META-RAMA, PA QETËSI DHE PA DASHURI-NGA ROLAND QAFOKU

META-RAMA, PA QETËSI DHE PA DASHURI-NGA ROLAND QAFOKU
NGA ROLAND QAFOKU

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Në një ditë tetori të vitit 2000, në një sallë të Pallatit të Kongreseve, organizohej ceremonia e marrjes së detyrës të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Njeriu që drejtonte këtë ceremoni, ishte kryeministri Ilir Meta i cili, në fjalën e tij, renditi dhjetëra cilësi të mira të kryebashkiakut të mirë të sapozgjedhur, dhe, në fund, i vendosi krahaqafë kordonin simbol të qytetarit të parë të Tiranës.

Që nga ajo ditë, Ilir Meta dhe Edi Rama u quajtën binom politik socialist. Të dy të rinj, kryeministri Meta - 31 vjeç dhe Edi Rama - 36 vjeç. Të dy startonin një karrierë, duke e arritur paralelisht në majë, i pari kryeministër dhe i dyti kryetar i bashkisë së Tiranës. Të dy sfidonin kryetarin e vjetër të PS-së, Fatos Nano, dhe të dy kishin vizion, krejt tjetër, në politikë bërje.

Por sot, 17 vjet nga ajo kohë, mes Ilir Metës dhe Edi Ramës, ka pasur ulje e ngritje sa asnjë binom tjetër politik në vend. Mes tyre ka patur dashuri dhe urrejtje, miqësi dhe armiqësi, akuza dhe kundër akuza. Tashmë, mund të themi se historia e marrëdhënieve të tyre, është pjesë simbolike e marrëdhënieve të vetë politikanëve me njëri-tjetrin. Ajo, tashmë, ia kalon, jo vetëm në kohështrirje, edhe marrëdhënieve të Fatos Nanos dhe Sali Berishës që, për 15 vjet, u cilësuan çifti politik i cili, falë konfliktualitetit të vazhdueshëm, mbanin në alert dhe tension Shqipërinë.

Dashuria politike mes tyre, arriti kulmin kur kryebashkiaku nisi aksionin e madh për pastrimin e parkut Rinia në Tiranë. Por për të shkatërruar rreth 100 lokale me hekurbeton, shpëtimtari i Ramës ishte Ilir Meta i cili e mbështeti jo vetëm me fjalë, por me logjistikën e mjeteve, madje edhe të propagandës. Në librin “Kurban”, përpos vanitozitetit personal, Edi Rama e ka pranuar edhe vetë se, ai superaksion nuk mund të realizohej pa mbështetjen e Ilir Metës. Shumë banorë të Tiranës sot, thonë se ai ishte aksioni dhe suksesi i madh i Ramës, por harrojnë të thonë se pa kryeministrin Meta, Edi Rama nuk kishte asnjë shans ta realizonte atë.

Dashuria e parë u shua vetëm dy vjet më pas, kur Fatos Nano nisi aksionin e tij politik të quajtur “catharsis” i cili drejtohej kundër Ilir Metës. Teksa kryeministri Meta u ndodh në situatë të vështirë, kryebashkiaku Rama nuk ia ktheu me të njëjtën monedhë “ndihmën” mikut të tij. Meta dha dorëheqjen nga kryeministër dhe lufta politike brenda PS-së ishte e tillë që çarja e madhe pritej të ndodhte.

Ilir Meta duhet të ketë ndjerë zhgënjimin më të madh ndaj Ramës kur, nga njëra anë, i thoshte se e mbështeste dhe se nuk e duronte Fatos Nanon, por, nga ana tjetër, vizita e tij në një spital të Athinës, - ku Nano ishte shtruar pas një aksidenti, - ishte thika e parë pas shpine, që Meta mori nga Rama.

Historia vijoi me themelimin e LSI-së në vitin 2004. Projekti i Edi Ramës për të drejtuar PS-në, duhet të ketë qenë i hershëm. Por sido dhe çfarëdo të ndodhte, pengesa e parë e madhe e tij, ishte vetëm një, Ilir Meta, - i vetmi që cilësohej si pasardhës i Fatos Nanos në krye të kësaj partie. U duk sikur marrëdhëniet mes Metës dhe Ramës këtu, u ndanë një herë e përgjithmonë. Por largimi i Fatos Nanos nga politika në gusht 2005, krijoi një situatë të re politike. Situata e re solli lidership të ri. Në vjeshtën e këtij viti, Edi Rama ishte kryetar i PS-së dhe Ilir Meta, kryetar i LSI-së.

Këtu marrëdhënia mes të dyve, nis e merr formë në skalione, duke qenë në krye të partive plot interesa, kalkulime, por edhe plot dashuri, dhe plot urrejtje njëkohësisht.

Aksioni i parë i madh i tyre së bashku, ishin zgjedhjet lokale të vitit 2007. Të dy liderët e rinj, dolën bashkë në fushatë në Tiranë dhe rrethe. Të gjithë sot e kujtojmë atë supermbështetje që Meta i dha Ramës, e cila nisi me shtyrjen e zgjedhjeve e deri te votat që mori për një mandat të tretë si kryebashkiak.

Por, pasi u zgjodh në krye të bashkisë, Ilir Meta mori pas shpine një thikë edhe më të madhe prej Ramës. Brenda natës së 21 prillit 2008, kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha, ndryshuan kushtetutën. Me një ligj të ri elektoral, synuan një gjë të keqe që, sipas tyre, i afronte shumë, - zhdukjen e LSI-së.

Ky ishte një zhgënjim tejet i rëndë i Metës dhe kundërveprimi i tij, ishte ekstrem, - jo vetëm me përplasjen fizike në sallën e kuvendit dhe grevën e famshme të urisë, po në sallën e kuvendit, - por edhe me thënien po aq të famshme të dalë nga goja e Metës: Edi Rama është makiavelisti më i madh që kam njohur. Ku njeri konverton një pallat-një votë.

Dhe inati i Metës arriti kulmin pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 kur, duke bërë koalicion me Berishën dhe duke u futur në qeveri me të, i dha Ramës grushtin më të rëndë politik. Edhe sot e kësaj dite, Meta dhe bashkëpunëtorët e tij thonë se atë koalicion e bënë që vendi të mos shkonte në zgjedhje të njëpasnjëshme, falë rezultatit të ngushtë, dhe këtë e bënë për të mirën e vendit. Mundet të jetë edhe kështu. Por ama që kishte një kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë ndaj pazarit që Rama kishte bërë me Berishën, këtë nuk mund ta kundërshtojë kush.

Tashmë, lufta me Metës dhe Ramës, PS dhe LSI-së, ishte shtruar si në një betejë lufte. Erdhi një moment që PS-ja më shumë sulmonte LSI-në se sa PD-në. Edi Rama më shumë sulmonte Ilir Metën, se sa Sali Berishën. Edhe sot, ne i kemi të freskëta pamjet dhe deklaratat e politikanëve të PS-së që, nga mëngjesi deri në darkë, përdornin frazën “blloku i Metës”, duke arritur një kulm të ri në organizimin e demonstratave të janarit 2011, posaçërisht ndaj Ilir Metës. Demonstrata që përfunduan më 21 janar, me vrasjen nga garda të 4 protestuesve, ndërsa për dhunën e protestuesve ndaj policisë, Meta përdori togfjalëshin “protestues kokëpalarë”. Ky është momenti që edhe optimisti më i madh, duhet të ketë parashikuar që kjo urrejtje, kjo armiqësi, kurrë nuk mund të kthehej një ditë të bukur në dashuri. Rama dhe Meta ndodheshin larg njëri-tjetrit dhe PS-ja me LSI-në, ndodhej po aq larg gjithashtu. Por të gjithë gabuan. Me ndërmjetës të talentuar për kësi punësh, një drekë në shtëpinë e Metës me Edi Ramën në Gjirin e Lalëzit, në mars të vitit 2013, përmbysi gjithçka. Meta dhe Rama u pajtuan dhe koalicioni mes Metës e Berishës ,u shpall i prishur disa ditë më vonë. Më 1 prill 2013, Shqipëria kishte në plan të parë binomin e ri politik, Meta-Rama, dhe të dy prisnin të garonin në zgjedhjet parlamentare, kundër Berishës. Për të inauguruar koalicionin e ri të integrimit, Meta dhe Rama zgjodhën Shkodrën, ndërsa marrëveshja me dhjetëra pika e nënshkruar mes tyre, mund të cilësohet si më e madhja, më e gjera, më afatgjata që ka ekzistuar ndonjëherë mes dy partive shqiptare të cilat bëjnë një koalicion politik. Por të gjithë edhe këtu, gabuan.

Katër vitet e koalicionit të parë në pushtet, nga brenda dhe jashtë, ka parë ulje e ngritje. Për hir të vërtetës, LSI-ja e ka mbështetur PS-në dhe Ramën, në shumë reforma. Madje, mbështetja është bërë me vota në parlament edhe kur projektligjet janë kundërshtuar hapur. Ankesat për Edi Ramën te Ilir Meta, po shpeshtoheshin, por në asnjë rast Meta nuk nxiti konflikt. Ai u bë pengesë e çdo LSI-sti për t’u përplasur publikisht ndaj kryeministrit Rama, teksa një ditë të bukur artikuloi dhe shprehjen “me qetësi dhe dashuri”. Shumë LSI-stë mund të kenë rrudhur buzët, kur merrnin këtë përgjigje nga kryetari i tyre, teksa i ankoheshin për arrogancën e Ramës, për skandalet e qeverisë, për skandalet e ministrave dhe për shumë e shumë skandale drejtorësh e drejtuesish socialistë. Për katër vjet, slogani “me qetësi dhe dashuri” mund të jetë përdorur më shumë se çdo slogan tjetër. Por kjo vazhdoi deri më 18 maj kur Edi Rama dhe Lulzim Basha, për pesë orë, hartuan dhe firmosën një marrëveshje me të cilën Edi Rama, për herë të dytë, synon shkatërrimin dhe deri zhdukjen politike të LSI-së. Përgjatë 90 ditëve në çadër të PD-së, Meta ka qenë një nga më aktivët për zgjidhjen e krizës. Së fundi, ai zbuloi edhe takimet sekrete me Lulzim Bashën për t’i dhënë zgjidhje kësaj krize. Siç thotë edhe vetë, sakrifikoi deri në marrjen përsipër të ishte ai president i Republikës. Por edhe kjo pati zhgënjimin e vet. Sot, duket hapur dhe qartë, ashtu si dikur PS dhe PD, janë bërë bashkë kundër LSI-së dhe Meta duhet të ketë kujtuar gjithë këtë histori, mes vetes dhe Edi Ramës. Një histori dashuri dhe urrejtje e cila, në këto kohë, është plot urrejtje. Me fjalë të tjera, është pa dashuri dhe pa urrejtje. Pas zgjedhjeve të 25 qershorit, ndoshta, historia mund të përsëritet dhe Meta mund t’ia kthejë reston Edi Ramës. Siç ia ka kthyer gjithmonë, sa herë është ndjerë i zhgënjyer prej tij!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: