Pasuesi i De Biasit, sërish italian! Duka: Më erdhën 100 emra trajnerësh për 24 orë

Pasuesi i De Biasit, sërish italian! Duka: Më erdhën 100 emra trajnerësh për 24 orë
Paolo Tramezzani shihej si pasuesi ideal i Gianni De Biasi në stolin e kombëtares, por nënshkrimi i tij sot me Sion në Zvicër, ka detyruar FSHF-në të shohë për pista të tjera trajnerësh.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, një ditë pas ndarjes me trajnerin De Biasi kur mbeten edhe katër ndeshje nga mbyllja e fushatës së kualifikuesve të Kupës së Botës, tha se i kanë ardhur brenda 24 orëve mbi 100 mesazhe me emra trajnerësh.

“Kanë mjaftuar 24 orë nga zyrtarizimi i shkëputjes së marrëdhënieve me De Biazin dhe kanë qenë dhjetëra, apo qindra mesazhe, që më kanë mbushur telefonin”.

Prej vitit 2002, të gjithë trajnerët kanë qenë të huaj, që kur Armand Duka erdhi në krye të FSHF-së: italianët (Dosena i pari dhe De Biazi i fundit), gjermani (Hans Peter Briegel) holandezi (Arie Haan), si dhe dy kroatët (Bariç dhe Kuzhe).

Duka u shpreh se pas largimit të Gianni de Biasi sërish kërkohet një trajner italian. “Personalisht po kërkoj një trajner italian,” – theksoi Duka për Top Channel.

Drejtimi i një ekipi si Shqipëria që ishte pjesëmarrëse në Euro 2016 dhe ndodhet e treta në grupin kualifikues të botërorit Rusi 2018, pas Spanjës dhe Italisë, si dhe mundësitë e mira financiare që afron posti i trajnerit të kombëtares, lakmohet thuajse nga shumë trajnerë, qoftë edhe emra të njohur.

/a.m/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: