Prezantohen Zeqiri dhe Hoxha, Kukësi tregon “muskujt” në Champions

Prezantohen Zeqiri dhe Hoxha, Kukësi tregon “muskujt” në Champions
Vetëm një ditë pasi mësoi emrin e kundërshtarit, Sheriff Tiraspol, që do të ketë përballë në Champions League, ekipi kampion i Shqipërisë, Kukësi, ka prezantuar sot dy blerje me peshë. Bëhet fjalë për dy lojtarë, ndër më të dalluarit e kampionatit shqiptar, Hair Zeqiri dhe Rustem Hoxha.

Hair Zeqiri rikthehet te Kukësi, sot nga prezantimi zyrtar

Mesfushori vlonjat Hair Zeqiri u prezantua zyrtarisht sot me fanellën e Kukësit. Zeqiri, 28-vjeç, rikthehet në sezonin e dytë te Kukësi, pas atij 2014-2015. Zeqiri një ndër mesfushorët më të mirë shqiptare ka nënshkruar një kontratë 1+1 me kampionët e Shqipërisë dhe do të mbajë fanellën me numrin 7-të. - “Jam shumë i lumtur që kam firmosur me Kukësin. Kam arritur marrëveshjen dhe e kam pranuar me kënaqësi këtë mundësi që m’u ofrua. Përfaqësimi i skuadrës kampione është nder për mua. Kam ardhur me qëllime të mirëpërcaktuara: përfaqësim dinjitoz në Champions, por edhe ruajtja e titullit kampion. Iu premtoj tifozëve kuksianë se do të jap maksimumin tim. Jam i kënaqur nga ky rikthim i imi, pas sezonit 2014-2015,” – theksoi Hair Zeqiri.

Rustem Hoxha, ish-kapiteni i Teutës, nga sot zyrtarisht lojtar i ekipit kampion

Përforcimi i dytë i rëndësishëm i Kukësit ka qenë edhe mbrojtësi Rustem Hoxha. Ish-kapiteni i Teutës, 25-vjeç, ka arritur një marrëveshje 1+1 me klubin verilindor dhe u prezantua sot në zyrat e klubit kampion.  - “Jam shumë i lumtur që kam arritur marrëveshjen me skuadrën e Kukësit. Falënderoj të gjithë personat që më ndihmuan të transferohem në këtë klub dhe besoj se do të jap më të mirën për ekipin tim të ri. Jam i sigurt se do të arrijmë suksese të tjera. Mendoj se do të shkojmë lart edhe në Champions. Një përshëndetje edhe për tifozët kuksianë, të cilëve iu them se do të bëj maksimumin,” – theksoi Hoxha.

Kukësi synon kalimin e raundit të dytë kualifikues të Champions, ndërsa objektivi madhor në Europë është faza e grupeve të Europa League.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: