NJË MILION “SHUPLAKAT” U PËRSËRITËN, POR NGA DUAR TË NDRYSHME- NGA EDUARD ZALOSHNJA

NJË MILION “SHUPLAKAT” U PËRSËRITËN, POR NGA DUAR TË NDRYSHME- NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga EDUARD ZALOSHNJA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

 Pasi koalicioni Rama-Meta fitoi zgjedhjet e 2013-ës me 1 milion vota për të, Edi Rama futi në qarkullim metaforën “1 milion shuplakat ndaj qeverisjes së PD-së”. Dhe kjo metaforë u bë një refren që ai e përsëriste pothuaj në çdo seancë parlamentare në vitet në vazhdim.

Vetëm një muaj para zgjedhjeve të së dielës që shkoi, koalicioni i “1 milion shuplakave” u nda, dhe tri parti të atij koalicioni prej 34 partish arriti të siguronte mandate për Kuvendin e ri – PS, LSI dhe PSD.

Por a e arritën ato kuotën e 1 milion votave në këto zgjedhje, pavarësisht se garuan më vete në to?

Pavarsisht se KQZ-ja nuk e ka shpallur ende rezultatin zyrtar të zgjedhjeve të së dielës, nga rezultatet paraprake mësojmë se PS-ja ka marrë rreth 780 mijë vota në rang kombëtar, LSI-ja ka marrë rreth 225 mijë vota dhe PSD-ja ka marrë rreth 10 mijë vota (paritë e tjera të vogla të ish koalicionit të “1 milion shuplakave” kanë marrë rreth 5 mijë vota).

Në qoftë se i mbledhim aritmetikisht këto vota (pavarësisht se partitë e majta garuan më vete), mbërrijmë në shifrën e rreth 1 milion e 20 mijë vota. Pra, “1 milion shuplakat” u përsëritën, por jo nga një dorë e bashkuar, por nga disa duar të ndara...

Dhe natyrshëm lind pyetja: “Përse PD-ja dhe partitë që garuan nën siglën e saj të dielën morën 10 mandate më pak se sa para katër vjetësh, përderisa partitë përballë tyre thjesht përsëritën numrin e votave të shkuara të zgjedhjeve parlamentare? (Jashtë kësaj pyetje po lë PDIU-në, si parti që është pozicionuar në mes të krahut të majtë e të djathtë të politikës shqiptare).

Përgjigjia është e thjeshtë – ra në mënyrë dramatike pjesëmarrja e votuesve të djathtë,ndërkohë që disa mijëra syresh votuan për parti jashtë sinorit të djathtë. Kështu, nga 660 mijë zgjedhës që kishin votuar para katër vjetësh për PD-në dhe partitë që garuan të djelën nën siglën e saj, vetëm 470 mijë votuan për të pardje (shihni grafikun).

Thënë ndryshe, për çdo 10 votues të PD+etj të vitit 2013, vetëm 7 votuan për të pardje. Dhe kjo është një rënie me plot gojë dramatike. Arsyeja e kësaj rënie mund të jenë të shumta, por ato do të donin një analizë të gjatë, që duhet bërë me kalimin e ditëve si nga PD-ja, edhe nga analistët politikë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: