Para në këmbim të votës ditën e votimeve, 1 në pranga dhe 1 në hetim

Para në këmbim të votës ditën e votimeve,  1 në pranga dhe 1 në hetim
Policia e Korçës ka vënë në pranga një person, ndërsa ka proceduar penalisht një tjetër për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Specialistët e Sektorit kundër Krimit Ekonomik-Financiar bënë arrestimin e shtetasit Pajtim Myrtollari, 55 vjeç, banues në Korçë, me detyrë specialist pranë Drejtorisë së Peshkimit Korçë, koordinator i një subjekti politik.

Sipas policisë, ky shtetas është kapur gjatë ditës së votimit duke shpërndarë shuma lekësh me qëllim blerjen e votës, deri në 200.000 lekë të vjetra për një subjekt të caktuar politik.

Gjithashtu po nga këto struktura filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit R.D, 61 vjeç, banues në Korçë me detyrë koordinator i një subjekti politik.

Procedimi ndaj tij filloi pasi, më datë 25.06.2017, këtij shtetasi në lagjen nr 6 në Korçë, në automjetin e tij me targa AA240KI, i  janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 170.000 lekësh të vjetra të cilat dyshohen se do përdoreshin për pagesat e zgjedhësve dhe komisionerëve të këtij subjekti.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë lidhur me veprën penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. /e.g/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: