Kristaq Skrami: Teatrot në rrethe po degradohen, situata dramatike

Kristaq Skrami: Teatrot në rrethe po degradohen, situata dramatike
 

Në filmin dhe teatrin shqiptar, është një nga portretet skenikë dhe vokalë më të spikatur. Ai vjen nga “shkolla vlonjate” e aktorëve, por nuk u mjaftua me aq. Udhëhoqi mes vështirësish, për shumë vite, edhe institucionet teatrore në Vlorë dhe atë Kombëtar. Na rrëfen fillimet e tij, pasionin për rolin, menaxhimin e teatrove dhe gjendjen e rëndë që, sipas tij, po kalojnë “shtëpitë e aktorëve” në rrethe. Një intervistë e gjerë e Kristaq Skramit, ekskluzivisht për Albanian Free Press.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Si u afruat me aktrimin, në cilën moshë?

Shpesh herë, në jetën e njeriut ndikojnë ngjarje të vogla të cilat mund të konsiderohen të parëndësishme për momentin, por që, në një farë mënyre, ravijëzohen pa e kuptuar në subkoshiencën e tij, duke përcaktuar edhe drejtimin apo kahun që merr e ardhmja.

Në kohën e shkollës të mesme, gjatë diktaturës, besoj se të gjithë e mbajnë mend që ka pasur një sërë aktivitetesh tek të cilat merrnin pjesë shumë nxënës me prirje të ndryshme, për sportin, artin, letërsinë matematikën etj. E për këtë, organizoheshin olimpiada të ndryshme, siç ishte p.sh., Olimpiada e Teatrit  ndërmjet shkollave të mesme.

Mbaj mend që gjimnazi “Halim Xhelo” në Vlorë, ka qenë protagonist në shumë aktivitete si në art edhe sport, që zhvilloheshin ndërmjet shkollave në qytet.

Unë jam aktivizuar qysh në atë kohë, në një koncert që organizoi gjimnazi ynë dhe luaja rolin e një oficeri gjerman në një balet i ndërthurur edhe me pjesë teatrale. Pjesa u pëlqye shumë, sidomos roli i oficerit gjerman, lëvizjet, ndoshta veshja, pasi mbi kostumin gjerman unë kisha një pelerinë të zezë e cila nga lëvizjet, hapej dhe krijonte një lloj magjie ndihmuar edhe nga ndriçimi.

Por, ndërkohë, në kinematë e qytetit shfaqeshin filma shumë të bukur për kohën, me aktorë mjaft të mirë, besoj se kjo atmosferë ndoshta ka ndikuar në një farë mënyre, në zgjedhjen time për të ardhmen.

Ndërsa si rol të parë me një trupë profesionistë ka qenë po me Teatrin e Vlorës, “Rruga Budi 723”, sipas romanit me të njëjtin titull të Ruzhdi Pulahës dhe dramatizim të dramaturgut Ferdinand Hysi .

Një shfaqje shumë moderne për kohën dhe jashtë kornizave të një shfaqje të zakonshme, ndoshta ndër më të bukurat që Teatri i Vlorës ka vënë në skenë.

Shfaqja u vu në skenë nga regjisori i mirënjohur Nazmi Bonjaku për të cilin ruaj një respekt dhe mirënjohje të veçantë, pasi ishte ai që më ngjiti për herë të parë në skenë dhe më besoj një nga rolet kryesore të shfaqjes, atë të Bujarit.

Ishte një nga shfaqjet jashtë kornizave të kohës dhe që është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga spektatori, jo vetëm për temën që trajtonte, por edhe për mënyrën e vënies në skenë, duke i shpëtuar censurës së kohës nga një rastësi.

Qysh gjatë provave, qarkullonin fjalë që teatri po vë në skenë një shfaqje moderne, kuptohet që servilët, kritizerët dhe të paaftët, prisnin provën e përgjithshme që ta godisnin.

Atë kohë rastisi që të ishte në Vlorë, Dritëro Agolli dhe dikush e ftoi për të parë provën e përgjithshme. Në pushim të shfaqjes, ai me sa duket, u njoh me atmosferën dhe goditjen që prisnin t’i jepnin shfaqjes servilët dhe kritizerët, dhe në përfundim të saj, ai u ngrit menjëherë i pari në diskutim dhe tha: “Të themi nja dy fjalë të mira, për këtë shfaqje shumë të bukur!”

Mbas tij të gjithë ata që kishin përgatitur kritikat dhe goditjen e shfaqjes, mbyllën blloqet e shënimeve, disa heshtën, të tjerë filluan ta lavdëronin e të flisnin mirë.

I përkisni një brezi aktorësh të cilët pas diplomimit, jetuan të dyja kohët, në diktaturë dhe demokraci. Sa ndikoi kjo në thellësinë e roleve tuaja?

Unë mendoj se shkolla që kemi bërë ne në atë kohë, ka qenë shumë e mirë, me kërkesa dhe mjaft profesionale. Kishte pedagogë që shpesh-herë, krijonin marrëdhënie shumë të afërta me ne studentët dhe kjo ndoshta edhe për shkak të profesionit, por edhe për natyrën e shkollës dhe të procesit mësimor, mbasi ne studentët e dramës, ishim paradite dhe pasdite në shkollë, ndryshe nga studentët e degëve të tjera.

Natyrisht që shkolla të jep drejtimet kryesore të profesionit, por nuk të bën aktor; është talenti, dëshira, vullneti dhe dashuria se si t’i e përqafon  profesionin tënd të jetës. Ndoshta artisti duhet të ketë një përgjegjësi shumë më të madhe ndaj vetes, pasi ai është gjatë gjithë jetës së tij, para një provimi të vështirë, është gjithmonë përballë spektatorit.

Numëroni rreth 70 role në teatër dhe rreth 15 në film. Por mbaheni mend shumë më tepër në rolet në film. Çfarë mendoni rreth kësaj?

Krijimtaria artistike e mirëfilltë tek një artist këtu, nuk mund të ketë ndryshime thelbësore mes atyre të para viteve ’90, me ato të pas viteve ’90, sepse mjeshtëria e aktorit dhe interpretimi i tij në skenë, fjala artistike, në thelb janë dhe kanë qenë të njëjta, pavarësisht kushteve dhe rrethanave. Ajo që mund të ndikojë, është cilësia e veprës dhe interpretimit.

Kuptohet, në atë kohë, në letërsi dhe dramaturgji i jepej përparësi promovimit, realizimit të personazhit pozitiv i cili ishte i thatë dhe futur në kornizë që në shkrim, ndaj aktori nuk kishe se çfarë t’i bënte, sepse nuk mund të dilte nga korniza.

 

Fiziku i rolit, siç quhet, tek ju ka lënë gjurmë. Sa rëndësi ka për një aktor paraqitja skenike?

Ndoshta në shumë nga rolet që jam përzgjedhur për të interpretuar, veç të tjerave, mund të ketë ndikuar edhe fiziku apo pamja e jashtme.

Është e vërtetë që kur kam qenë student, kam luajtur në filmin “Në prag të lirisë”, me regjisorët Ibrahim Muço dhe Kristaq Mitro, në një rol mjaft simpatik, por që për fat të keq, filmi u ndalua dhe ka filluar të shfaqet vetëm këto vitet e fundit.

Më vonë erdhën filma të tjerë si  “Duaje emrin tënd”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Botë e padukshme”, “Jeta në duart e tjetrit” etj., që, në fakt, për tematikën dhe mënyrën e trajtimit, u pëlqyen dhe patën ndikim mjaft pozitiv te  spektatorët.

Cilat janë pasionet tuaja, jashtë aktrimit? Nëse nuk do të ishit bërë aktor, çfarë rruge do të ndiqnit?

Një nga pasionet e mia është leximi. Kam pasion edhe sportin, jam marrë qysh në rini dhe vazhdoj të merrem me not, futboll, fizkulturë.

Kam  një minipalestër që e frekuentoj, por ecjet dhe vrapimin gjithashtu, dhe padyshim notin, gjatë muajve të sezonit të plazhit. Këto janë të domosdoshme për një aktor për të qenë gjithnjë në formë të mirë fizike.

Sa i takon gatimit kam dëshirë dhe gatuaj, por kryesisht preferoj të gatuaj prodhimet e detit, pëlqej kryesisht krudot, furrën dhe zgarën.

Në qoftë se nuk do të isha bërë aktor, një nga profesionet që admiroj është ai i mjekut, kështu që ndoshta mund të isha bërë edhe mjek.

Keni qenë drejtues në disa raste, drejtues në teatrin e Vlorës dhe në teatrin kombëtar. Sa e vështirë ka qenë për një aktor të drejtojë ish-kolegët?

Për një periudhe gati 14-vjeçare, kam qenë Drejtor i Teatrit, “Petro Marko”, Vlorë dhe më pas, për gati 8 vjet, Drejtor i Teatrit Kombëtar.

Dua të theksoj një gjë. Gjatë kohës që kam qenë në drejtimin e Teatrit të Vlorës, kam luajtur pothuajse në të gjitha premierat.

Kemi qenë teatri që kemi vënë në skenë më shumë vepra nga dramaturgjia kombëtare dhe kjo falë bashkëpunimit shumë të mirë që kemi pasur me dramaturgun Ferdinand Hysi i cili, sipas mendimit tim, është autori që pas viteve ’90, jo vetëm ka shkruar më shumë, por edhe vepra mjaft cilësore si “Tri mendje në ankand”, “Berta etj.,”, “Shpirti i ujkut”, “ Kali i karrocës” etj. Një shfaqje shumë e mirë ka qenë edhe “Sakrifica”, sipas motiveve të novelës “Ura me tri harqe” e  Kadaresë, ku unë kam luajtur rolin e Kontit.

Por janë vënë në skenë dhe shumë vepra nga dramaturgjia e huaj dhe unë kam luajtur kryesisht në rolet kryesore, Zhanin te “Rinoceronti”-E. Joneskos, “Kalorësit”-Aristofanit, Kukurecaxhiun te “Lavirja e denjë për respekt”, Fredin-Zh. P. Sartri, Erci te “Korrupsion në Pallatin e Drejtësisë”-Ugo Betti dhe Gjykatësin te “Merimanga”-G. Franchione, dy vepra që trajtojne korrupsionin ne drejtësi , Andrea tek “Morsa”-L. Pirandello, “Jashtë bie borë”-V. Saleme etj. Por gjatë kësaj periudhe kam vënë në skenë disa premiera  edhe si regjisor në Teatrin e Vlorës  si,  “Ah veshkat e mia!”-Cikliropullos, “Morsa”-Pirandello, “Terroristi i një qyteti”-Azis Nesin.

Gjatë kohës në drejtimin e Teatrit Kombëtar, iu përkushtova më shumë drejtimit dhe menaxhimit të tij, pasi unë gjykoj që është përgjegjësi e madhe të drejtosh një institucion kombëtar.

Në atë periudhë kam luajtur vetëm tek “HENRI VI” i Shekspirit, Rolin e Dukës Glouceter, shfaqje me të cilën Teatri Kombëtar u paraqit në Festivalin Botëror të Shekspirit, në Globus Theatre në Londër, një aktivitet që nuk duhej humbur, pasi një aktori mund të mos i bjerë fati gjatë gjithë karrierës se tij, të luajë në skenën e Globus Theatre.

Të jesh aktor dhe drejtues i një institucioni artistik dhe i kolegëve të tu, padyshim që është një pozicion i vështirë, për të ruajtur ekuilibrat humanë, artistikë e institucional. Padyshim që kjo është një përgjegjësi e dyfishtë, por edhe një sfidë.

Kam hasur në shumë rezerva nga kolegët tuaj, mbi mungesën e aktiviteteve teatrore në rrethe. Cili është mendimi juaj?

Mund të them me keqardhje të madhe, që teatrot nëpër rrethe po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt degradimit dhe shuarjes. Kjo për mua, është një situatë dramatike, katastrofë!

Kjo gjendje nuk është aspak për faj të aktorëve apo regjisorëve, të cilët me sforco të mëdha mundohen të mbajnë gjallë jetën artistike në këto qytete, përpjekje që shkon deri në kufijtë e mbijetesës!

Padyshim që përgjegjësia kryesore për këtë situatë, bie mbi pushtetin vendor, pasi në bazë të ligjit të decentralizimit, teatrot e rretheve varen tërësisht nga pushteti vendor. Buxhetet e bashkive për teatrot janë të papërfillshme, ndërkohë që për futbollin jepet shumë herë më shumë. Mos të flasim pastaj për pagat skandaloze që paguhen këta artistë. Në teatrot e Vlorës, Shkodrës, Durrësit, Fierit, Elbasanit, Korçës apo Gjirokastrës, nuk ka më shumë se nga 10 artistë secila trupë.

Nuk di se sa mund t’i kushtonte buxhetit të këtyre bashkive që, me një vendim të këshillit bashkiak, t’u jepnin një pagë dinjitoze këtyre artistëve, ndërkohë që në administrata ka punonjës që paguhen ndoshta dyfishin e tyre. Kjo do të ishte një konsideratë dhe vlerësim i madh për punën dhe sakrificat e tyre, por do të ishte edhe nder për çdo bashki apo kryetar bashkie.

A bëhet mjaftueshëm sot, për filmin dhe teatrin? A janë pranë aktorëve institucionet?

Në mbledhje dhe takime të ndryshme institucionale edhe nga pozicioni i ish-Drejtorit të Teatrit Kombëtar, kam ngritur shpesh këtë shqetësim, duke dhënë edhe alternativa se si mund të zgjidhen dhe të parandalohet degradimi i mëtejshëm i kësaj situate.

Një nga propozimet konkrete, ka të bëjë me rritjen e financimit për këto teatro, por edhe varësia dyfishe që ato duhet të kenë dhe në këtë rast, kërkohet një bashkërendim dhe koordinim më i ngushtë i pushtetit vendor me atë qendror dhe Ministrinë e Kulturës, siç edhe ka qenë vite më parë.

Por siç ndodh gjithmonë, kur është fjala për artin dhe kulturën, ka një mungesë predispozite dhe dëshire për t’i zgjidhur gjërat.

Buxhetet për teatrin dhe filmin tek ne, janë shumë të vogla dhe kushtëzojnë realizimet e aktiviteteve.

Do t’i referohem vetëm vendeve të rajonit, p.sh., teatri i Kosovës e ka buxhetin shumë më të lartë se ne, e për të mos folur pastaj për teatrot në Europë.

Gjatë takimeve në kuadër të Unionit Europian Teatror, kam pasur rastin të takohem dhe diskutoj me kolegë të mi në Europë. Tronditesh kur dëgjon se sa janë buxhetet e teatrove të tyre.

Shpresoj se ata që drejtojnë artin dhe kulturën, të bëhen një ditë më të përgjegjshëm dhe më aktiv kur është fjala për mbështetjen dhe përkrahjen që duhet t’u jepet institucioneve artistike, të angazhohen në forcimin e bazës ligjore, me qëllim që edhe biznesi dhe faktorë të tjerë të kontribuojnë konkretisht, në financimin dhe mbështetjen që duhet t’i japin artit dhe artistëve, sepse siç thotë edhe Gëte: “Mënyra më e mirë për të shpëtuar botën, është Arti, mënyra më e sigurt për të marrë kontakt me botën është Arti!”

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: