PAK BLU DHE... KOMUNIZËM-NGA FRROK ÇUPI

PAK BLU DHE... KOMUNIZËM-NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

 Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Po më duket se mëkati që u krye ndaj simboleve të Partisë Demokratike, paska qenë “me vend”. Do të ishte dëshpëruar Besnik Trungu që, në funddhjetorin e vitit 1990, krijoi logon e PD-së dhe të RD-së, siç i njohim. Piktori, atëherë, përdori blunë e qiellit të pastër, pa asnjë njollë... Besniku ka kohë që jeton në Itali dhe nuk mund të kuptojë çfarë po bëjmë këtu me simbolin blu. Kësaj here, në fushatën zgjedhore hynë ca ngjyra të kuqe, thuajse bojë gjaku, dhe koncept tjetër simbolik... Demokratët shkuan në votime, por nuk mundën të gjejnë simbolin e tyre të njohur dhe u kthyen në shtëpi.

Kështu humbi kaq thellë PD-ja në zgjedhjet parlamentare, sipas disa kritikëve të ashpër, ndaj kryetarit të PD-së. Unë këtë e besoj, jo thjesht si besim ndaj logos, por si “kolonë kockore” të PD-së. Kolona ishte veçantia e saj qëkurse lindi si blu, si djathtiste antikomuniste. Kam thënë, publikisht, disa herë se PD-ja po e harron “origjinën” antikomuniste; por zgjedhjet e fundit dëshmuan se votuesit nuk po e gjejnë më ngjyrën e tyre.

Pak më tej, mbi përzierjen e komunizmit në këtë ngjyrë blu... Njerëzit do të thoshin se vetëm këtu, në Partinë (PD) antikomuniste, nuk ka më komunizëm. Sa jam gabuar, edhe unë vetë, me këtë paradigmë! Nganjëherë edhe më ka pëlqyer që kam qenë i gabuar... Por, ja ku jemi: PD-ja humbi thellë, - aq thellë sa, disa nga themeluesit dhe aktivistët e saj po thonë se “na vjen turp para kombit”.

Por paska edhe më tej vazhdimësi të shtrirjes së shenjave komuniste në blunë e PD-së...

Këta që flasin për shkaqet e humbjes, këta më duket se do ta kishin trembur Besnikun, - piktorin e logos, - dhe ai nuk do ta bënte blu kurrë.

Shiko çfarë thonë këta:

Njëri: “Përgjegjësia për humbjen është e të gjithëve bashkë”.

Nuk dua të them se në periudhën e diktaturës komuniste, kjo ishte shprehja e modës, kudo ku flitej për përgjegjësi. Pse bëhej kjo? Bëhej që të shpëtoje nga burgu, duke mos vënë gishtin mbi përgjegjësin. Bëhej për të dëshmuar nënshtrim ndaj përgjegjësit të vërtetë. Bëhej për ta mbuluar përgjegjësinë dhe për të shkuar në greminë symbyllur... Po çfarë ndodhte pas kësaj? Pas kësaj e keqja bëhej më e madhe. Pas kësaj, ai që thoshte se kemi përgjegjësi së bashku, kur të të kishte në dorë, të dënonte së bashku d.m.th., në grup e kolektivisht.

Një tjetër: “Kush mbeti i pakënaqur, ata nuk punuan mirë!”.

Jam çuditur shumë me këtë arsyetim të llahtarshëm, që më kthen në epokën të cilën e theu Partia Demokratike. Në atë epokë mosvlere ti, si person, nuk kishe asnjë vlerë; asnjë person nuk kishte vlerë veç e veç. Sistemi makabër i diktaturës që i bëri njerëzit numra, ishte antinatyrë. Ta lakmojmë prapë sot? Të mendojmë sot se në qoftë se ti më bën të pakënaqur, unë të kënaqem? Tmerr! Nëse partia ose vetë kryetari, ka bërë disa njerëz të pakënaqur dhe armiq, vallë, çfarë do të bëjnë këta? Të këndojnë e të kërcejnë pse kryetari i ka në zemër, edhe si armiq!? Në Parti nuk bëhen njerëzit të pakënaqur dhe armiq, se atëherë je ai që ishte diktatori. Ose nëse nuk je në gjendje që në parti t’i mbash të gjithë të kënaqur, atëherë je i paaftë si kryetar.

Një tjetër, i tretë: “Kush jeni ju të vjetrit, kaloi koha juaj...”.

Mes të vjetërve që janë zhdukur nga listat e PD-së, janë të gjithë mbi moshën 40 vjeç - sa ç’është mosha e kryetarit tashmë “të ngrirë”. Kriteri i moshës është kriter eliminimi i kundërshtarëve, siç mund të ishte kriteri kulak, katolik, i deklasuar, me origjinë bejlerësh, etj., që praktikoheshin atëherë. Vetë udhëheqësi kishte vendosur kritere seleksionuese, si të ishte vetë Zoti... Të vijmë te të vjetrit e tanishëm në PD. Në thesin e të vjetërve në PD, u futën njerëz me kontribute, sidomos themeluesit e PD-së. Në një koncept të lirë, ata që krijojnë një parti janë “pronarë” të saj, - siç ndodh me çdo biznes. Mirëpo, këta të rinjtë iu thonë krijuesve të biznesit: “Haj tani, dilni jashtë!”. Këta të shtetëzojnë. Fiks si në komunizëm. Mungesa e konceptit borgjez për politikën, i çon deri në ndryshimin e simboleve, pa pyetur njeri dhe pa vendim.

.... Po një tjetër? Një tjetër e një tjetër.... Ka plot nga këta. Do të dëgjoni këto ditë lufte në PD, se si do të manifestohet komunizmi, orë pas ore dhe ditë pas dite... Do të dëgjoni e nuk do të çuditeni.

Por them nganjëherë, më vjen në mendje filozofi Jostein Gaarder. Ai fliste me një fëmijë 11 vjeç dhe i tregonte për rilindjen. “Rilind njeriu!?” - pyeste fëmija. “Jo, njeriu”, - thoshte filozofi. Rilind kultura, arti antik...”. “Çfarë është kjo?”- pyeste fëmija prapë. “Çfarë është kjo?...”, - mërmëriti filozofi... “Kali lind, njeriu formohet”, i tha filozofi fëmijës.

Vërtet lindëm në komunizëm, po a nuk na mjaftoi koha të ndaheshim nga kali?

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: