PROBLEMI I MADH I PARTIVE TË VOGLA!-NGA ALFRED PEZA

PROBLEMI I MADH I PARTIVE TË VOGLA!-NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ka një perceptim të përhapur gjerësisht gati në kufijtë e aksiomës, se ligji elektoral shqiptar, pengon partitë e tjera përveç PS dhe PD, për tu bërë të mëdha. E thënë kështu, kodi ynë merr trajtën e një dekreti sulltanor, që emëron dhe përcakton se kush do të jetë përjetësisht e madhe dhe kush do të jetë përjetësisht e dënuar që të mbetet një parti e vogël. Ose e shumta, do të luftojë pafundësisht për mbijetesë, për të qenë brenda sistemit të partive parlamentare. Atje ku është edhe tempulli kryesor i politikëbërjes së madhe dhe ligjvotimit të rregullave të funksionimit të kësaj shoqërie. Edhe kjo, si çdo e vërtetë, nuk është absolute. Përkundrazi. Me shumë ka marrë trajtën e një miti politik, sesa ka qytetarinë në realitet.

Le ta shpjegoj me durim dhe kujdes të gjithën këtë. Jo edhe aq duke u rrekur të zbërthej gjuhën e drunjtë të neneve të ligjit zgjedhor, sesa të mundohem të shpjegoj me fjalët e mia, filozofinë që e rrëzon këtë ide.

Së pari, nuk është kodi ai që pengon rritjen e një partie. As përcaktuesi i humbësit dhe fituesit të zgjedhjeve. Por interpretimi dhe moseksplorimi sa e si duhet në praktikë, i gjithë hapësirave që ai ofron për të gjitha palët në lojë, apo atyre që kërkojnë të marrin pjesë për herë të parë në garë. Prova e madhe e gjallë për këtë është vetë LSI, e cila arriti të kishte një grup parlamentar me 20 deputetë në katër e vitet e fundit, duke e pesëfishuar përfaqësimin e vet në Kuvend, në raport me mandatin paraardhës 2009- 2013. Ndërkohë që në parlamentin aktual kanë përfaqësuesit e tyre edhe një sërë partish të tjera politike si PDIU, PR, LZHK, PDK, PAA, LIBRA, PBDNJ, etj.

Së dyti, është një ligjësi e pashkruar në historinë politike moderne të vendeve demokratike, sipas së cilës, nuk mund të bëhesh dot një parti e madhe, nëpërmjet përqafimit në praktikë të kauzave të vogla. Kauza këto që arrijnë të plotësojnë vetëm interesat momentale ose edhe të përhershme të disa grupeve, fashave të votuesve dhe klaneve të caktuara shoqërore. Nga ana tjetër, ka disa parti që identifikohen ose vetidentifikohen me grupe të caktuara etnike apo orintimesh fetare, të cilat vetvetiu që në lindje, janë vetëpërjashtuar nga mundësia për tu bërë aq të mëdha, sa të rrokin përfaqësimin e gjithë shtresave të popullsisë në të gjithë territorin e vendit. Pa lënë mënjanë këtu, që ka parti që si kartën e tyre kryesore, kanë t’i ofrojnë elektoratit mundësinë e punësimit, në një shtet me afro 3 milionë votues në lista, i cili gjithë e gjithë ka rreth 100 mijë vende pune në administratë qendrore e lokale. Ç'ka vetvetiu është një korracë metalike, që pas zgjerimit të shpejtë fillestar të trupit tënd brenda saj, vjen duke të qëndruar gjithnjë e më ngushtë, aq sa shumë shpejt mund të të dëmtojë. Siç edhe ndodh në praktikë.

Së treti, politika është arti i kompromisit dhe si e tillë, duhet ushtruar mjeshtërisht në përshtatje edhe me specifikat e asaj ç'farë të ofron, stimulon dhe të nxit një hap i tillë në raport me partitë e tjera në garë. Pra, vetëm nëpërmjet një leximi sa më të mirë të hapësirave ligjore dhe mundësive praktike në raport me partitë e tjera, mund të maksimizosh vlerën dhe peshën e votës tënde.

Së katërti, në politikë "nuk është e rëndësishme se sa mandate ka një parti politike, e rëndësishme është se ç'farë ajo arrin që të bëjë me to". Ky është një tjetër rregull i artë. Në 2009 LSI e zbatoi më së miri të gjithën këtë. Pasi me vetëm 4 mandate, arriti të siguronte 20% e më shumë të pushtetit në aleancën me PD dhe Berishën. Si asnjë parti tjetër më parë pas 1990, arriti të kishte më shumë ofertë se kërkesë për të bërë për votuesit. Ose e thënë ndryshe në zhargonin popullor, kishte më shumë vende pune dhe poste për të ofruar, sesa kishte votues dhe njerëz me "cv"-të e duhura për ti ushtruar ato. Edhe PDIU dhe parti të tjera politike (PR në kohën e qeverisjes së Berishës, etj) kanë patur hapësirë dhe mundësi përfaqësimi në të gjitha nivelet e qeverisjes së vendit. Po ç'farë kanë bërë më të? A kanë ofruar një qasje tjetër qeverisje, cilësisht krejt të ndryshme nga partitë "e mëdha", në mënyrë që si në lojën e pasqyrave, ti ofronin zgjedhësve shqiptarë një model të ri e të ndryshëm në mënyrën e ushtrimit të besimit të dhënë prej tyre? Shembujt mund të gjendjen edhe brenda nesh. "Vetëvendosje" në Kosovë e dyfishoi rezultatin e saj elektoral në raport me zgjedhjet e 2014. Për këtë ndikuan shumë faktorë, por një prej tyre lidhet me faktin se asnjëherë nuk ka pranuar që të bëhet pjesë e pushtetit, duke u farkëtuar në opozitë, për të rritur besimin e votuesve si një alternative reale pushteti. Duke u bërë në vetvete, (përtej aleancave) partia më e votuar sot në Kosovës.

Së pesti, përzgjedhja e kandidatëve për deputetë është një tjetër hapësirë dhe mundësi e artë, por e pashfrytëzuar sa e si duhet nga partitë politike që tentojnë të rriten në shtratin tonë demokratik. Mjafton ti hedhësh një sy listave të të gjitha partive të dorëzuara në KQZ dhe CV-ve të tyre, për të kuptuar se një pjesë jo e vogël e tyre, janë nën nivelin e mesatares së popullsisë së Shqipërisë. Qoftë përsa i përket cilësisë, profilit, arsimit, kulturës, angazhimit të spikatur në jetën shoqërore të komunitetit apo të vendit, etj.

Dhe së fundi, pothuajse para çdo procesi zgjedhor, skenës sonë politike i shtohen parti të reja. Disa prej të cilave, për shkak të drejtuesve të tyre dhe aksioneve të para, arrijnë që të krijojnë një pritshmëri të madhe. Një shembull më shumë për të hedhur poshtë një pretendim që haset jo rrallëherë. Sipas të cilit, faji nuk qenkërkësh as i sistemit, as i ligjit dhe as i "xhunglës sonë politike", por i vetë qytetarëve dhe i votuesve shqiptarë. Sepse për shembull në fushatën e 2009, sondazhet e nxirrnin partinë G-99 me një kuotë pothuajse aty-aty pëlqyeshmerie si edhe LSI-në. Por, kjo pritshmëri nuk u arrit që të përkthehej me votë në kuti, për të prodhuar në këtë mënyrë mandate deputetësh. E njëjta gjë ndodhi edhe me partinë "Aleanca KuqeZi" të Kreshnik Spahiut në fushatën e zgjedhjeve të 2013. Një rrezik ky që i kanoset edhe partisë "Libra" të Ben Blushit në këto zgjedhje. Kjo vjen më së shumti për shkak të mungesës së organizimit të këtyre partive. Të cilat nuk kanë qenë të përgatitura e të afta, që dëshirat e qytetarëve t’i kapitalizojnë në vota për ta.

Pavarësisht të gjitha këtyre argumenteve, kjo nuk do të thotë se PS dhe PD nuk kanë disa avantazhe më shumë sesa të gjitha partitë e tjera politike, për të qëndruar për një kohë kaq të gjatë në këto pozicione ku kanë qëndruar për 26- 27 vite me radhë. Historia i ka favorizuar, sigurisht. Deri diku edhe ligji elektoral i avantazhon, për shkak të formulës aq ajo aplikon. Por ka qenë edhe meritë e tyre e padiskutueshme, që ia kanë dalë për të mbijetuar në nivelet më të larta të politikëbërjes në vend. Pasi të mos harrojmë se shumë parti të tjera në Europën Lindore që u krijuan pas rrëzimit të Murit të Berlinit, arritën fillimisht që të merrnin pushtetin, por sot ose nuk ekzistojnë më, ose pesha dhe ndikimi i tyre është krejt i papërfillshëm. Megjithatë shpresë ka gjithnjë se edhe të "voglat" mund të ia dalin në të ardhmen, që të pushtojnë skenën e madhe. Për aq kohë sa përveç postit të Kryeministrit, kanë arritur që ti sigurojnë deri tani, të gjitha funksionet e tjera, që nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Parlamentit, zv. Kryeministër, ministra, drejtorë të rëndësishëm dhe kryetarë bashkish në gjithë vendin.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: