NJË GARË ME TRE LOJTARË-NGA PLATOR NESTURI

NJË GARË ME TRE LOJTARË-NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Askush nuk e do LSI. Ndoshta vetëm Shpëtim Idrizi, me të cilin u bë marrëveshje për të mbrojtur votat bashkërisht me numëruesin përgjysmë që u caktoi KQZ. Në këto dhjetë ditë të fushatës elektorale akuzat kanë qenë të njëjta nga të dy kahet. Si nga PD edhe nga PS me të cilët ish-bashkëqeverisës në katër vitet e fundit. Shpërdorues të pushtetit të të mëdhenjve dhe rritje të pandershme elektorale duke shfrytëzuar qenien në pushtet.

Në fakt çfarë po ndodh së fundmi në këtë fushatë dhe në strategjitë elektorale është një risi që nuk është hasur më parë. Gjatë 27 vjetëve të pluralizmit beteja kryesore për votën ka qenë e përqendruar midis dy partive të mëdha. PS dhe PD kanë qenë demat që kanë përplasur brirët mes tyre për çdo palë zgjedhje, qoftë parlamentare apo vendore, dhe fitorja apo humbja, dihej se do të ndiqeshin nga revanshi për pikëbetejën e radhës. Partitë e tjera më të vogla pjesëmarrëse janë kënaqur veç me targetin e tyre të votuesve të interesave specifikë, implementimi i  të cilave do të ndërvarej vetëm nga pranimi në një aleancë qeverisëse me një nga të mëdhenjtë e politikës.

Tashmë në këtë fushatë duket se kemi tjetër skemë. Brirët e të mëdhenjve duket se janë drejtuar jo aq kërcënueshëm ndaj njëri tjetrit. Vringëllimat e dikurshme dhe akuzat për burg prej shpërdorimeve dhe korrupsionit, që i kemi hasur në çdo fushatë, janë zëvendësuar me humor e sarkazëm, me batuta të tipit "lëre se aq di, pa ne kemi punën tonë të mbushim hambarin e votave". Mungon ajo grinta dhe agresiviteti me të cilin jemi mësuar në çdo palë zgjedhje. Ndonëse kjo çështja e uljes së agresivitetit është e mirëpritur nga qytetarët..

Shigjetat e drejtuara ndaj LSI duket se janë për të tretin e bezdisshëm. Do të ishin më rehat, qoftë edhe duke përplasur fort brirët, të mbeteshin sfidantët e përhershëm në një arenë ku ka dy protagonistë dhe të tjerët mbeten spektatorë. Sidoqoftë diçka e kanë bërë gabim. Përtej debatit që ka ngjallur nëse e ka merituar LSI këtë sulm apo nëse ky koordinim vërteton se PS dhe PD kanë një pakt që shkon përtej zgjedhjeve të 25 qershorit drejt një koalicioni të madh, kjo dëshmon dhe paqartësi në shifrat e mandateve që do të arrijnë pas votimeve.

Gabim nga ngutja apo nga pasiguria në rezultat, kjo është çështje që duhet ta vlerësojnë stafet elektorale, por duket fakt se sulmet e kryera njëkohësisht si nga PS dhe nga PD, i kanë bërë një nder të pallogaritur LSI në fushatë, pasi e kanë evidentuar dhe fokusuar më shumë. Në çdo rast, kur debati mbahet i ndezur midis dy palëve tradicionale kundërshtare, LSI do të ndihej keq në rastin e një shpërfilljeje kur dhe objektivat e saj elektorale janë për një rezultat më të lartë se ato të zgjedhjeve të 2013. Sulmi ndaj saj në kohë fushate është thjesht një bonus. Futja si lajm i parë dhe mbajtja si temë kryesore në debatet televizive është fokusim që ne fund të fundit mund të sjellë më shumë vota. Dhe drejtuesve të LSI nuk u mbetet tjetër veç të mbajnë të gjallë dhe të ndezur këtë debat.

Gabimin për këtë nder të pallogaritur në kohë zgjedhjesh, duket se e ka kuptuar së pari kryeministri Rama. Menjëherë pas daljes së Ilir Metës në konferencë për shtyp ku atakoi si Ramën dhe Bashën, kreu i PS dërgoi një sms për deputetët e tij. “Të mos ketë më lajm me LSI”, - thekson Rama në orientimin e tij për objektivat e fushatës. A vjen kjo si reflektim për një nxitim apo të çon në arsye të tjera paszgjedhore? Herët të flasim. Sidoqoftë dëmi është bërë dhe të paktën kësaj radhe kemi një garë me tre lojtarë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: