Mateus Frroku: Ndihem i plotësuar në çift, ndaj funksionoj më pozitivisht në muzikë

Mateus Frroku: Ndihem i plotësuar në çift, ndaj funksionoj më pozitivisht në muzikë
Mateus Frroku, djali gjysmë shkodran e gjysmë korçar, është ende mjaft i ri, por ka mbi 13 vjet në skenë. Përveç festivaleve dhe hite-ve të herëpashershme, Mateus me zërin e tij të fuqishëm, këndon live në shumë skena të Tiranës dhe jo vetëm. Një djalë në paqe me veten dhe muzikën, me një jetë të plotësuar shpirtërisht, - siç ai vetë na tregon, e cila e bën të jetë pozitiv ndaj shumë vështirësive në muzikë. Së shpejti, del në publik me një hit të ri, me të madhin Bujar Qamili. Një nderim ndaj rrënjëve të veta shkodrane, por dhe një përpjekje për të dalë me një këngë që të përqafohet nga të gjithë. Mateus vjen në këtë rrëfim me pjesë të jetës së tij që pak njihen, por edhe mbi shijet e pasionet në përditshmëri.

 

Intervistoi për Albanian free Press, Juela Meçani

 

Nuk hyn në këngëtarët autodidaktë. Ke studiuar për muzikë. Sa të ka ndihmuar kjo?

Unë kam studiuar për kitarë nga klasa e pestë, deri në vitin e katërt të shkollës së mesme. Më pas kam studiuar për aktrim në Akademinë e Arteve. Të gjitha këto kanë pasur si objektiv këngën, formimin tim muzikor, ndërsa aktrimi ka qenë për përshtatjen me skenën, paçka se më vonë zbulova një dashuri të re tek aktrimi i cili më plotëson në një pjesë të madhe të kohës. Besoj se tek unë, arsimimi ka pasur ndikim mjaft pozitiv.

Babai shkodran, nëna korçare, - jug e veri. Ti në muzikë, nga ke marrë më shumë?

Ngandonjëherë e kam ndjerë veten me fat që origjina ime, është edhe shkodrane edhe korçare. Fakti që jam lindur dhe rritur në Korçë, më ka bërë shumë mirë lidhur me repertorin tim apo kulturën muzikore. Të them të drejtën, në fillim, kam mësuar të këndoj serenata korçare, më vonë nisa të eksperimentoj edhe me këngën shkodrane që është disi më e vështirë, ka shumë punë teknike. Por e kam përvetësuar edhe këtë kulturë të këngës shkodrane dhe në performancat e mia live, mundohem ta kem edhe pjesën shkodrane edhe atë korçare. Repertori pasurohet dhe nata bëhet më e bukur!

Ke filluar të këndosh që i vogël. Si dhe kush e zbuloi prirjen tënde?

Kam qenë shumë i vogël dhe imë më ka qenë instruktore në shtëpinë e pionierit në Korçë. Ka pasur një grup baleti në ato vite. Mua më takonte që pasditet ti kaloja vetëm në shtëpi, por isha fëmijë tepër arrakat dhe shpëtimi i saj ishte të më merrte me vete në shtëpinë e pionierit dhe nuk e di pse, por, instinktivisht, zgjidhja gjithmonë klasën e kantos. Aty kanë filluar aktivizimet e mia të para në festivalet e fëmijëve. Deri kur u kuptua se unë kisha talent dhe pjesëmarrjet në festivale ishin të pashmangshme, rrodhën edhe çmimet më pas. Por ajo që më bëri të njohur, ishte pjesëmarrja në “Ethet e së premtes”, në moshën 15-vjeçare. Aty u rendita në vendin e tretë. Ishte një ngjarje plotësisht ndryshe dhe pati rëndësi për karrierën time të mëvonshme. Me pak fjalë, erdhi një tjetër jetë për mua e, sot e kësaj dite, vazhdoj në këtë rrugë. Nisi rastësisht, por sot është një profesion që më plotëson deri diku, por edhe shumë. Deri diku e kisha fjalën për pagesat jo dhe aq të mira kur na duhet të përballemi me jetën e përditshme. Jetojmë në Shqipëri.

Si ia ke dalë të jesh në skenë e tregun muzikor, nisur nga fakti se ke filluar shumë i ri?

Nuk kam pasur asnjë strategji për rrugëtimin tim në muzikë. Nuk jam njeri që bazohem shumë në plane. Kam disa piketa të qarta, pika referimi se ku dua të shkoj, por pa u bazuar në projekte. Gjithë këto vite që kam qenë aktiv në performanca live, ka sjellë të jem në skenë pa ndërprerje. E bëj këtë profesion me dëshirë dhe nuk e kam parë ndonjëherë si biznes ose të lidhur ngushtësisht me interesin. Sot e kam kuptuar se nuk bëj dot pa këngën, e kam të nevojshme. Kjo më ka bërë të jem pak e saktë e të ndihem mirë me atë që bëj. Po të kthej kokën pas, nuk e di, ndoshta do të kisha bërë më shumë, ndoshta asgjë. Por besoj që e gjitha ka ardhur si pasojë e dëshirës për muzikën dhe e faktit që më pëlqen ta kem kështu jetën time. Nuk do të kisha funksionuar dot ndryshe, jam i destinuar për t’u marrë me muzikë.

Verën që shkoi, me hit mbi të rinjtë në rrjetet sociale. Po këtë verë, çfarë na pret nga ti?

Eksperienca e vjetshme verore, me këngën “Më ka bo like” ishte një eksperiencë ndryshe, sepse solla një stil të ri nga të gjitha materialet e mëparshme. Ishte një provë me veten dhe me Klejdi Bahitin me të cilin punuam. Ishte e sikletshme, por edhe e bukur. Nuk kisha kënduar asnjëherë përpara publikut, këtë lloj zhanri. Besoj se pati ndikim pozitiv, jo plotësisht siç e prisja, për hir të së vërtetës!

Por, këtë vit, kam një mega surprizë të bukur. Po t’i kthehem pyetjes tuaj mbi këngën shkodrane, këtë vit do të nxjerrë në tregun muzikor, një bashkëpunim me të madhin Bujar Qamili. Kënga është gati, kripi po ashtu. Duhen edhe pak ditë për montazhin dhe besoj se do të jetë një surprizë e bukur për të gjithë ata që më kanë ndjekur, deri tani. Do të jetë një këngë që do të mirëpritet! Rrallë herë më ndodh ta kem këtë bindje, këtë radhë e ndjej! Mendoj se do jetë këngë gjithëpërfshirëse e si pasojë e kësaj kënge, do të jem prezent në shumë net live. Kjo më gëzon shumë! Kam energji pozitive mbi këtë projekt. Kur kam energjinë pozitive, e ndiej se gjërat do të më shkojnë mirë. Gjithmonë jam udhëhequr nga energjitë, në jetën time.

Netëve të Tiranës këndon live prej vitesh. Sa rëndësi ka të kënduarit live?

Ashtu siç është stërvitje për sportistët profesionistë, ashtu është performanca live për mua. Po të mos kem performancat live, nuk kam adrenalinën e duhur, ndihem bosh dhe nuk do të funksionoja mirë pa to. Është kthyer tashmë në nevojë.

Këngëtarët meshkuj e kanë më të vështirë se ato femra në muzikë?

Nuk kam një ide të qartë mbi dallimin mes këngëtarëve meshkuj apo femra; por, më beso, për gjithkënd është e vështirë. Jemi në Shqipëri, në një vend që ende nuk është i qartë në atë që do dhe në drejtimin e saktë të shijeve. Jemi të rrëmujshëm me shijet. Kushdo ka vështirësi të gjejë atë mesin e artë që të jetë edhe në shijet e veta edhe në ato të publikut. Duhet të qëllosh në shenjë. Por gjërat kanë treguar se vajzat e kanë më të thjeshtë. Kam dyshime mbi arsyet, por në sytë e publikut shqiptar, një femër është më e pranueshme. E rëndësishme është që një zë i bukur dhe profesionit, është përkrahur dhe mbështetur nga publiku.

Ty vetë, çfarë muzike të pëlqen? Çfarë dëgjon në makinë?

Nuk jam njësoj nga shijet. Varet nga humori dhe ndjesitë. Në makinë dëgjoj muzikë pop ose pop-rrok. Dëgjoj edhe popullore ndonjëherë. Performanca live p.sh., ndodh që kur jam në rrugë të gjatë, të bëj një playlist që ma bëjnë udhëtimin e bukur, por jo me shumë shpejtësi. Më pëlqejnë këngët që e kanë ritmin të përshtatshëm me një ecje normale e që ma bëjnë rrugën e bukur. Kryesisht, dëgjoj shqip. Te muzika e huaj kam preferenca të caktuara, p.sh., dëgjoj së fundmi grupin “Nickel Back”, i shkon përshtat udhëtimeve të mia.

Sa ndikon dashuria në frymëzimin tënd?

Dashuria ndikon, madje, kur kam ndonjë krizë në çift, ndjej që bëj muzikë më të mirë, kam krijimtari më të mirë. Nuk e di pse më ndodh kështu. Dashuria është një fjalë që jo gjithkush e kupton çfarë është. Është ndjesi kam përshtypjen dhe ndjesitë nuk janë njësoj asnjëherë. Por të them të vërtetën, përtej shakave, kam kuptuar që njeriu në çift, kur ndihet mirë, i plotësuar, në paqe, kur nuk ka ngarkesën negative të një raporti, funksionon më pozitivisht dhe është më i hapur drejt gjërave të bukura dhe cilësore. Mua kështu më ndodh. Më pëlqen kjo gjë dhe e stimuloj paqen në çift, nuk më pëlqejnë tensionet apo konfliktet.

Si ndihesh në mes tregut muzikor shqiptar? Ka vështirësi?

Nuk jam përfshirë asnjëherë fuqishëm, në tregon shqiptar. Kam qenë pak e saktë me zgjedhjen time. Kam kuptuar që është e vështirë. Kam kuptuar që në biznes, deri diku, nuk funksionoj shumë mirë e kjo gjë më ka dëmtuar. Jo çdo artist është një biznesmen. Lum kush e ka! Artisti ka ndjesi të forta që, jo detyrimisht, duhet të jenë biznes. Unë nuk e kam. Kjo më ka bërë të rend më tepër drejt gjërave artistike, se sa të jem një emër komercial i shitshëm.

 

Ku do të jesh me muzikën këtë verë? Po me pushime?

Pushime të vërteta për mua, nuk ka. Këto ditë po pushoj pak për të marrë energji, por gjatë verës do të jem në lëvizje në qytete të ndryshme e do të bëj mjaft kilometra. Pushimet e vërteta do të jenë pas mesit të shtatorit, kur do të mund të merrem me veten. Kjo tashmë është bërë e zakonshme, vera për mua nuk është pushim, por një sezon i ngarkuar.

Pranohet lehtë nga një partnere që partnerin e ka këngëtar e, shpesh, në jetë nate?

Partnerja ime, Lori, nuk më ka penguar asnjëherë. Ky ka qenë një ndër çelësat e suksesit të lidhjes. Ka depërtuar shumë mirë tek unë e, sot, e kam një njeri shumë të rëndësishëm në jetën time. Ajo më ka mbështetur gjithmonë e këtë unë e kam vlerësuar shumë. Për të mendoj se është e vështirë. Nuk di sa unë vetë do ta kuptoja këtë, nëse partnerja ime do të bënte këtë profesion. E di që nuk është e lehtë, bëhet stresante, shtrënguese. Fatmirësisht, kam gjetur gjithmonë mirëkuptimin e saj. Kjo është një ndër arsyet që në fillimet tona, ka ndikuar që unë ta dua. Madje, gjej këtë moment ta falënderoj! E di që është e vështirë për të, por mbështetja e saj, ka shumë rëndësi për mua!

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: