Kuvendit i ikin “muskujt” dhe i vijnë pedagogët

Kuvendit i ikin “muskujt” dhe i vijnë pedagogët
Eglantina Nasi

Kuvendi i pedagogëve, i arsimit e dijes dhe jo më ai i “të fortëve” siç u etiketua shpesh në legjislaturën e fundit parlamentare. Ky duket se do të jetë Kuvendi i ri i Shqipërisë në katër vitet e ardhshme 2017-2021, referuar listës së deputetëve të tij, të cilët edhe pse ende nuk janë certifikuar në mënyrë zyrtare nga KQZ-ja, tashmë pas procesit të numërimit mund të thuhet se e kanë të siguruar mandatin.

Konkretisht, në to rezulton një numër i madh figurash të njohura në botën akademike shqiptare. Duke nisur nga Partia Socialiste, përmendim këtu emra të tillë si Elona Gjebrea, Vasilika Hysi, Evis Kushi, Mirela Kumbaro apo Lindita Nikolla, të njohura si pedagoge. Por edhe Partia Demokratike duhet thënë se ka shumë të tillë në listën e deputetëve të saj të rinj, si Orjola Pampuri, Jorida Tabaku, Fatbardha Kadiu, Grida Duma, Tritan Shehu, Valentina Duka, Luçiano Boçi, Dhurata Çupi, Romeo Gurakuqi. Sikundër edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka deputetë të cilët nga bota e auditorëve do t’i drejtohen tani sallës së seancave plenare, të tillë si Edmond Panariti apo Nora Malaj.

Në këtë këndvështrim, mund të thuhet pa frikë se Kuvendi i ri do të ketë një nivel të konsiderueshëm intelektual, për t’iu larguar kësisoj idesë që ishte krijuar ndaj tij së fundmi, se në të ishin futur “të fortë”, deri edhe persona të akuzuar për kryerjen  e veprave të ndryshme penale.

Nga ana tjetër, mund të thuhet se Kuvendit të ardhshëm të Shqipërisë nuk do t’i mungojnë as biznesmenët, një kategori kjo e pranishme edhe në legjislaturat parlamentare të radhës. Kështu, ktë herë, në listën e deputetëve të rinj mund të përmendim emra të tillë të botës së biznesit, si Rakip Suli, Qemal Qefalia, Sadri Abazi, Fidel Ylli, Anastas Angjeli, Vullnet Sinaj apo Paulin Stërkaj nga Partia Socialiste. Apo Agron Shehaj nga Partia Demokratike dhe Lefter Koka nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Por në panoramën e Kuvendit të ri, natyrisht që s’mund të lëmë pa përmendur edhe protagonistë të njohur të legjislaturave të mëparshme, që nuk do të jenë më pjesë e tij. Një prej tyre është Ben Blushi, partia e të cilit, “LIBRA”, edhe pse mori rreth 20 mijë vota në rang vendi, nuk arriti të mandatohet dot si deputet. Sikundër, gjatë seancave plenare nuk do të dëgjojmë më as diskutimet e Arben Ristanit,  Dashamir Tahirit apo Gert Bogdanit të Partisë Demokratike.  Shoqëruar edhe nga mungesa e dy përfaqësuesve të njohur të Partisë për Demokraci, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda; por edhe e Sokol Dervishajt nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

BARAZIA GJINORE

37 deputete femra gjithsej. 22 nga PS, 10 nga PD, 5 nga LSI dhe 1 nga PDIU

Plot 37 deputete femra do të ketë Kuvendi i ri i Shqipërisë në legjislaturën e re 2017-2021. Numrin më të lartë të tyre, do ta ketë pikërisht Partia Socialiste, me plot 22 të tilla. Kurse Partia Demokratike renditet pas saj me 10 deputete femra, për të vijuar më tej me Lëvizjen Socialiste për Integrim 5 dhe PDIU vetëm me 1 deputete femër. Nëse iu referohemi listave përkatëse, mund të vihet re se mes kësaj kategorie, ka emra të njohur tashmë të politikës, sikundër edhe prurje të reja femrash në politikë. Kështu, lista e 22 femrave deputete socialiste përfshin brenda saj emra të tillë si Mimi Kodheli apo Milva Ekonomi, që kanë një përvojë të gjatë politike, e kanë provuar edhe postin e ministres. Shoqëruar me emra të rinj të tillë si Edlira Bode, Senida Mesi etj. Kurse ndër 10 femrat deputete të PD-së mund të përmendim me përvojë politike Albana Vokshin apo Jorida Tabakun. Por edhe figura të tjera që edhe pse nuk kanë qenë pjesë e politikës, rezultojnë të njohura për opinionin publik, të tilla si Valentina Duka. Kurse sa i përket listës së LSI-së shohim se do të jetë sërish deputete Kejdi Mehmetaj, relativisht në moshë mjaft të re, teksa mungon Silva Caka, që ka qenë deputete në legjislaturën e fundit.

 

Mungojnë artistët, njerëzit e kulturës jo të pranishëm gjatë seancave plenare

Njerëzit që vijnë nga bota e artit dhe kulturës do t’u mungojnë seancave plenare në legjislaturën e ardhshme parlamentare të Kuvendit. Dhe kjo, pasi ata në fakt mungojnë në listat e deputetëve të rinj të Kuvendit. Ndryshe nga njerëzit e botës akademike apo ata të biznesit që janë të pranishëm në të, ata të artit dhe kulturës duket se nuk kanë qenë të përfshirë nga krerët e partive politike, duke përbërë kështu një dukuri të veçantë në këtë aspekt për Kuvendin e ri të vendit. Sektorë këta të cilët duhet thënë se edhe në legjislaturat e mëparshme parlamentare duket se i kanë patur të paktë përfaqësuesit e tyre në organin legjislativ të vendit.

 

Parti politike pa kryetar në Kuvend, PDIU dhe PSD të pranishme vetëm me deputetë

Partia për Demokraci, Unitet dhe Integrim e Partia Socialdemokrate do të kenë përfaqësuesit, por jo kryetarët e tyre në sallën e seancave plenare të Kuvendit të ri. Dhe kjo, pasi këta të fundit nuk arritën dot të futeshin në listën e deputetëve. Konkretisht, Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU-së, nuk u mandata dot si deputet, edhe pse ai “luftoi” deri në numërimin e votave të fundit gjatë garës për qarkun e Tiranës. Teksa nga ana e tij, kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, do të ketë si përfaqësues në Kuvend, nën siglën e partisë së tij, deputetin Tom Doshi.

E reja dhe e vjetra, sërish bashkë në karriget e Kuvendit

E reja dhe e vjetra. Nuk mund të jenë të ndara as në sallën e Kuvendit, teksa në karriget e saj do të ulen deputetë edhe të legjislaturave të mëparshme parlamentare, por edhe nga ata që ulen për herë të parë në to. Kështu, nga lista e Partisë Socialiste ndër këta të fundit mund të përmendim emra të tillë si Klotilda Ferati, Arben Pëllumbi, Ilir Ndraxhi, Roland Xhelilaj, Jurgis Cyrbja, Rahman Rranja, Luan Duzha,

Nure Belba, Ilir Xhakolli, Edlira Bode etj. Sikundër në këtë grup përfshihen edhe socialistë të angazhuar deri tani me poste të rëndësishme, por jo atë të deputetit. Të tillë si Elisa Spiropali, ish-kryedoganiere; Milva Ekonomi, ministre apo Fadil Nasufi, kryebashkiak. Kurse nga Partia Demokratike, për herë të parë në Kuvend do të jenë emra të tillë si Endri Hasa, Myslim Murrizi, Klevis Balliu etj. Ndërsa ndër personat e angazhuar politikisht, por asnjëherë deputet janë emra të tillë si Lorenc Luka, ish-kryebashkiak. Gjë që vlen të thuhet edhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila sjell në Kuvend emra të rinj si Flodia Kërpaçin dhe Gledion Rehovican, por edhe ish-të angazhuar politikë si Robert Bitri.

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: