Në këpucët e tjetrit!

Në këpucët e tjetrit!
nga Juela Meçani

“Përpara se të gjykosh një njeri, ec tre hëna në këpucët e tij”, - thotë një proverb indiane. Më 4 shtator, do të inaugurohet në Londër, “Empathy Museum”, i pari muze në botë mbi të ndjerit e situatës së dikujt. Dhe në mënyrën siç thotë proverbi indian, realisht, vizitorët do të mbathin këpucët që ka “jetuar” një minator, një fshatar, një prostitutë, një mësuese, një artist përgjatë lumit të Tamizit. Në vesh kufjet ku do të dëgjohet historia e tyre e vërtetë.

Kur e mësova këtë ide origjinale, mendova, menjëherë, se ajo përmbledh shumë filozofi jete brenda, përmban një gjenialitet të heshtur, një bukuri artistike, por që edukon, një përpjekje për paqe midis njerëzve, teksa mundohen të jenë të vetëdijshëm se sa pozitive do të ishte të kuptonim se duhet të ecnim shumë, përkrah dikujt që ta gjykojmë e më pas ta njohim.

Ne jemi të gjithë të ndryshëm, por edhe të gjithë një tërësi. Askush nga ne nuk ka imunitet nga e mira apo e keqja, e ndeshim përditë. Jetojmë vetëm, por asnjëherë vetëm. Eksperiencat ngjajnë e përsëriten më mënyrë kronologjike, në shekuj e është shumë e habitshme pas aq përsëritjesh, të ketë ende një paragjykim mbi çdo sjellje apo dukuri që nuk na përket, por është edhe njerëzore.

“Po të isha në vendin tënd...”- një frazë e gatshme, e paketuar, që na argëton teksa me bindje tentojmë të udhëheqim drejt arsyes (tonës), dikë që ka plotësisht një rrjedhë tjetër jete. Këmbët, pra udhëtimi ynë, këto gjëra i dinë më mirë, këmbët njohin lodhjen, dobësimin e sistemit nervor. Këmbët njohin edhe jetët tona, vuajtjen e trupit dhe plogështinë e shpirtit.

Kushdo që ka ideuar këtë muze, ka pasur me siguri qëllimin për të ndërgjegjësuar këdo që e sheh, se nuk mund të vësh gishtin mbi askënd, nuk mund të gjykosh jetën dhe personalitetin e një personi, nëse nuk ke ecur me këpucët e tij, nuk ke kaluar përvojat e tij, të kesh ngjitur malet e peripecive të dikujt apo shkretëtirën përgjatë viteve.

Paul Sartre thoshte se “çdo fjalë ka një pasojë, heshtja gjithashtu”, ndaj përpara se të gjykojmë, më mirë të heshtim. Në emër të lirisë tonë, le të gjykojmë në heshtje! Idetë tona le t’i mbajmë, por pa i lëshuar në erë si të ishin margaritarë mençurie. Janë veçse kotësi paragjykimet, por janë kotësi që vrasin, fyejnë, që largojnë vëmendjen nga ajo çka është e vërtetë.

Të kritikosh të tjerët e ca më keq, të paragjykosh jetën apo veprimet e të tjerëve tek të tjerë apo nën emra pa fytyrë, përpara një ekrani kompjuteri, si një lepur frikacak, është vetëm një mënyrë për të liruar shpirtin nga sikletet e tua të ndërgjegjes, nga fantazmat e tua, nga frika e fshehur pas agresivitetit. Sepse dikush që paragjykon, vuan nga amnezia që e ndihmon. Por jeta nuk është bërë për t’u harruar, është bërë për t’u jetuar. Deri në skutat më sekrete. E ka shumë në qenien e komplikuar të një njeriu, që as këmbët e këpucët nuk e thonë.

Mirë është që “këpucët” e jetës së dikujt, t’i mbathim herë pas here, e të kujtojmë kush ishin, që ato që i ndodhin të tjerëve ndoshta i kemi kaluar, ose do i kalojmë edhe ne. E hipokrit me veten nuk do mund të jemi gjatë.

Unë kam frikë nga paragjykimet e mia, se si unë, mendoj, të gjithë kemi nga pak. I druhem si zjarrit moralistëve të shtirur të kohës tonë. Do të mundohem që të shëtis ndonjë ditë “me këpucët e të tjerëve”. Do të jetë fitore e pjekurisë time, uroj t’ia dal. Por uroj mos të më mundë kurrë paragjykimi i shëmtuar i të palumturve! Janë shumicë, hë për hë.

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: