PEIZAZH PARAZGJEDHOR- NGA APOLLON BAÇE

PEIZAZH PARAZGJEDHOR- NGA  APOLLON BAÇE
Nga APOLLON BAÇE

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

(Peshk, bakllava, tepsi, sheqerpare, llokma, ushonjza, turshi)

Thonj çifuti, mjekër cjapi,

Hundë Turku, buz’ Arapi.

Mpikseni me gjak majmuni

Dhe u lidh magji maxhuni.

(Macbeth, akti 4, skena 1.) 

Nga tërë fushatat elektorale, që nga koha e Teutës e këtej, kjo është më boshja, si kalli egjëri, dhe më e pashija, si kungull i zier. Rambababam, rrahin daullexhinjtë adoleshentë daullen mavi mbi të cilën vërdallet kryedaullxhiu Rama: Rambababam, Raaaaa-ma! Rambababam, Raaaaa-ma !

Me këmbëngulje motori Dum-Dum, që sapo ndizet fiket dhe sapo fiket ndizet, Basha artikulon fraza programatike trefjalëshe: “Askush nuk e ndal. Kauzën fitimtare të opozitës”, “Dimri i ashpër fizik. Do t’i lërë vendin pranverës”.

Një fushatë e çuditshme kjo, ku programet, idetë dhe vizionet nuk përballen me njëri tjetrin. Thjesh pasi nuk ka programe, ide, vizione. Ka vetëm Rilindje, Republikë e Re, Kryeministër ekonomik, Makinë me një timon.

Ndër tërë spotet gri, më domethënësi është ai me makinën zhgaravinë që del befas nga errësira dhe me atë ngërdheshjen diagonale një ekran të gjerë (si e Maces Qeshire të  Lizës në Botën e Çudirave), e cila shfaqet mjaft më befas mbi kokën e shofer/artistit të zhgaravinës: “Ç’kina ?... Ou, Edo tina qeke... Pajzot... Aaaaa kte mos ma kërko... se me lekt e gjobave.... shkollat, spitalet... Ke shum t’drejt Edo...”. D.m.th. spoti ku Edo-ja, pas i vë shofer/artistit të zhgaravinës gjobën 30 dollarëshe, kthehet  me hap elastik tek timoni i makinës me një timon.

Shkurt spoti që përligj të drejtën feudale të “jux primae noctis” dhe imponon ndjenjën e frikës (nuk besoj se polici është simbol i dashurisë romantike dhe progresit ekonomik). Përkatësisht spoti që thotë fare qartë “Unë jam Edi, Edi polici. Kini frikë nga unë, Edi polici”. Si i tillë ai nis e rifreskon ndodhitë e dy viteve të shkuar, kur ende nuk ishte shpikur kanabisi dhe arka mbushej me borxhe dhe gjoba. Duke i risjellë kujtesës ata kalamajtë që bënin detyrat në dritën e qiririt, të moshuarit që dridheshin nga i ftohti, të asaj vajzës laçiane 7 vjeçe, yll të bukur, që lutej në televizor për një dhomë të ngrohët se kish ftohët dhe që pas disa muajsh vdiq nga pleviti (për çka ndihem bashkëfajtor që nuk ndihmova), të shtëpishemburve të Vlorës që ngroheshin zjarreve kolektive. Duke sjellë në kujtesë edhe atë Fierakun e burgosur që varri veten për gjobën e padrejtë 30 dollarëshe (sa 1/1100 e suitës së Ramës në hotelin Four Seasons të  New York-ut). Atë Fierakun, për të cilin, nëse ju kujtohet, Rama tha post mortem, ishte hajdut.

“Dun llokma ka tepsia... Po vje era shtet..”. Jo, or zotni, kërkundi nuk vjen era shtet, por “po vje era hallv”. Dhe kjo na fut në mjedisin me tym vajhallve të djegur, të tepsive me llokma hallve, të vargut qelepir/sahanlëpirës që murmurit si shpirtrat e liq të Hadesit të Homerit: “Duuum hallv.... Duuum llokma.... Duuuum hallv...”. “Ha hallv, pi sherbet” u thoshte eunuku i Pallatit të ëndrrave mysafirëve të Sulltanit. Tepsia me hallv dhe sherbeti, apex-e i të sublimes.

Veç këtyre apex-eve, fushatën zgjedhore (nga e ka origjinën fjala zgjedhore, nga folja zgjedh apo nga emri zgjedhë ?) e mbushin pullkuqet, Kuqalashet e paturpa si thotë reklama e birrës. “Dëgjo ti” shqipton me gaz  kryeministri gaztor, “Shko tako burrin tat, por mund të takosh edhe komshiun”, “Aaaaa. Ta paskan gjet nusen me shkes. Dëgjo mua, nga eksperienca ime me Lulin, të them shko takoje vetë”. Dhe kjo merr dhe konturon një Romeo Ramë ashik dhe një  Zhyljetë Bashë dylbere. Edhe kjo brenda kuadrit të fushatës, si instrumentalizim i banalizmit shqiptar që vërtet përbuz dylberin, por ama vlerëson ashikun. Ndërkohë që IQ e Republikanit të Ri, nuk është e mjaftë që të kuptojë se po vihet në lojë, bashkë me Republikën e Re.

Amoralitet ky ? Imoralitet ? Më saktë amoralitet i veshur me petkun e  banalitetit imoral ? Nuk e di pse thënia “qëllimi justifikon mjetin” i atribuohet Makiavelit, ndërkohë që është Ovidi ai që ka thënë “exitus acta probat” (rezultati miraton veprimin).

Sidoqoftë, mirë a keq, flirti konstruktoj një Arkë Noje ku anakonda i mbështillet për fresk krokodilit. Nuk ka më Ed Ramë me 40 hajdutë, as zhuls Parizien që lahet një herë në 50 ditë. Ed Rama, siç thoshte klani Gambino, është “pulittu, tutto OK”. Po pulittu dhe tutto OK është edhe Lul Basha: “Luli, se tani ne e njof, nuk osht çun i keq” thotë puro “Tironçe” Rama. Dhe “çuni mir” ja shlyen me shqipe letrare: “Ramën e kemi quajtur bashkëpunëtor me krimin. E vërteta është se ai është i papërgjegjshëm”. Dhe, sa për të prishur syrin e keq, i gjuajnë njëri tjetrit kotelçe, d.m.th. me thonj të mbledhur: “Rama vesh çitjane, që ne të merremi me çitjanet Ramës” thotë Basha dhe Rama ja përvesh: “Luli katër vjet posht’ sahatit e sahati s’punonte. Luli ka sahat’n e vet”. “Ne ti o Mono, o Mono mo”.

Hiç OK është Meta. Fajtori i sorollatjes 25 vjeçare të Shqipërisë në labirintet e tranzicionit, kryeshushunja e shushunjave lsiste. “Numëroni gjithë shushunjat dhe shtypini me votë” udhëzon prerë Rama. Dhe sinkron, siç edhe i ka hije, Basha udhëzon: “Asnjë votë për shushunjat”. “Pse u bë bishë Meta ?” pyet Bakllava Basha. “ Se dorën në bakllava. Nuk ka për ta pasur kurrë më”. “Por edhe këta të sheqerpares do ia heqin dorën” tha ajo për Sheqerpare Ramën. Dhe, me qenë se nis gostia, edhe Çamët nuk duheshin lënë pangrënë: “Asnjë votë PDIU-së. Që ka hyrë më kokë në qypin e turshive. Më mirë hidhini në Drin votat. Se do ti hajë ndonjë peshk”.

Peshk, bakllava, tepsi, sheqerpare, qyp, kastravecë, llokma, ushonjza, lugë, hallvë, turshi. Menu më e pasur se e “Anadollakut në mësallë” të  Konicës,

Që shembet në pilaf,

Që  fryhet me hoshaf,

Që llop një bakllava,

Që llop një revani,

Që llop muhalebi.

Një fjalor babëzie që të pështjell stomakun me krupë dhe mendjen me frikë. Frikë për kuadratimin mizerabël, paaftësinë proverbiale, mungesën totale të dhembshurisë dhe urtësisë. I cili të habit sesi Shqipëria e Abdylit, Samiut, Pashko Vasës, Ismail Qemalit, Fejzi Alizotit, Turhan Pashës, Sulejman Delvinës, Fan Nolit, Mehdi Frashërit shkon e bie në dorën e bezhdileve që nuk artikulojnë katër fjalë të zgjuara bashkë. Me një IQ nën mesataren shqiptare.

Kjo dhe shpjegon përse Shqipëria në sondazhin e GALLUP-it Highest Desire to Migrate (Dëshirë Maksimale për Emigrim) u rendit e dyta në botë. E dyta ndër 156 shtete. Dhe që, sipas shpjegimeve të GALLUP-it, do dilte e para sikur në Sierra Leone të mos kish plasur Vdekja e Zezë, Ebola. Sado që u përpoq Siria me gjysmë milion të vrarët e saj, prapë se prapë 6 vende poshtë Shqipërisë mbeti.

E di si zgjidhet kjo pun, më pyeti shoferi Rom i taksisë.

Jo, i thashë.

Me i bumje t’madhe në parlament !

Po Aldo ? Gjynah Aldo, i sugjerova.

Jo po t’thom. Qi t’gjith. Ne Aldo.

Po Berisha ?

Ai i pari.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: