PALLATI SHEMBET PËRBRENDA-NGA FRROK ÇUPI

PALLATI SHEMBET PËRBRENDA-NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

 Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Tani është e qartë: Ajo që nisi me pallatet e “paligjshme” në fillim të mandatit katërvjeçar të maxhorancës, po ndodh me vetë “pallatin” mazhorancë.  Dy aleatët e mëdhenj qeveritar, po shqyejnë njëri-tjetrin. Partia Socialiste ka kërkuar ndihmën edhe të opozitës dhe të popullit sovran, për të shembur LSI-në. Nga ana tjetër, LSI-ja po tregon mëkatet që ka parë në pallat, gjatë kohës që kanë qeverisur bashkë...

Shembja po ndodh nga brenda...

Kësaj here ka një ndryshim: Shembja përbrenda e pallatit të politikës, ka ndodhur pa xhenierë, pa arkitektë, pa fizibilitet. Ndërsa tritoli i pallateve të fillimmandatit, nisi me pronën e familjes së kryetarit të opozitës, u planifikua sa kilogramë tritol, sa hekur, sa beton dhe, në fund, sa para për shpërblime nga Thesari. Atëherë fitoi askush..

Po me shembjen nga brenda të “pallatit” politik, çfarë po ndodh?

1.

Pallati po shembet për shkak të dashurisë së palëve. Kjo nuk është hera e parë që ndodh. Dashuria ka shkatërruar kështjella, qysh nga “moskoha” e Rozafës dhe deri te koha e njohur si Mesjetë e Shekspirit. Në mendimin e kryeministrit u gdhend “Romeo dhe Xhuljeta” dhe e paraqiti në publik si një frazë politike. Në fakt, ajo frazë vinte nga thellë marrëdhënies në koalicion me LSI-në. Gjatë kohës u thurën legjenda mbi atë miqësi të pathyeshme, u thurën këngë për “peshkun” dhe për “ngjalën”, për “pazarin e peshkut” dhe për “verën e shtrenjtë”..., njësoj si në kështjellat mesjetare ku u luajtën tragjeditë e Shekspirit. Kur dikush aludonte se “kjo nuk ishte miqësi e vërtetë”, kështjellarët mbyllnin dyert dhe shtrëngonin rripat e mediave. U përpoqën që asgjë të mos dilte jashtë, asnjë konflikt... Pak nga pak, dashuria e pashoqe u kthye në një prikë për konflikt. Në kohën e fundit të mandatit, u vunë re të dy palët në istikame kush po e hedh i pari shigjetën. Kur erdhi fundi i dashurisë PS-LSI, në fakt, nuk erdhi në boshllëk, por në një lidhje të re të PS. PS u lidh me PD. PD kishte pritur lidhjen me LSI, por kjo bëri naze... Ja, kështu u shemb “pallati”, për shkak të dashurisë.

2.

Pallati po shembet për shkak të intrigës. Njëri nga aleatët, LSI-ja, ka nisur të tregojë çfarë ka parë brenda pallatit. Fillimisht, denoncoi prodhimin dhe trafikun e narkotikëve. “Unë nuk kam dorë”- tha njëri nga aleatët. Ekspertët ligjorë dhe “spiunët” brenda  policisë, kanë mbledhur fakte tronditëse mbi drogën. LSI-ja ka premtuar se do t’i nxjerrë në shesh... Njëri nga aleatët ka nxjerrë në shesh se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, është eksponent i trafikimit të drogës. Një shtet me këtë plagë, nuk mund të mbijetojë... Pallati është shembur, që në vërtetimin e kësaj akuze.

Gjithashtu, aleati i dytë ka evidenca se si ka bashkëpunuar me aleatin nr 1. LSI që është e dyta, shumë punë të këqija i ka bërë bashkë me nr.1- PS. Për shembull, kanë bashkëpunuar për eliminimin e opozitës, kanë bashkëpunuar për ngritjen e kulteve të komunizmit, kanë bashkëpunuar për rrënimin e sistemit të vlerave në shoqëri dhe ngritjen e kriminalitetit në politikë... PS po e sulmon ashpër LSI-në...Pse? Me qëllim që ditën kur do të dojë të flasë për këto mëkate të mëdha, të mos ketë më gojë. Atë ditë, LSI-ja o do të jetë e rrënuar plotësisht, ose do të jetë e pabesueshme, krejtësisht, në publik. PS po rreket edhe me shkarkimin e presidentit të Republikës që i takon LSI-së. Shembja nga brenda po ndodh llahtarshëm.

3.

Po shembet pjesa që bën një “përjashtim”.

Përjashtimi që përbën LSI, është se, me gjithë mëkatet, nuk ka lidhje me George Soros. Geroge Soros ka ngatërruar gjithë politikën e vendeve ish-komuniste dhe po ngjall një komunizëm të ri, të stilit të vet. Si lidershipi i PS, ashtu edhe lidershipi i PD, janë kapur në lidhje të afërta me Soros. Vetëm lidershipi i LSI, sidomos nga kreu, nuk kanë lidhje me këtë fenomen. Prandaj, kjo është e sulmuar nga dy të tjerët. Mirëpo, kjo është me rrezik. Në qoftë se në Perëndim do të fitojë doktrina e presidentit Trump dhe lufta kundër Soros, atëherë PS dhe PD do të gjykohen për këtë luftë të përbashkët, kundër LSI. Ndryshe do të humbasë përfundimisht LSI-ja dhe forcat e tjera anti-Soros... Por, sidoqoftë, edhe pse të ndryshëm brenda përbrenda, kjo është një shembje përbrenda.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: