LEHTËSIA E PAPËRBALLUESHME E MANIPULIMIT-NGA SONILA MEÇO

LEHTËSIA E PAPËRBALLUESHME E MANIPULIMIT-NGA SONILA MEÇO
NGA SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Tashmë, me një prezencë të mjaftueshme në parlament për të krijuar qeverinë i vetëm, Rama konsolidon pushtetin. Parlamenti do të ketë 74 deputetë të Partisë Socialiste. Duke rreshtuar median, duke krijuar kaos në opozitë, përqendrimi i pushtetit, - atij legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor, - ngre shumë pikëpyetje për llojin e demokracisë që do të ketë Shqipëria e pas 25 qershorit. E sidomos për mirëqenien e shqiptarëve.

Akuzat për blerje vote, për frikësim elektorati, hyrjen në proces së parasë së trafikut të drogës, shënjuan deklaratat e përfaqësuesve tashmë në opozitën parlamentare, menjëherë pas zgjedhjeve. E megjithatë, procesi zgjedhor u njoh nga të gjitha palët, duke e lënë publikun në një vetëdijesim se manipulohet lehtësisht.

Partitë që ndanë pushtet në mandatin e parë të qeverisë Rama, shënuan rritje, ndërsa Partia Demokratike u tkurr edhe si pasojë e një bojkoti në masë të shqiptarëve. Publiku nuk u motivua, nuk thithi nga fryma e Republikës së Re, as shpresë dhe as besim. Madje, me daljen e papërligjur të qëllimit final nga çadra të Partisë Demokratike, mbështetësit dhe ende dyshuesit, u ndjenë të tradhtuar.

Çfarë ndodhi gjatë fushatës, një braktisje e hapësirës publike nga programet elektorale, nën hijen e një marrëveshjeje në kufij konspirativë mes liderit të PS-së dhe atij të PD-së, veproi për inerci edhe pas zgjedhjeve, duke lënë hamendësime të shumta. Brenda e përtej hijes së asaj marrëveshjeje të pazbardhur mes Ramës e Bashës, të paqartë janë më shumë se gjysma e shqiptarëve që nuk votuan, ajo pjesë elektorati që votoi të djathtën e që tani endet kuturu sa nga nxehtësia e peticioneve për largimin e liderit demokrat tek “mërdhirja” prej vetëngrirjes së tij në krye të PD-së. Me nxitim drejt kryqëzimit të një personi që nuk mund e s’ka sesi të ketë qenë e gjithë opozita, ata që shenjëstrojnë Bashën si fajtorin e vetëm të humbjes, ngjajnë krejt të ngeshëm për të njohur përgjegjësitë personale. Ndërsa, asnjë teze opozitare nuk i dhanë zë në katër vjet. Qoftë edhe kritikës në forume për mënyrën e të bërit opozitë të Bashës, duke pritur hapjen e çadrës për të bërë opozitën e opozitës publikisht. Duke, kinse, harruar të gjithë së bashku, se kanë përgjegjësi publike të fituar ose me votë populli në parlament,ose me votë anëtarësie në forumet e forcës më të madhe të opozitës.

E gjitha kjo konsumohet nën hijen e një njeriu që, i vetëm, po merr pushtetin, megjithëse me votën e gjysmës së më pak se gjysmës të atyre që votuan. Për më tepër, pa mbajtur asnjë përgjegjësi për dështimet katërvjeçare e duke mos premtuar, thuajse, asgjë për katër të ardhshmet. Ndërsa ndëshkohet publikisht Basha për numrat që ranë, nuk ka asnjë reagim mbi numrat në rritje të Ramës ndërtuar edhe mbi manipulime. Nuk ka rënë vetëm Partia Demokratike, por nuk është shtuar dot ndjeshëm as PS-ja, me serbatorin plot të propagandës dhe parave të koncesioneve e hashashit. Në vendin me të ardhurat më të ulta për frymë në rajon, në vendin e varfërisë e borxhit të shtuar, në vendin nga ku iket, në vendin ku votojnë 180.000 më pak shqiptarë se katër vite më parë.

Si asnjëherë më parë, media nuk u mor me përmbajtjen e fushatës, por me ekuacionet e koalicioneve; nuk u mor me fabulën e zgjedhjeve, por matematikën e shkalur të një sistemi zgjedhor që manipulon ethshëm vullnetin e elektoratit.

Por edhe në cinizmin e numrave, një reformë territoriale që nuk përfilli opozitën, një reformë e munguar zgjedhore që deformon vullnetin e zgjedhësve, do të qenë mjaftueshëm për të bërë llogaritë edhe me hanxhinë e për të kuptuar se kjo betejë nuk do vendosej nga vota, por nga mekanizmi përçudnues i saj. Ja një shembull i thjeshtë: me 40.000 vota më shumë se në 2013-ën, PS-ja merr 9 deputetë shtesë. Ndërkohë Libra, me rreth 20.000 vota, nuk merr asnjë deputet. Vullnet elektorati çuar dëm, duke e thirrur për të votuar, por duke mos e llogaritur. Krejt i maipuluar.

Ky po që është dështimi më i madh i opozitës, hyrja në zgjedhje me këtë sistem e kod elektoral, pa kontribuuar në reformën territoriale, pa garantuar standardet demokratike të një shprehje të lirë vullneti elektoral. Këtë duhej të kishin synuar me kohë në foltore kuvendi, brenda e jashtë tij, në protesta e kontakte ndërkombëtare, kryqëzuesit e një kryetari, bashkë me këtë të fundit. Çdo përgjegjësi lënë në derë tani Bashës, nuk e bën më cilësor llojin e opozitës alternative që nuk u artikulua në një tezë, doktrinë e propozim, por mbeti në inate e mllefe, teksa vidheshin pasuri kombëtare e keqpërdoreshin para taksapaguesish. Publiku u manipulua nga një garë e brendshme për pushtet, ndërsa priste të motivohej prej një alternative të qepur mirë.

Sado t’i faturohet marketingut të fortë elektoral dhe dekorit të Rilindjes Urbane, vota e shqiptarëve në 2017-ën, kjo mund të jetë arsyeja për atë gjysmë të gjysmës që votoi sërish Partinë Socialiste, ndërsa pjesën tjetër bojkotuese, nuk e motivoi as fasada e qeverisjes e as ajo e opozitës.

Të ndërtosh një diskurs të tërë publik, mbi llojin e deles mes popullit, e bind këtë të fundit duke e projektuar në atë gjendje dhe fajin, më së pari, nuk e ka politika, por media. Media që e trajton fushatën si spektakël qyfyresh e shoëbiz-i, duke mpirë për aq kohë sa duhen shqisat e atyre që pabarazia i ka bërë si emigrantë në tokë të vet. Nuk ka rëndësi se qahen katër vjet, droga e medias dhe hashashi i fushave tona, e kanë trullosur për aq sa duhet elektoratin, lehtësisht, të manipulueshëm për t’u marrosur pas fasadës, ngjyrave, lajle-luleve si mënyrë për t’u argëtuar pas një vuajtjeje katërvjeçare. “Aman, të harrojmë për pak hallet, se njëlloj keq do jetë për ne!”, shpreheshin njerëzit, teksa ndiqnin koncertet thuajse elektoralë në hapjen e Sheshit Skënderbej. Të plagosur në kujtesën kolektive, të mahnitur nën shkëlqimin e sipërfaqes, të çakërdisur nga pilula mediatike, të frikësuar nga hija e pushtetit, të braktisur nga edukimi e të lënë të varfër prej ekonomisë jo prodhuese, shqiptarët e japin votën si për konkurrentët e reality shoë-t ku vërtiten të harrojnë jetën e tyre mes intrigave të skenës. Të gjitha janë të lidhura, pushtetet politikë e mediatikë prodhojnë një kimi vrastare për trurin, së cilës i bëhet rezistencë veç me edukim e dije. Por jo në këtë sistem arsimor. Përndryshe, fabrika politiko-mediatike prodhon turma që sillen, vishen e hanë njëlloj vaktin e gatuar me “erëzat” e amnezisë dhe autizmit kolektiv.

Kusuret e kësaj vote do të kuptohen shpejt, se çfarë kanë dashur realisht ata që vendosën për qeverinë e ardhshme e që mbushin flegrat me të njëjtin ajër të ndotur e ende më të ndotur, me plehrat që priten të vijnë, që pinë të njëjtin ujë nga bidonë plastikë e lahen me të njëjtin ujë ende me orar; që hanë të njëjtat fruta e perime mbarsur mirë me hormone; që paguajnë shtrenjtë shërbimin spitalor për kushte më të mira tek privati; që aplikojnë me të njëjtin zell për të njëjtën llotari amerikane; që iu dhembin tëmthat kur mendojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre që lëkundet çdo katërvjeçar sipas orekseve të rotacionit; që paguajnë të njëjtat taksa që nuk dinë se ku shkojnë; që digjen zhegut në radha e zyra shtetërore; që u fusin njëlloj duart xhepave nëpër autobusë e që u zë muaji muajin me borxh.

Kancelarja Merkel përshëndeti fitoren e merituar të Ramës, duke kujtuar takimin e 12 korrikut në Trieste. Mbështetja që liderët e Ballkanit, kryesisht Vuçiç e Rama kanë marrë me nisjen e procesit të Berlinit, është konsideruar një vullnet i shtuar i BE-së për të afruar vendet e rajonit me projektin europian. Çfarë Europa sheh në liderët ballkanikë, duke toleruar për hir të stabilitetit, nuk mund të shmangë monitorimin e premtimeve të Ramës për afrimin e Shqipërisë me familjen e përbashkët. Shqetësimi më i madh sot, është një tundim i njohur i Edi Ramës për të kapur institucionet politike dhe shtypin. Duke iu nënshtruar këtij tundimi, do të tradhtoheshin vlerat bazike të BE-së. Gjë që vetë familja e përbashkët, nuk duhet ta pranojë, për sa kohë shqiptarët tek Europa gjejnë vlerat dhe liritë e rrezikuara në vendin e tyre, - sepse vullneti i tyre keqpërdoret në lehtësinë e papërballueshme të manipulimit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: