Pranimet në Universitete, ndryshojnë kuotat. Ku keni më shumë shanse

Pranimet në Universitete, ndryshojnë kuotat. Ku keni më shumë shanse
Rriten me 5% pranimet në UT, 5631 kuota për vitin e ri akademik. Universiteti Bujqësor i Tiranës do të presë afro 5 mijë studentë të rinj, në të tri ciklet e studimit

Sonila Isaku

Maturantët e këtij viti, do të kenë më shumë shanse për të kapur një prej degëve të universiteteve në vend dhe kjo për vetë faktin e shtimit të kuotave në disa prej tyre. Të dhënat tregojnë se Universiteti Bujqësor, këtë vit, do të presë 16% më shumë studentë përgjatë këtij viti, në të tre ciklet e studimit. Kurse në Universitetin e Tiranës, pritet që të ketë rreth 5% më shumë kuota pranimi se vitin e kaluar, ose përkthyer në shifra, në 5631 studentë të rinj.

Universiteti i Tiranës

Mbi 5600 studentë do të ulen për herë të parë në auditorët e Universitetit të Tiranës, për të ndjekur studimet e ciklit të parë. Rektori i Universitetit, Mynyr Koni, bën të ditur se kuotat e pranimit për vitin e ri akademik, janë rritur jo vetëm për studimet bachelor, por edhe për ato master. Rektori sqaron se tarifat e reja të studimit, do të miratohen pasi qeveria të caktojë tavanin e tyre. “Për vitin akademik 2017-2018, Universiteti i Tiranës ka miratuar në total 6444 kuota. Për studentët shtetas shqiptar, këtu bëjnë pjesë 5631 kuota. Janë miratuar kuota për kategori të veçanta, 160. I kemi miratuar në total për t’u dhënë shans të gjithë aplikantëve të fitojnë të drejtën për t’u regjistruar në Universitetin e Tiranës”, - ka pohuar Koni. Sipas tij, viti i ri akademik do të ketë shtim kuotash me 6-7% edhe për studimet master. “Për studimet e ciklit të dytë, Senati ka miratuar rreth 6-7% të kuotave më të larta se në vitin paraardhës. Janë miratuar 3373 në studimet master i shkencave dhe 2615 në studimet master profesional”, - nënvizon rektori Koni. Në Universitetin e Tiranës, ofrohen 35 programe të ndryshme studimi. Para se të zgjedhin degën ku duan të studiojnë, rektori Koni këshillon maturantët që të konsultojnë kriteret e pranimit në faqen zyrtare të Universitetit.

Universiteti Bujqësor

Universiteti Bujqësor i Tiranës ka edhe rritjen më të madhe të kuotave të pranimit për këtë vit, duke i ndryshuar ato me 16%, në të tre ciklet e studimit për vitin akademik 2017-2018. Drejtuesit e universitetit bëjnë të ditur se kanë kërkuar rritje të pranimeve për studimet e nivelit bachelor dhe master. “Për vitin akademik që vjen vetëm në sistemin bachelor, cikli i parë i studimeve janë 2572 kuota, krahasuar me 1670 kuota që kanë qenë një vit më parë. Për studimet e ciklit të dytë master profesional dhe master i shkencave, kemi propozuar 2300 kuota”, - shprehet rektori i këtij universiteti, Bahri Musabelliu. Pas pezullimit nga Ministria e Arsimit, për shkak të reformës në arsimin e lartë, pritet që, në vitin e ri akademik, të rinisin edhe studimet e doktoraturës. “Sivjet shpresojmë të fillojmë edhe ciklin e tretë të studimeve të doktoraturës dhe nga 190 që janë kapacitetet, ne kemi kërkuar 163 kuota”, - pohon rektori. Universiteti Bujqësor, një nga më të kërkuarit në vend, ofron 58 programe të ndryshme studimi.

Universiteti i Tiranës, kuotat 2017-2018

Fakulteti i Histori-Filologjisë 760

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja 1020

Fakulteti i Shkencave të Natyrës 1100

Fakulteti i Shkencave Sociale 571

Fakulteti i Ekonomisë 1280

Fakulteti i Drejtësisë 750

Filiali UT, Sarandë 150

Totali 5631

Studimet e ciklit të dytë

Master shkencor 3373 kuota

Master professional 2615 kuota

 

Universiteti Bujqësor i Tiranës, 4896 kuota totale

Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit 1170 kuota

Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit 960 kuota

Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit 355 kuota

Fakulteti i Shkencave Pyjore 185 kuota

Fakulteti i Mjekësisë Veterinare 200 kuota

 

Studimet e ciklit të dytë dhe të tretë

Master profesional dhe shkencor 2291 kuota

Studimet e ciklit të tretë, doktoratura 163 kuota

 

Tarifat e studimit të njëjta me ato të vitit të kaluar, pritet dalja e VKM-së

Tarifat e studimit në të shumtat e universiteteve në vend, do të mbeten të pandryshuara në krahasim me ato të vitit të kaluar. Sipas rektorëve të universiteteve nuk është kërkuar rritje e tyre, por pritet vetëm dalja e Vendimit të Këshillit të Ministrave i cili të përcaktojë çmimet tavan dhe dysheme për çdo lëndë. Rektori Mynyr Koni, sqaron se tarifat e reja të studimit do të përcaktohen pasi qeveria të nxjerrë VKM-në. “Për ciklin e parë, tarifat nuk mund t’i miratojmë për faktin se ligji autorizon Këshillin e Ministrave për të nxjerrë një vendim se cili është kufiri maksimal i tarifave të shkollimit. Ato që ne kemi miratuar, janë tarifat për vitin 2016-2017. Vonesa e këtyre ka ardhur për shkak se në fund të muajit mars, nga ana e Ministrisë së Arsimit, neve na ka ardhur një shkresë që kufiri maksimal për këtë vit, do jetë ai i vitit të mëparshëm”, - thekson Koni. Sa i takon tarifave të studimit, edhe Universiteti Bujqësor sikurse ai Politeknik, nuk ka kërkuar rritje të tyre për vitin e ardhshëm akademik. “Variojnë në tarifa shkollimi nga 20-35 mijë lekë të reja në vit, diferenca janë programi master i shkencave dhe profesional të cilat variojnë nga 60-90 mijë lekë të reja në vit. Absolutisht nuk ka rritje”, - pohon Musabelliu.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: