Projekti i ri i “Tiranës braziliane” për ringritjen, samba për rikthimin e tifozëve

Projekti i ri i “Tiranës braziliane” për ringritjen, samba për rikthimin e tifozëve
Tirana pas largimit të trajnerit Mirel Josa i ka besuar stolin një trajneri brazilian. Jose Marcelo Ferreira (Ze Maria) është prezantuar të shtunën me ekipin dhe ka nisur përgatitjet fillimisht për Europa Legaue e më pas për sezonin e ri, ku bardheblutë për herë të parë në histori do ta nisin në një kategori poshtë Superiores.

Trajnerit brazilian i është besuar stoli, me objektivin kryesor që të rikthejë Tiranën në Kategorinë Superiore, por edhe me një futboll bindës që të rikthehet tifozët bardheblu në stadium.

Presidenti Halili dhe kapiteni Karabeci, gjatë prezantimit të stafit të ri bardheblu

Presidenti Refik Halili në prezantimin e trajnerit të ri u shpreh i vendosur për të vijuar investimet te Tirana, pavarësisht kërkesës së disa tifozëve për largimin e tij. Me lëvizjet e fundit, Halili, thuajse ka bërë një revolucion në krye të klubit bardheblu, ashtu sikurse pritet të ketë ndryshime edhe në ekipin e sezonit të ri. Ideja është që Tirana të rikthehet brenda një vit në Superiore bindshëm, me një futboll argëtues, për të rikthyer tifozët në stadium.

Tirana pritet të fuqizohet me emra të rinj lojtarësh, ku do të dominojnë lojtarë “samba”, të cilët janë propozuar nga trajneri gjatë ditës së sotme, pas një takimi të gjatë që ka pasur me presidentin Rafik Halili, një ditë pas prezantimit. Është projektuar një Tiranë me disa lojtarë brazilianë, emra të spikatur që mund të garantojnë rezultatet dhe spektakël. Ai e pranoi një ditë më parë, gjatë prezantimit se lojtarët e rinj do të vijnë nga të gjithë anët, por vetëm emra cilësorë.

Trajneri brazilian Ze Maria dhe kapiteni Karabeci, prezantimi i djeshëm

“Kemi pak kohe deri në ndeshjen e datës 29 qershor (Europa League), megjithatë unë kam njohuri me lojtarë afrikanë pasi kam punuar në Afrikë, ashtu edhe me ata brazilianë sepse jam vetë nga Brazili, apo dhe në Itali ku kam punuar e jetuar. Do të gjejmë të duhurit.”

Trajneri i ri brazilian i bvardhebluve pranoi se “Kam ardhur këtu për objektivin e klubit, kam ardhur për të rikthyer tifozët dhe këtë ia dalim vetëm me futboll të bukur, i cili do të  na rikthejë në Superiore.”

Trajneri i ri i Tiranës pas prezantimit është njohur pasditen e djeshme me skuadrën për të nisur menjëherë punën.

Maria do të ketë dy ndihmës nga Brazili, Marco Aurelio do të ketë rolin e ndihmës-trajnerit ndërsa Rafael Costa atë të përgatitësit atletik. Stafi i ri i trajnerëve është prezantuar edhe me pjesën tjetër të stafit dhe futbollistet. Tirana ka nisur më pas përgatitjet për turin e parë të Europa Ligue.

Presidenti Halili mes stafit të ri drejtues, Gerti Dajçi dhe trajneri Ze Maria

Tirana e edicionit të ri do të ketë edhe një drejtues të ri sportiv. Ai quhet Gerti Dajçi, i cili tha se “si çun Tirone” rikthehet te bardheblutë, duke mos e fshehur gëzimin për besimin që iu dha  nga presidenti Refik Halili. “Dua të falënderoj zotin president, Refik Halilin për mundësinë që më dha të jem pjesë e Tiranës. U bëra pjesë e këtij projekti dhe dua ta ngremë klubin në atë nivel qe ka qenë. Ideja e projektit është që të ketë një menaxhim të mirëfilltë të Tiranës dhe do mundohemi t’i sheshojmë këto probleme. Aktualisht po diskutojmë me presidentin për të ardhmen.”

Tirana pritet të ketë ndryshime të mëdha edhe në funksionimin si klub, para sezonit të ri.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: