Pasuesi i De Biazit, FSHF sqaron punën me kandidatët, Camoleses i shfaqet “në skenë” Inzaghi

Pasuesi i De Biazit, FSHF sqaron punën me kandidatët, Camoleses i shfaqet “në skenë” Inzaghi
Trajneri i ri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit do të zgjidhet brenda muajit. FSHF pas kandidaturave me të cilat ka nisur kontaktet sqaron se kërkohet kohë për të vendosur. “FSHF ka nisur pikërisht me procesin e kontakteve dhe bisedave në lidhje me kandidaturat e mundshme, të cilat janë në një numër të konsiderueshëm.

“Ato do të vlerësohen dhe pas kontakteve të marra, brenda muajit korrik do të vendoset edhe emri i ri i trajnerit të ekipit kombëtar. Gjatë gjithë kësaj kohe FSHF është në fazën e vlerësimit, kontakteve dhe bisedave për kandidaturat e ndryshme për të marrë drejtimin e skuadrës kombëtare.”

Por emri i zëvendësuesi të De Biasit është i sigurt se do të jetë përtej Adriatikut, nga ku ka dalë në skenë edhe një tjetër emër i njohur.

Sipas asaj që transmeton “Sky Sport”, Federata Shqiptare e Futbollit ka kontaktuar së fundmi edhe Pippo Inzaghin për t’i dhënë mundësinë që të drejtojë Kombëtaren.

Ish-sulmuesi i Milanit aktualisht është trajner i Venecias në Serie B. Nëse atij i bëhet një ofertë më e mirë, ai mund të paraqesë dorëheqjen.

Ish-portieri i Inter dhe kombëtares italiane, Valter Zenga, ka dalë hapur më herët se dëshiron të marrë drejtimin e Shqipërisë pas largimit të Giiani De Biasi-t.

Por megjithatë deri tani mbetet si kandidaturë kryesore Giancarlo Camolese, ish-trajner i Chiasso në Zvicër për herë të fundit, për postin e trajnerit të Kombëtares shqiptare. Trajneri 56-vjeçar pas largimit nga Zvicra nuk ka drejtuar asnjë ekip tjetër.

Pritet pas ofertës dhe bisedave të para edhe një takim me kandidatët kryesorë, ku ai që do të jetë pasuesi i De Biasit, avantazh për të përbën marrja përsipër e objektivave që do të vendosë FSHF, si dhe kërkesa që ai do të ketë për rrogën. Ajo nuk duhet të jetë më e lartë se paga që përfitonte Gianni de Biazi, në katër vitet e para.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: