KU SHKUAN VOTAT E DJATHTA?- NGA EDUARD ZALOSHNJA

KU SHKUAN VOTAT E DJATHTA?- NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga EDUARD ZALOSHNJA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Në këtë shkrim do të gjeni një analizë demografike-elektorale të firos së madhe të votave që pësoi e djathta, në zgjedhjet e 25 qershorit

Në 20 vjetët e fundit, numri i votuesve që marrin pjesë në zgjedhje është rritur nga një palë zgjedhje parlamentare në tjetrën. Kjo shpjegohet me rritjen natyrale të banorëve të Shqipërisë, në moshë për votim (1 milion e ca emigrantët, edhe në qoftë se duan, nuk vijnë dot të votojnë). Duke qenë se raporti i popullsisë 18-100 vjeç, ndaj asaj 0-17 vjeç vjen duke u rritur (Shqipëria po plaket demografikisht), numri i zgjedhësve me banim në Shqipëri, rritet çdo vit, pavarësisht emigracionit të vazhdueshëm.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, morën pjesë në zgjedhje 1 milion e 750 votues –numër rekord qysh prej vitit të largët historik 1992. Duke faktorizuar rritjen me 5% të numrit të banorëve në moshë për votim, prirja 20-vjeçare e pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare, na sugjeron se rezervuari natyral i pjesëmarrësve në zgjedhjet e 25 qershorit të ishte rreth 1 milion e 840 mijë.

Por, si asnjëherë tjetër në dy dekadat e fundit, numri i pjesëmarrësve në vend që të rritej, ra ndjeshëm – vetëm 1 milion e 615 mijë zgjedhës morën pjesë në votim (shihni grafikun 1).

Për të kuptuar se cilat parti e vuajtën më shumë këtë firo në pjesëmarrje, kam ndërtuar grafikun 2, në të cilin krahasohen rezervuarët natyralë të votave të partive nga njëra anë, me votat faktike që ato morën, nga ana tjetër.

Rezervuari natyral elektoral i PD-së dhe PR-së përbëhej nga zgjedhësit që kishin votuar për koalicionin e 25 partive të djathta në vitin 2013, plus porcionin e rritjes natyrale të numrit të banorëve në moshë votimi, që i përkiste së djathtës (PDIU-në e kam llogaritur më vete, si parti që ndryshoi krah politik e që përfundoi në mes të spektrit më 25 qershor).

Nga ana tjetër, rezervuari natyral elektoral i PS+PSD, përbëhej nga 1 milion e ca votuesit e partive/kandidatëve të majtë të 2013-ës, minus votuesit e LSI-së dhe të PBDNJ-së, plus porcionin e rritjes natyrale të numrit të banorëve në moshë votimi që i përkiste së majtës.

Nga grafiku duket qartë se PD+PR kanë pësuar një firo gjigante – rreth 230 mijë vota më pak sesa rezervuari natyral elektoral i tyre. Dhe në qoftë se krahasojmë grafikun e dytë me të parin, shohim se firoja totale e pjesëmarrjes, pothuajse, përputhet me firon e votave të djathta.

Gjithashtu, firo ka pësuar edhe një parti tjetër e djathtë FRD-ja e cila nga 30 mijë votues në rezervuarin e saj natyral elektoral, mori vetëm 5 mijë vota (partitë e tjera të vogla të djathta garuan nën siglën e PD-së dhe kryetarët e tyre ishin pjesë e listave të kandidatëve të kësaj të fundit).

Në krahun e majtë të politikës shqiptare, PS+PD morën rreth 70 mijë vota më pak se sa e kishin rezervuarin e tyre natyral të votave. Ku shkuan këto vota? Në nivel makro, një pjesë shkuan te LIBRA e Blushit (si edhe te PDS e Milos, e cila nuk është përfshirë në grafikun e mësipërm), ndërsa pjesa tjetër duket se ka shkuar te dy parti që e rritën ndjeshëm numrin e votave – LSI dhe PDIU.

Kështu, LSI-ja mori 227 mijë vota, ose 37 mijë përtej sinorit të saj natyral. Kjo dalje përtej sinorit e LSI-së, ishte e shpërndarë në pothuaj 12 qarqet e vendit. Nga ana tjetër, PDIU-ja e tejkaloi rezervuarin e vet elektoral me 30 mijë vota, por rritja e jashtëzakonshme u përqendrua në dy qarqe – Elbasan e Dibër (në Tiranë rritjen e pati normale, ndërsa në qarqet e saj tradicionale Fier e Vlorë, pësoi tkurrje elektorale).

Kuptohet që po të mbledhësh rritjen e LSI-së me të PDIU-së, si dhe të shtosh votat e LIBRA-s dhe të PDS-së, shuma është më e madhe se sa firoja e PS+PDS. Gjë që do të thotë se dy partitë që u rritën ndjeshëm në këtë vit, mund të kenë peshkuar vota edhe në sinorin e elektoratit të dekurajuar të djathtë.

Është e rëndësishme të theksohet se kjo analizë është në nivel makro. Në nivel mikro, mund të gjenden raste të shkëputura, kur një lagje apo një fshat, një ish-komunë apo një bashki, ka regjistruar një sjellje elektorale të ndryshme nga ajo që vërehet në rang vendi. Kështu për shembull, në bashkinë e Kamzës, PD-ja i mori votat pothuaj në përputhje me rezervuarin e saj elektoral. Ndërsa ish-komuna e Krrabës, e ndryshoi krejtësisht votën – nga 90% për LSI-në në 2013-ën, në 70% për PS-në në 2017-ën...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: