MAKINA MODEL 4, APO 44 – KOMENT NGA SONILA MEÇO

MAKINA MODEL 4, APO 44 – KOMENT NGA SONILA MEÇO
NGA SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ambicia për t’i dhënë vetë makinës, nuk ka vlerë, nëse je në rrugën e gabuar.

Nëse fabula e zgjedhur për të apeluar elektoratin për një votë që do t’i jepte mundësinë të qeveriste fuqiplotë, do të kishte sukses, atëherë piloti i timonit të vetëm të qeverisjes, do t’i duhej të dëshmonte se ku ka ndërmend ta çojë makinën e qeverisë. Duke bërë një kontroll të plotë të të gjithë pjesëve të saj para nisjes, në ç’gjendje e ka sjellë deri këtu. Por - duke i qëndruar metaforës - piloti i bën thirrje publikut të besojë muskujt dhe mendjen e tij, pavarësisht nëse motori nuk tërheq, frenat nuk funksionojnë, karburanti po shteron, alarmet sinjalizuese të problemeve janë ndezur dhe ai vetë, pranon se bashkëdrejtimi i ka sjellë dëme sistemeve drejtuese të makinës.

Kjo fushatë është e varfër në përmbajtje, më së pari për bilancin e munguar të katërvjeçarit që po mbyllet. Kapur fort pas nevojës për të qeverisur i vetëm, me alibinë e pamundësisë për të bërë më shumë, nëse vota kërkon sërish bashkëqeverisje, asnjë përgjegjësi nuk artikulohet në deklaratat dhe shfaqjet publike të kryetarit në detyrë të qeverisë. Me moralin rrëzuar, përfundimisht, si kartë elektorale, pa përmbajtje, pa një program të konsultuar e servirur qartas, me valëvitjen e flamurit të integrimit si melhemin e ekonomisë, drejtësisë, shëndetësisë, arsimit, korrupsionit, sërish në 2017-ën, shqiptarët po shohin se si fushata po ndan frontet e së mirës e së keqes, atyre që duan e nuk duan shtet, atyre që duan e nuk duan integrimin. Sot, paradoksalisht, gjen një shofer taksie që mendon se ia vlen të votohet e majta, meqë po bën sheshin qendror të Tiranës (me paratë tona), edhe pse kostot e punës së tij janë rritur ndjeshëm prej bllokimit të trafikut, ashtu siç gjen edhe një punonjës administrate të gatshëm të votojë PD-në, sepse më mirë të qeverisë me Bashën Rama, që mos të durojë më urdhrat e shefes së LSI-së. Megjithëse kush qëndron në pushtet, është një shërbëtor i publikut që duhet t’i japë llogari mbi çdo qindarkë të parasë që përdor, vetë elektorati është përhumbur në konspiracionin e taktikave elektorale, pa bërë më së pari bilancin e jetës së vet, ku ishte dhe ku është, ç’ju premtua e çfarë i mbeti në fund të një katërvjeçari.

Është e pamundur të ndalësh pozicionet e shërbimit publik, nga përpjekja e tyre për të përdorur ofiqin për interesa personale. Pavarësisht se njerëzit nuk e pranojnë imoralitetin tek politikanët, ata shfaqin një mungesë interesi për të ditur më shumë për ta, historinë e tyre, politikat që ndjekin e për këtë manipulohen me premtime të paqarta, apo propagandë. Një elektorat i painformuar çorientohet lehtësisht, krijon ide të gabuara, perceptime te shformuara. Sot, debatet në media në lidhje me politikën, janë të kufizuara në një grusht analistësh dhe politikanësh, me një mungesë të theksuar diskutimi të argumentuar nga njerëz të aftë për të analizuar e gjykuar. Por mungesa e kërkimeve nga vetë njerëzit, bën që edhe ata politikanë që ruajnë një lloj morali në politikë, të mos shpërblehen si ata që manipulojnë rregullisht. Zgjedhjet e elektoratit do t’ishin më të sakta e të informuara në rast se ai vetë do të dinte të kërkonte, kuptonte e analizonte informacionin e duhur. Se sa rëndësi ka informimi në pjesëmarrjen demokratike, këtë më së miri e di vetë kryeministri i vendit, i njohur për makinerinë e bollshme propagandistike. Vetë ai e ka asgjësuar këtë mundësi, duke pagëzuar të gjithë median në vend, si një “kazan të madh” a “Bathore mendimi”. Mjafton të përsërisësh këto sulme, t’i lësh njerëzit në terr informativ, të bombardosh me propagandë, të mos lejosh hapësira analize, gjykimi dhe morali, nuk ka më asnjë rëndësi në vlerësimin që elektorati do të ketë për votën e tij. Edhe sepse moral nuk ka mbetur më.

Zgjedhjet bëhen për të prodhuar një qeveri të përgjegjshme, por edhe një opozitë të fortë për të kontrolluar qeverisjen. Por as përgjegjësia nuk po analizohet e as opozita e ardhshme nuk po konsiderohet, - sepse në përballjen publike, propaganda e athtë i mpin neuronet e elektoratit drejt justifikimit të atij që drejton, për çdo mosarritje dhe ndëshkimit me opozitë të atij që nuk lejon përqendrimin e pushtetit në një dorë. Andaj, le të nisim me ca ushtrime të thjeshta arsyetimi, që vështirë të gjenden sot në ekrane, ku orari i debatit prodhon perceptime e fsheh realitete. Duke vrarë neurone e duke mos lejuar publikun të gjykojë në ç’pikë e ka sjellë makina e pushtetit.

Problemi më së pari, qëndron në reformën e parealizuar elektorale që qe dështim i rëndësishëm i kësaj qeverie. Vetë sistemi që vë partinë mbi individin, që krijon distancë të fortë mes elektoratit dhe përfaqësuesit, që i ndryshon peshën votës në zona të ndryshme, krijon premisën e zgjedhjeve jo të drejta. Për ta vulosur me fenomenin tonë autentik, blerjen e votës, nuk i bën as të lira e të ndershme. Pra, kryeministri në detyrë e nis me këtë garanci të munguar, por të premtuar 4 vjet më parë, për çdo votues fushatën e tij. Secili nga ne bën mirë ta dijë se vlera e votës sonë, është e gërryer më së pari prej premtimit të pa mbajtur të njeriut që sot kërkon të jetë i vetëm në bërjen e shtetit. Por le t’i rikthehemi përmbajtjes së fushatës që ka krijuar idenë e ndarjes së të mirës e së keqes, të vërtetës e mashtrimit, pa një bilanc katërvjeçar në mes, pa një betejë opozitare të çuar deri në fund, pa ideologji përmidis, sërish me një dalldi integruese.

Të gjitha diskutimet bëhen në të ardhmen, vitet konsiderohen me muaj, a thua se ndarja konvencionale nga 4 vjet në 44 muaj do të bëjë koncesionet të ngjajnë më të suksesshme, reformën në arsim të pranueshme, borxhin të kapërdishëm, shëndetësinë falas dhe drogën vetëm një iluzion.

Mungesa e një debati me përballje ekspertësh në studio televizive, prezenca e monologëve, apo dialogëve të kreut në detyrë të qeverisë, ku anashkalohet me presion bilanci 4-vjeçar (që është saktësisht 44-mujor), paraqitja si përfaqësues i së drejtës, i së vërtetës, përballë një paaftësie e korrupsioni të ngritur në sistem (të cilën e vetëpranon me lehtësinë e një vëzhguesi), delegjitimimi i kundërshtarit si armiku që vepron kundër vullnetit të popullit për interesa egoiste, mënyra e të adresuarit ndaj publikut si i jashtëm, sikur të mos ketë qenë në krye të qeverisë, atribuimi i problemeve dhe gabimeve kundërshtarit (ish-aleat a opozitë), e vendosin kryeministrin e vendit në një puthitje spektakolare, me kornizën e një lideri populist. Populisti që po vjen të zhbëjë sistemin, duke qenë për katër vjet në krye të tij. Ndërsa nuk bën transparencë për sjelljen ndaj partive më të vogla, pas një mbrëmjeje të gjatë, kokë më kokë, me liderin e opozitës, pasi pushton me taktika hapësirën publike, pasi shmang çdo diskutim thelbësor, asnjë përballje nuk po pranon për çfarë nuk mundi të bëjë kjo mazhorancë e përse premtimet ngjajnë të pamundura.

Premtimet për çdo bëhet, gjejnë më shumë vend se përgjegjësitë për çfarë nuk u realizua:

220 mijë vende të reja pune dhe një rritje ekonomike prej 5,5%, janë e para e paargumentuar pas dështimit të bujshëm të 300.000 vendeve në mandatin e parë dhe e dyta e pamjaftueshme për të krijuar mirëqenie. Se si do të ulet borxhi publik dhe ç’do të bëhet me barrën fiskale më të lartën në rajon, nuk e shpjegon askush, sepse në vend të saj është shënjestruar bukuria e Rilindjes Urbane dhe babëzia e ish-aleatit. Se si vijohet me projektin 1 miliard për koncesionet kur ka ndodhur masakër e vërtetë në katër vjet, se si do të rriten pagat e pensionet, ndërsa synohet ulja e taksave dhe borxhit, kur ka qenë qesharake rritja përgjatë 4-vjeçarit (saktësisht 44 muajve), këtë nuk ta shpjegon njeriu që dëgjon muzikë klasike mbi kilometrat e rrugëve që nuk i shtroi dot vetë.

Në bilancin e tij, kryeministri nuk ka folur ende për dështimin e efikasitetit të rritjes së tatim fitimit dhe dividentit, si edhe kalimit nga taksa e sheshtë në atë progresive. Evazioni u shtua dhe me mos realizimin e të ardhurave, e pësuan shpenzimet kapitale që shënuan nivelin më të ulët nga viti 1997. Kjo do të thotë më pak investime publike në infrastrukturë rrugore, arsimore e shëndetësore. Po ashtu, kompanitë e mëdha që mund të siguronin punësim, nuk hapën dot vende të reja pune, për shkak të barrës më të lartë fiskale. Vetë shoqatat e biznesit në vend, pranojnë për Revistën Monitor se rritja e taksave ka ndikuar negativisht, duke i bërë të tresin çfarë në vite patën akumuluar. Pra, politika fiskale e ndjekur këto katër vite (saktësisht 44 muaj), ka tkurrur ekonominë, duke ulur konkurueshmërinë tonë në rajon. Ndërsa vetë drejtuesit e shoqatave të biznesit pohojnë, me zë e figurë, se rritja e taksave ka zvogëluar marzhin e fitimit, ka ulur investimet, ka rritur shpenzimet dhe ka ulur punësimin, duke prekur njëherazi me rritjen e tatimit mbi të ardhurat personale edhe shtresën e mesme e cila ka ulur edhe konsumin. Por asnjë përballje e kësaj natyre, nuk realizohet në media, duke e lënë publikun nën dritën që bën media e vetë kryeministrit. Politika fiskale ka dështuar, e pranojnë të gjithë përfaqësuesit e biznesit në Shqipëri, por ndërkohë hapësira publike është pushtuar nga të mirat e vettingut në ekonomi.

Modeli ekonomik i Shqipërisë, është praktikisht i dështuar. Me këtë rritje ekonomike, mbështetjen e saj tek disa investime të nisura me kohë si TAP e hidrocentrale, niveli shumë i ulët i kreditimit në vite, mungesa e efikasitetit të politikave fiskale, praktikisht e kanë çuar ekonominë drejt një dështimi të sigurt. Por, për këtë, nuk përgjigjet askush nga përgjegjësit e këtij 4-vjeçari, sepse në media askush nuk pyet, sepse në media vlon propaganda.

Tashmë ne nuk shohim njeriun e pushtetshëm që ka patur në dorë fatet e e vendit, por një viktimë të sabotazhit nga aleatët dhe reagimi i opozitës. Me një sjellje prej njeriu të thjeshtë, herë duke vendosur shamitë e nënokeve mbi krye e herë duke u argalisur me meme facebook-u, për publikun bëhet e vështirë të kuptojë se ku nis burri i shtetit e ku bitis adoleshenti që do të bëjë nga një numër në çdo program televiziv. Është e patolerueshme përpjekja për të na mësuar se si e çfarë të mendojmë, kur bilancet janë aty, të matshme, të dukshme dhe çështja nuk është nëse timonin dikush e urdhëronte më majtas a dikush më djathtas.

Sot nuk ka debat ideologjik, sot nuk ka bilanc, sot nuk diskutohet kush e shndërroi Shqipërinë në kryeqendrën e kanabisit, sot nuk merret kush me efikasitetin e koncensioneve në shëndetësi, me produktin e reformës arsimore, me korrupsionin dhe administratën e militantëve, sot nuk përgjigjet askush si u përdor paraja e secilit nga ne, për të rilindur qytetet, për të përcëlluar palmat autostradave. Sot, nuk përllogaritet sa investitorë të huaj i janë larguar këtij vendi, sa ka arritur kostoja e gjyqeve të humbura nëpër gjykata ndërkombëtare nga veprime arbitrare. Sot nuk analizohet pabarazia që ka marrë pamjen e betonit në rrokaqiej, sot nuk shpjegon askush, pse jemi më pak konkurrentë në rajon dhe ku ndodhet ekonomia.

Piloti që kërkon i vetëm të drejtojë makinën e një shteti, sot ende nuk na ka treguar se në ç’pikë të udhëtimit që nisi katër vjet më parë e la këtë vend, e se si ka ndërmend të shkojë më tutje pa karburant, me motorin e lodhur, freksionin të dalë funksioni dhe frena që gjithnjë i ngatërron me gazin. Është njëlloj sikur të na thoshte: “Nëse nuk ju pëlqen mënyra si i jap makinës, atëherë zbrisni ju nga trotuari”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: