NOCIONI KOMPLEKS I LUMTURISË - NGA MERI DISHNICA

NOCIONI KOMPLEKS I LUMTURISË - NGA MERI DISHNICA
NGA MERI DISHNICA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Njerëzit kanë prirje të ndërlikojnë nocionin e lumturisë, të mendojnë se rruga drejt saj, kalon vetëm nga fustani i shtrenjtë i koleksionit të fundit. Apo nga shtëpia e madhe në kodër, me mobilje klasike të trashëguara nga gjyshi, apo nga verërat e shtrenjta nëpër festat private… Por, në të vërtet, lumturia është në mendjen tënde dhe në mënyrën se si e drejton atë. Duke filluar të jesh i lumtur së pari me gjërat që ndërkohë i ke, duke kultivuar artin e marrjes së kënaqësisë nga gjithçka (madje edhe aty ku një njeri i përkëdhelur do të binte në depresion më kot).

A mundemi të tejkalojmë veten dhe komplekset tona dhe të mund të jemi të lumtur me ato që kemi, me ato çfarë jemi… A mundemi të shohim përreth, pa ndjerë zili, të gëzohemi çiltërsisht, për sukseset e të tjerëve dhe të mund të buzëqeshim natyrshëm e me gjithë shpirt?! Jo, nuk mundemi! Të gjithë e dimë, pse... Jemi njerëz, shpeshherë mund jemi “të vegjël”.

Po, ne mund të jemi “idiot” që kërkojmë lumturinë në distancë, në të ardhmen që duam të kemi. Deri atëherë, ndalojmë së jetuari, shijuari, ndalojmë së qeni vetvetja, teksa bëhemi pjesë e planit tonë. Preferojmë të luajmë rolin (atë rol që ne e luajmë shumë mirë. Është ajo buzëqeshja e shtirur që shumë herë na nxjerr nga situatat).

Një tryezë, një karrige, një pjatë me fruta dhe një violinë, kaq duhet për të qenë i lumtur, thotë Albert Einstein. Ndoshta ka të drejtë, sekreti është të gjesh lumturinë në realitetin tënd, pse jo edhe në gjërat e vogla që të rrethojnë. Sendet mbeten sende, të vogla apo të mëdha, ndaj lumturia duhet kërkuar përtej tyre, sepse fundja gjërat më të rëndësishme në jetë, nuk janë gjëra (apo janë...)

Njerëzit janë po aq të lumtur aq sa e mbledhim mendjen të jenë, ndaj dhe përkufizimi i lumturisë është shumë i vështirë, sepse është aq personal sa një mendim i fshehtë... çfarë e bën një njeri të lumtur, nuk i bën domosdoshmërisht të tjerët të lumtur. Lumturia është relative, ajo që dikë e lumturon pa masë, dikë tjetër mund ta bëjë vetëm të buzëqesh (me pahir). Pra, varet nga pritshmëria që ka secili. Sikurse ka edhe shumë njerëz të palumtur, në mënyrën e tyre...

Lumturia mund të prishet jo vetëm nga katastrofat dhe gabimet fatale. Ajo zbehet, ditë pas dite, edhe nga thyerjet e vogla, një premtim i vogël i pambajtur, një harresë e vogël e përsëritur, një moskujdes i treguar, një vëmendje e vogël e munguar, - këto sjellin palumturin, pak nga pak, të ndalojnë hovin dhe të prishin humorin... Ndaj, kujdes me gjërat e vogla, ato janë “detaji që duhet” dhe meritojnë gjithë vëmendjen dhe kujdesin tonë. Ne e kemi mundësinë t’i bëjmë gjërat e vogla të marrin vlerë dhe të na përmirësojnë ditën.

Sa më takon mua, nuk e di; a do mundem të jem e lumtur gjatë gjithë ditës, edhe pse pastruesja e zyrës, sapo më derdhi kafen me qumësht në prehër, tek fustani mëndafsh ngjyrë bezhë, që e vishja për herë të parë? S’e di... të shohim...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: