KUVENDI ME 216 DEPUTETË - Nga FRROK ÇUPI

KUVENDI ME 216 DEPUTETË - Nga FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ne duhet të besojmë! Ne, qytetarët, kemi për detyrë të besojmë ligjvënësit që zgjedhim ... Kjo është detyra jonë, - siç është fati i tyre që, po u mashtruam, të mos besojmë kurrë më! Por deri kur, “kurrë më”?....

Ne duhet ta besojmë edhe këtë që po thuhet sot, në fushatën zgjedhore për Kuvendin. Një nga një e pikë-pikë, ne, “bleta” qytetare, duhet të mbledhim nektarin e fjalëve që thonë politikanët dhe kandidatët për ligjvënës. Kështu?

Atëherë duhet të besojmë fillimisht se Kuvendi, do të jetë me 216 deputetë!...

Në qoftë se nuk e besojmë, atëherë kemi prishur kontratën me veten dhe marrëveshjen me “besimin”. Por nuk mund të besojmë, sepse Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të ketë 216 deputetë. Numri i Deputetëve të Kuvendit, është përcaktuar nga Kushtetuta e Republikës, neni 64 ku thuhet se “Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 140 deputetë”. Të fshehim Kushtetutën?

Por edhe në qoftë se e besojmë, atëherë kemi dëmtuar imazhin e lidhjes sonë me politikën, sot dhe nesër.

Numri i deputetëve është vetëm një tregues i thjeshtë i asaj ku “varet” besimi ynë, në atë çfarë na thonë ligjvënësit gjatë fushatës “së sinqertë” para nesh. Pas kësaj, nisin premtimet për shëndetësinë, premtimet për sigurinë dhe paqen sociale, për pagat dhe pensionet, për punësimin, për Rilindjen dhe Republikën e Re,.. dhe njëmijë e njëmijë të tjera. Si do të mbahen këto premtime, në qoftë se qysh në fillim ka rënë besimi mbi “216 deputetë”?

Kush e tha shifrën 216 deputetë? - kjo është pyetja e parë.

Sipas proklamimeve të ligjvënësve të të gjithë krahëve, numri 216 del minimum i asaj që “premtohet”.

Partia Socialiste ka premtuar se do të marrë 71 deputetë dhe do ta ketë Kuvendin me “një timon”, d.m.th., do ta eliminojë “timonin e dytë, LSI” e do të bëjë ligje më vete, e pavarur. Premtimi është bërë publik, qindra herë. Por edhe Partia Demokratike ka dhënë fjalën para “Republikës së re”, se do të qeverisë pas datës 25 qershor. Ajo ka kundërshtuar aleancat me PS dhe LSI. Aq më tepër që ideja ekselente (si ide), e një republike të re, kërkon një qeverisje më vete, me idenë e re. Kjo do të thotë se PD-ja duhet të dalë një hap para PS-së e cila ka deklaruar 71 deputetë në Kuvend.

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) ka deklaruar bujshëm se do të dalë “e para”. E para do të thotë se do të fitojë mbi PD-në dhe mbi PS-në. I bie që LSI-ja të fitojë të paktën 73 deputetë për të dalë e para....

Të gjithë këta, (71+72+73) të mbledhur së bashku, përbëjnë shifrën 216 deputetë në Kuvend...

Atëherë, a duhet të besojmë? Ne, si qytetarë, kemi për detyrë - ndaj vetes dhe ndaj republikës - të besojmë. Por kur shikojmë shifrën “216” që nuk përputhet as me të vërtetën, as me Kushtetutën, atëherë na rrëzohet besimi, njësoj si Muri i kështjellës. A nuk jemi aq të zotë sa t’i pyesim që në fillim: “Ku i ke 71 apo 73 deputetët?”. Sepse na premtuan fuqinë e përfaqësimit, autoritetin, dobinë popullore që janë në themel të asaj që pritet të vijë më pas.

Njeriu nis e bën shumë pyetje pas “rrëzimit të besimit”. Nis e mendon: Vallë, nuk do të ketë koalicion mes këtyre partive që tani luftojnë, dhëmbë për dhëmbë, dhe deklarohen kundër bashkëpunimit? Me siguri, do të ketë. Pritet një koalicion mes PD dhe PS, të paktën sipas parashikimeve të staticienëve. Pritet edhe që LSI-ja të përfitojë nga grindjet midis dy të tjerëve dhe të mund të formojë qeverinë me koalicion me PS ose PD. Sot, gazetarja Hyka bisedoi me Komisionerin e BE-së, Flenckenstein, dhe e pyeti “a do të ketë koalicion PS-PD” Ai u përgjigj ftohtë, si qytetar i pa interesuar për këtë pikë: “I don’t care!”- tha. Por ne na duhet ta “çajmë kokën”, sepse na duhet të dimë si të votojmë. Përderisa na shtyjnë të votojmë për “216 deputetë”, vallë, si mund të jemi të lidhur me besimin ndaj vetvetes?

Përderisa do të votojmë për një fantazmë (216 deputetë), vallë, si mund të besojmë premtimet e tjera: Drejtësi, Punë, Ushqim, Shkollim, Shëndet, Pushime?...

Te “guri i parë” i kilometrazhit të rrugës, nis besimi ose mosbesimi për të shkuar në fund. Ne tani kemi një “gur” që po ta besojmë, gabojmë dhe po të mos e besojmë, prapë gabojmë...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: