Kopshtet dhe çerdhet të hapura edhe gjatë verës, më 12 qershor regjistrimet e reja

Kopshtet dhe çerdhet të hapura edhe gjatë verës, më 12 qershor regjistrimet e reja
Kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit do të qëndrojnë të hapura gjatë gjithë verës.

Nga data 12 qershor, pranë çerdheve të Tiranës do të nisin regjistrimet e reja të fëmijëve për në shtator. Çdo ditë, rreth 2600-2700 fëmijë frekuentojnë çerdhet publike të Tiranës.

Drejtorja e Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, Zhaneta Beqiri, bën të ditur fluksi i kërkesave është i madh, pasi për 1 vend ka deri në 15 kërkesa.

“Çerdhet dhe kopshtet do jenë hapur gjatë gjithë verës. Ritmi do të jetë i njëjtë, cilësia e shërbimit do të jetë e njëjtë. Në prani të një komisioni do fillojë procedura e aplikimeve.” Ajo shtoi se një javë do jetë e hapur procedura e aplikimeve”.

Nga kërkesat e larta të prindërve për t’i dërguar fëmijët në çerdhet publike, Beqiri sqaron se:

“Sot në çerdhet e Tiranës për një vend janë 10-15 kërkesa për frekuentim. Do t’u japim gjithmonë prioritet fëmijëve që i kanë prindërit të punësuar në shtet apo në biznesin privat, fëmijëve që janë nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike, fëmijëve që janë të prindërve me aftësi të kufizuara apo vetë fëmijëve me aftësi të kufizuara, fëmijëve që janë të nënave kryefamiljare apo të nënave të veja”.

Edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, garanton se shërbimi do të jetë maksimal dhe se për çdo kopësht dhënia e lejeve do të bëhet në përpjestim me numrin e fëmijëve që do të ketë kopshti të regjistruar.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: