Kukësi me president të ri sezonin tjetër? Gjici shpreson të shkojë në Kuvend

Kukësi me president të ri sezonin tjetër? Gjici shpreson të shkojë në Kuvend
 

Safet Gjici, presidenti i Kukësit, kandidoi në zgjedhjet e fundit, nën siglën e PS-së, në qarkun verilindor. Por në Kukës ai nuk arriti dot të fitonte mandatin direkt, pasi PS mundi të merrte vetëm një mandat kundrejt dy mandateve që mori PD.

Megjithatë Gjici ka ende shpresë se mund të fitojë mandatin, si pasues i Mimi Kodheli, që pritet të mbetet ministre e Mbrojtjes.

Në një rast të tillë, me mandatin e deputetit, ai duhet të dorëzojë postin e presidentit të klubit sikurse bëri edhe ish-presidenti i Vllaznisë, Agron Çela, katër vite më parë, kur u zgjodh deputet nën siglën e LSI.

Gjithsesi, Gjici  e konsideroi të suksesshme fushatën. Pas titullit historik kampion që i siguroi këtë sezon Kukësit, Safet Gjici falënderoi elektoratin e qytetit të tij, por jo atë të Hasit, votat e të cilit tha se i mohuan mandatin direkt të deputetit. Në bashkinë Kukës, PS kryesoi me 1800 vota mbi Partinë Demokratike, çka Gjici e konsideroj si një arritje historike.

Mimi Kodheli, aktualisht ministre e Mbrojtjes, me gjasa do të mbajë postin, për të dorëzuar mandatin e deputetit sikurse ka qenë rregull edhe gjatë mandatit të parë të socialistëve.  “Të gjitha premtimet e mia që kam bërë do i mbaj me shumë përgjegjësi, por detyrimi im madhor është që t’iu shërbej banorëve të Kukësit. Për shkak të ndonjë lëvizje që mund të bëhet, unë mund të jem në Parlament dhe do punoj shumë fort,”- theksoi Safet Gjici.

Kukësi, sezonin tjetër mund të ketë një president tjetër?

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: