PËRTEJ DEKOREVE NË POLITIKË

PËRTEJ DEKOREVE NË POLITIKË
 

Nga Meri Dishnica

 

Të rinjtë në poste drejtuese, ngjallin më së shumti habi. Nuk është ky një paragjykim i çastit, është habia që mbart një katapultim i beftë.

Çfarë mund të presësh nga një i ri në politikë?! Ok, përveçse i admiron rininë, energjinë, dëshirën për pjesëmarrje...

Çfarë mund të bëjë një i ri me një post aq të lart, përveçse të jetë marioneta e radhës, e lehtë për t’u lëvizur, aq lehtësisht fleksibël për t’u orientuar?

Nëse përvoja e parë në jetë është parlamenti? Sa kuptim merr kjo, për një të ri që po krijon identitetin e vet? Parlamenti nuk është kopsht për inkubimin e filizave të rinj, e as vend për të nisur përvojat e jetës. Vendosja e të rinjve në lista fituese dhe nëpër poste drejtuese, është tendenca e një frymë jo dhe aq naive, sepse që t’i vendosësh këta të rinj në drejtim, vizioni i vetëm është t’i drejtosh në distancë.

Marioneta që shërbejnë për të garantuar mbretërimin, sa më të gjatë, të kryetarëve në piramidën e partive, për të shuar frymën e debatit, si i vetmi shans për të çuar përpara një parti. Rrugë e shkurtër për kryetarët, ku në fakt “shumica” është një njeri i vetëm. Ai është shumica dhe pakica njëkohësisht. Kjo është çudia! Ushtria e deleve që na karakterizon si popull, nga terreni po zhvendoset në parlament.

Kam lexuar diku se mafiozët e Sicilisë për të mbrojtur pronat e tyre, i vendosnin nën emra pa identitet, ose siç quhen ndryshe në italisht “Testa di legno”. Apo termi “Rula” që përdorej në ushtri për të kategorizuar ushtarët e tipit të dytë, që i përdorte i gjithë reparti.

Askush nuk duhet ta fillojë karrierën nga aq lart.

Një i ri duhet të nisë me frymën e vërtetë të thjeshtësisë dhe humanizmit, punës në komunitet, shoqëri civile, organizatat studentore, vullnetarizmi, qendrat sociale, etj.

Ose, nëse ndërkohë është përfshirë në një parti, ta nisë me organizime të nismave të vullnetarizmit dhe humanizmit brenda partive, të ndihmojnë konkretisht njerëzit dhe jo te kërkojnë vota, - vota që pastaj do t’i harrojnë që i kanë kërkuar... siç ndodh gjithmonë. Pastaj njerëzit do të thonë se partia ka humbur lidhjen me qytetarët… Po, po, e kanë thënë dhe do ta thonë gjithmonë…

Në Parlament dhe në poste drejtuese, ne duhet të zgjedhim njerëz me integritet dhe me përvojë në fusha të ndryshme të jetës. Njerëz që kanë dhënë kontribut konkret dhe i kanë shërbyer komunitetit. Nëse aty vendosen njerëz pa përvojë dhe pa identitet, unë si votuese, me të drejtë, mendoj është një “tabula rasa” që do të bëhet rrugës... Rrugës për ku?!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: