër të lajmeve, në faqe të parë të gazetave, revistave. Në ballë të ekraneve. Në zërin e çfarëdolloj frekuence. Në krye të online-ve, rrjeteve sociale, portaleve. celularëve. E te çdo gjëje që emeton dhe jep e merr lajme dhe informacion në dhe për këtë vend.

Por tani, ka vetëm heshtje. Si në atë këngën e njohur të Ardit Gjebresë:

"Këmbëzbathur ullinjtë vetmojnë/

Asnjë fjalë, asnjë lajm, asnjë fjalë/

Veç zogj që vijnë e shkojnë.../

Ku je, ku je, o ëndërr e mërguar/

Malli po pret dhe loti u tret..."

Ore, vërtet, ku është?! Dini gjë ju?! Heshtje gjatë negociatave Rama-Basha. Heshtje gjatë hartimit të listave të PD-së për kandidatët për deputetë. Heshtje kur të larguarit nga lista, fillimisht, veç sokëllinë. Heshtje kur drejtuesit më të lartë, u lanë, përfundimisht, jashtë mundësisë për tu rikthyer në atë sallë ku për 20 vjet i kanë dhënë tonin politikës dhe të djathtës shqiptare. Heshti kur ata dolën publikisht fort, kundër kryetarit të PD-së. Heshti dhe më pas. Heshti edhe në nisje, por po hesht edhe tani, në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit. Heshtje, heshtje, heshtje. Një heshtje që, gjithsesi, duhet thënë se jo shumëkënd po e pret malli. E aq më pak, t’u tretet loti... Por një heshtje kaq e pazakontë, nuk është se mund të kalojë në një mënyrë edhe kaq të zakontë. Pa një përpjekje për ta kuptuar, për ta deshifruar, për ta sqaruar, për të hedhur dritë, për të gjetur kodin "sekret" të kumteve që fshihen pas saj.

Pyetja që shtrohet është: A kemi të bëjmë me një heshtje aprovuese ndaj të gjitha vendimeve të njohura e të panjohura, veprimeve dhe mosveprimeve, aleancave të fshehta apo publike, të deklaruara apo të padeklaruara të Lulzim Bashës? Apo kemi të bëjmë me një heshtje të detyruar? Që do të thotë një heshtje ku Sali Berisha nuk aprovon asgjë nga këto që po bën Lulzim Basha "me kokën e vet", por është i pamundur të mbajë, tani, në këtë kohë, qëndrime publike, sepse kjo do të minonte dhe dëmtonte në mënyrë të pariparueshme PD-në dhe vetë fushatën e opozitës? Apo është një heshtje ku ai po teston, dikton dhe menaxhon nga distanca, të gjitha fijet që luhen prej tij. Në një mënyrë që sido që të shkojnë punët në mëngjesin e 26 qershorit e tutje, ai të ketë mundësi ta thyejë më në fund "Kodin e Heshtjes". Të dalë në publik dhe të thotë fjalën e tij, e cila do të jetë, pas kësaj, përcaktuese për fatin politik të Lulzim Bashës, mbështetësve dhe kundërshtarëve e armiqve të tij brenda PD-së? E, mbi të gjitha, përcaktuese për fatet e vetë PD-së dhe të së djathtës shqiptare, për katër vitet e ardhshme, e më tutje?

Gjithë kjo mbetet për t’u parë e kuptuar. Por një gjë është e sigurt që tani, se pavarësisht të gjitha iluzioneve, Lulzim Basha ende nuk ka një pavarësi absolute me 100% në vendimmarrjet e tij politike. Mjafton që për këtë të kuptosh kriteret, nga dhe si u përzgjodhën të gjithë përfaqësuesit "teknikë" të PD-së në qeverinë Rama, për të qenë "kujdestarët" dhe "garantët" e opozitës për procesin elektoral. Lajmi më i mirë që mund të prodhonte misteri i heshtjes së Sali Berishës, do të ishte mundësia që, "shqiponja mëmë", të ishte duke i dhënë mundësinë e fundit "zogut të tij" politik, të mësonte vetë për të shkuar në fluturim. Duke e vëzhguar, ndjekur dhe ndihmuar në distancë, për të kolauduar ekipin dhe "makinën" e tij fluturuese, e për t’u bërë, përfundimisht, gati pas kësaj prove gjenerale, për të hyrë në garën e politikës së madhe përgjatë mandatit tjetër. Në përgatitje të realizimit të ëndrrës së tij për të qeverisur një ditë Shqipërinë. Le të bëjmë edhe pak durim! Dy javë e gjysmë deri në të dielën e votimit, kalojnë shpejt. Lusim veç të jetë e vërtetë, edhe për këtë rast, e të mos jetë kallpe, thënia e njohur: Heshtja është flori!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: