NGA DASHURIA PËR GRUAN- NGA EDISON YPI

NGA DASHURIA PËR GRUAN- NGA EDISON YPI
Nga EDISON YPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

 Ikën rrugëve të Shqipërisë, nëpër gryka malesh, nëpër lugina lumenjsh. Larg, shumë larg, mbi ca pllaja sheh ca katunde. Thua me vete i çuditur; Ende nuk kanë ikur në kurbet ata atje? Ende nuk e kanë zbrazur katundin? Kush jeton vallë te ato shtëpi që duken si pika të bardha të dala nga një spry gjigand? Ikën edhe pak. Shikon më mirë ç’bëhet atje larg; Shtëpi dhe vila të reja të mëdhaja! Çfarë ndodh në ato katunde, nuk është e vështirë të merret me mend. Si në çdo katund tjetër; Ai dhe Ajo punojnë arën në muzg. Të dy me shata në krahë venë të prashitin. Të dy me kosa në sup dhe pak të skuqur në fytyrë duke ardhur nga korrja e jonxhës ku ndoshta kanë bërë dhe dashuri, se që janë prekur e ledhatuar është e sigurtë. Çupat e katundeve ndjekin modën me kurriz e kërthiza përjashta dhe bëjnë dashuri me dijeninë dhe konsensusin e heshtur të prindërve. Këto episode edilike që mund ti vërejë çdo udhëtar përgjatë peisazhit tonë rural, nuk janë të vetmet dëshmi se shqiptarët e sotëm e kanë gjetur një ekuilibër dhe në mënyrën e tyre jetën e shijojnë edhe në katundet e thellë. Por ka më tepër. Ka shumë më tepër. Vilat e reja, nga ato anës rrugëve nacionale deri sa të ha syri në katundet më të largëta, tashmë janë më se të zakonshme. Vertikale, të larta, jo rrallë me koka të rrumbullakuara, dy kolonat e portës nuk të lenë të dyshosh që pronari ndërtues i vilës ka dashur dhe ja ka arritur që përmes tyre të pavdekësojë fuqinë e tij mashkullore. Vendosja sipër portave e statuetave prej allçini të kuajve me krahë, perëndive greke, shqiponja krahëhapur në fluturim, gjarpërinj të përdredhur, dreqër e lugetër që nxjerrin zjarr nga goja, s'do ment që janë shenjat për të mbajtur larg syrin e keq të ëndërrave të liga pas ditëve të lodhëshme të punës. Ballkonet e harkuara të katit të tretë, me ose pa ndërgjegjen e pronarit, ravijëzojnë dukshëm gjinjtë e gruas. Balli i vilës sheh kah perëndimi, kah lindja, kah rruga, në varësi të relievit për më tepër dritë, më tepër hapësirë, më tepër pamje, kryesisht për Gruan, pra për Dashurinë. Mbjelljen në oborr të një mani, një dardhe, dy rrënjëve mollë, katër qershive, sekretin e renditjes së bollëkut frutor në këtë ose tjetrën renditje, sa herë i pyes, tundin kokën të përhumbur, u meken fjalët, u turbullohen sytë, atë të fshehtë nuk ua kam zbuluar dot, dhe zor se do ta zbuloj ndonjëherë, por janë të gjitha shenjat se edhe kjo ka lidhje me vlimin e ndjenjave, ujle-ngritjet, variacionet e Dashurisë. Lartësia e kangjellave rrethuese me shufra hekuri të rrahur, madhësia dhe rraca e qenit roje, pozicioni i kalibes, duhet të jesh budalla të mos e kuptosh se kanë lidhje me xhelozinë, syçelësinë për masën dhe cilësinë kritike të dashurisë. Vila e parë nga afër me të tëra hollësitë ndryshe nga të gjithë vilat e tjera. Vila e parë nga larg si siluetë, si kështjellë, me mbret dhe mbretëreshë. Vila me princër të paduruar për tu nisur në luftë ku do korrin fitore, ose në duele ku do fitojnë mbretëreshën e ardhshme. Vila me princesha që presin princër të kaltër në dritare. A mund të mos lidhen gjithë këto vila me dashurinë? Ngjyrat e vilës? Ah ngjyrat e vilës shqiptari nuk ja beson asnjë mjeshtri, asnjë arkitekti, asnjë piktori. Ngjyrat e vilës shqiptari ja rrëmben ylberit. Kurrë normale ngjyrat e mureve të vilës së shqiptarit. Vetëm të ndezura. Kudo të çmendura. Numuri, pozicioni reciprok, forma e dritareve. Gjeometria e çatisë. Madhësia dhe forma e papafingos. Ornamentet e tavaneve. Zbukurimet e oxhakëve. Forma, materiali, lartësia e parmakëve të shkallëve. Në këto dhe të tjera, brenda vilës shqiptare nuk ka asgjë analoge, asgjë lineare, gjithçka alternative, gjithçka unikale, gjithçka me nënkuptim, gjithçka me kod. Me atë lloj kodi, që unicitetin të mos e kuptosh këtu e ta harrosh atje, por ta kuptosh e ndjesh pakngapak dhe të mos e harrosh kurrë. Mesazhet e enkryptuara të vilës së shqiptarit nuk duhet dhe nuk mundet ti deshifrojë çdokush. Vetëm ata që e meritojnë; Të ndjeshmit si fije bari, të dashuruarit marrëzisht. Pse vallë i bëjnë kaq të mëdhaja dhe kaq të bukura vilat shqiptarët? Përgjigja është një dhe vetëm një; Nga mahnitja me Femrën, nga dashuria për Gruan. Mjerë kush kush nuk e ndjen. Fatkeq kush nuk e kupton. Sa më i largët e i thellë katundi, aq më e madhe vila, aq më e marrosur dashuria. Ai që e ka bërë vilën, e do gruan, dhe gruaja atë e do. Vilat e shqiptarëve të sotëm janë të gjitha tempuj dashurie. Jo për ata që nëpër Shqipëri shohin vetëm gurë e drurë, pyje e shkëmbinj. Vetëm për fatlumët që brenda vilës ndjehen si brenda tempullit, brenda natyrës si brenda femrës.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: