Redon Makashi: Po të isha i martuar s’do kisha këtë të ndjerë në muzikë

Redon Makashi: Po të isha i martuar s’do kisha këtë të ndjerë në muzikë
Redon Makashin, lirikun e baladave të dashurisë, më qëlloi ta takoja ndërkohë që në Tiranë binte tërmet. Me qetësinë dhe sinqeritetin e një kantautori të rafinuar, ai më foli me shumë dashuri për këngën që i ka bërë shoqëri tërë jetën, për familjen me të cilën jeton ende, për vazhdimësinë e traditës së rrokut, nga ai vjen. Ishte vetëm 8 vjeç kur ja nisi të këndonte. Për të plotësuar skenarin, studioi për piano në shkollën “Dëshmorët e Lirisë” e më pas në lice dhe konservator për klarinetë. Por dashuronte kitarën, këngën dhe kompozimin. Në vitin 1989 do të këndonte për herë të parë në televizion por me këngën “Jemi zemra e çdo moshe” djaloshi Makashi do të niste sukseset në karrierë. Djali i aktorit Fitim Makashi dhe këngëtares lirike Drita Makashi, ai ka ndërtuar me nota muzikën që kanë fishkëllyer shumë të dashuruar e sot pas kaq shumë vitesh karrierë nuk rresht së kompozuari me një mision “të pa-mundur”, të afrojë brezat me muzikën e pastër.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Po takohemi sot pas suksesit që ti së bashku me miqtë e tu, Elton Deda dhe Aleksandër Gjoka korrët në koncertin simfonik “Tre musketjerët”. Por ndërkohë ishe duke punuar për disa plane të tuat. Si po shkojnë ato?

Projektet e mia dhe koncerti “Tre musketjerët” ecnin paralelisht me njëra-tjetrën. Një herë shkonte njëri përpara e një herë tjetri. Në finish projekti i koncertit me miqtë e mi, eci shumë përpara dhe mund të them me shumë kënaqësi se ky kapitull u mbyll me sukses. U mbyll më sukses një ëndërr e jona e vjetër prej vitesh. Tani dua ta mbyll në sirtarin e mbresave të thella sepse të tjera projekte bashkërisht na presin.

Si Redon, unë kam pasur një plan për të cilin kam punuar shumë e tani do e çoj më tej. Do rikthej grupin “Arb” dhe kam kompozuar një këngë që është gati për regjistrim. E veçanta është dhe ajo për të cilën unë këmbëngul. Që kënga të regjistrohet në studio të mirëfilltë regjistrimi, pra me vegla të gjalla dhe akustikë e jo me elektronikë. Këngët si “Lot në shi”  e të tjera këngë të miat, që janë regjistruar po kështu kanë pasur suksesi në publik edhe për këtë arsye, sepse kanë shpirt, janë të gjalla sepse janë regjistruar me grup. Jemi drejt përgatitjes së regjistrimit të këngës së re dhe videoklipit, me studion e regjistrimit të këngëtarit të madh italian, Eros Ramazzotti në Milano. Ishin përcaktuar disa data por të cilat u shtynë për shkak të koncertit “Tre musketjerët”.

Është një këngë dashurie?

Unë aty e kam tendencën sepse vetëm këngët e dashurisë janë ato që i rezitojnë kohës. Kam bërë ca vite më parë një këngë “Asgjë nuk ndalet” që i kushtohet Tiranës së Re dhe shndërrimit të qytetit nga ndërtimet, një temë sociale kjo. Por ajo këngë e ka kohën e vet që mbaron. Sepse vërtetë Tirana ndryshon, një herë na duket e bukur e një herë e shëmtuar. Ndoshta ne jemi nostalgjikë e jemi në kontraditë, por ka kohën e vet e aty mbyllet. Ndërsa këngët e dashurisë nuk kanë kohë sepse dashuria nuk vdes kurrë, nuk ka as ndërtim e as shkatërrim.

Por ti shfaq edhe një ndjeshmëri tënden personale kur zgjedh më së shumti këngë dashurie, apo jo?

Unë jam kantautor. E duke pasur këtë lloj linje, mundohem ta përshtat këngën që të hyjnë të gjithë në të e të gjejnë veten. Hahata duke bërë shaka të them që ndoshta po të kisha qenë i martuar nuk do kisha ende këtë lloj të ndjeri në të shkruar e në muzikë, nuk e di. Fakti që nuk jam më ndihmon.

Në fakt kantautorët shquhen për rebelizëm, revolucion të brendshëm..

Sepse është një këngë që del nga një person i vetëm. Është si një kostum që na vesh si duhet e është i prerë enkas për ne. Kur kënga shkruhet nga një kompozitor, pastaj e merr atë autori i tekstit, pastaj orkestruesi, ajo pëson firo. E mirë por jo që ka jetëgjatësi. Sot në historinë botërore të muzikës mbijetojnë ose grupe legjendare ose kantautorët. Janë këngë që rezistojë në vite.

Në këtë këngë je dhe tekstshkrues?

Po provoj të shikoj edhe me tekstin se deri ku shkoj vetë. Më pas do ti kërkoj ndihmë Timo Fllokos, me të cilin ka pasur disa bashkëpunime të suksesshme. Them do provoj ta shkruaj vetë tekstin sepse sot nuk jam më si dikur, nuk jam aq i paimpenjuar dhe i qetë. Jeta ka ritëm tjetër, ke të bësh me lloj lloj situatash, njerëzit kanë ndryshuar e nuk di kush është mik e shok e kush e dashur. Më parë kisha fantazi për tekstet shumë më shumë se tani.

Meqë folëm pak për miqësinë, mes artistëve ka konkurencë, ka rivalitet. Në këto kohë, ju Eltoni dhe Aleksandri vazhdoni keni miqësi të ngushtë dhe bashkëpunim. Cili është sekreti?

Është një kohë shumë e çuditshme. Unë shikoj prindërit tanë që kanë pasur një marrëdhënie shumë të ndershme me sinqeritetin dhe ndjeshmëritë, janë një brez që na la një trashëgimi, pavarësisht se ne nuk jemi aq të mirë sa ata. Një pikë e kësaj trashëgimie është miqësia, siç ata janë rritur dikur, me shoqëri të pastër, pa interes. Tani ne e shohim vetë, është e pashpjegueshme por çdo shoqëri lidhet me interesin. Ne kemi ruajtur shoqërinë e hershme dhe rrymat muzikore për të cilën jemi fanatikë, pop-rock-un. Edhe në këtë të fundit kanë ndryshuar për keq gjërat. Shumë këngëtarë që dikur kanë bërë rok kanë ndryshuar rrymë për para. Ne të tre nuk jemi për këtë. Kemi fituar deri dje pak, më vonë edhe shumë, pastaj sërish pak. Por pa bërë asnjë kompromis me pasionin për rokun. Jemi në treg akoma pikërisht nga ky fakt. Kemi qenë gjithmonë me këmbë në tokë. Mund të fitonim shumë më shumë por jetojmë në Shqipëri e siç thotë populli duhet të shtrijmë këmbët sa kemi jorganin.

 

Dikur kur ju kaloni drejt koncerteve apo në rrugë njerëzi bënin siç bëjnë në botë fansat e rokut. Ju mungon ajo kohë?

Atëherë ishte fillimi, u bë një revolucion nga ne grupet e rrokut. Sot janë përzierë ca gjërat. Koncerti “tre musketjerët” ma risolli disi atë kohë. Njerëzit bërtisnin, me pasion, pas çdo këngë shprehnin dufin, mallin, stresin, revoltën ndaj kohës. Ata ishin aty për të çliruar shpirtin nga energjitë negative të ditëve tona. Kjo më habiti. Përpara se të hynim të këndonim kishim shumë emocion, menduam se do të gjendeshim përballë një publiku festivalor, por sapo hymë e skena ishte në errësirë, u drejtuan prozhektorët drejt nesh, publiku filloi menjëherë me duartrokitje që nuk i ndaloi për mbi tre orë koncert, duke na kërkuar edhe përsëritje të këngëve.

Por ka dhe diçka tjetër që më habiti, në këtë rast jo për mirë. Indiferenca e medieve audiovizive pas koncertit. U trajtua si një koncert në një pub. Ndërkohë që ishte një ngjarje shumë e bukur për muzikën por u la në hije. Nuk do kishte ndodhur kështu për një këngëtar të huaj. Se kuptoj akoma se përse ndodhi kjo. Çfarë është ky nënçmim për muzikën e mirë shqiptare? Pse duhet të vijë një këngëtar i huaj, pavarësisht nivelit, e të dynden tv të bëjnë kronika e kur tre këngëtarë që kanë disa dekada në skenë organizojnë një produkt të mirë, nuk denjojnë të bëjnë as 30 sekonda kronikë? Bëhet një aktivitet i rëndomtë politik dhe gazetarët janë aty të gjithë. Po kultura? Kujtoj gjithmonë Churchill-in të cilit i kërkuan që të hiqte ca nga buxheti për kulturën e t’ia jepte ushtrisë, se ishte luftë, e ai nuk pranoi kurrë.

Duhet të them se lajmi u shpërnda bukur vetëm nga rrjetet sociale e sa mirë që janë ato. Media dhe institucionet duhet të vlerësojnë artistët kur janë gjallë e jo pasi nuk jetojnë më.

 

Si është niveli i muzikës sot?

Muzika e mirë ekziston dhe ky koncert e tregoi këtë. Mendoj shpesh se me sa vështirësi mbijetojnë të rinjtë e talentuar që këndojnë rrok. Ata mbijetojnë falë pubeve live. Por kjo nuk mjafton. Bëhen talentshow si “The voice” etj por ata këngëtarë mbeten aty, e shoh pak gri të ardhmen e talenteve të reja, duhet më shumë mbështetje nga mediat dhe institucionet. Nga ana tjetër talentet ngelen në vend sepse mungon pena, nuk ka kush shkruan këngë për ta. Ata që shkruajnë këngë nuk bëjnë më krijimtari por shkruajnë vetëm për para. Më vjen keq se janë emra të njohur që i janë përshtatur tregut për të fituar para. Një këngëtar i ri nuk ka pse të këndojë vetëm cover-a, këngë të huaja, ka nevojë për prodhim shqiptar. Edhe në botë ka muzikë komerciale por ajo ecën paralel me klasicizmin.

 

Erdhën prindërit e tu në koncert?

Hahahaha erdhën fshehurazi, sepse kanë emocion të madh e nuk vijnë asnjëherë. Por vetëm kur i pashë në fund të koncertit të emocionuar që përqafonin Eltonin e Sandrin. Mbetën shumë të kënaqur, u ndjenë shumë mirë. Përjetuan suksesin e të treve.

Kur je bir i një aktori dhe një artisteje, ke krenari por edhe përgjegjësi që mos mbetesh djali i....

Dikur në plazh në Durrës, vajzat turreshin drejt Fitimit se ai ishte në ekran nga filmat dhe e njihnin më shumë. Gjoja e pyesnin për orën vetëm që ta shihnin. Ime më Drita i thoshte me humor dhe xhelozi: “Po ju në dorë e keni orën moj vajza.” Pra unë isha djali i tyre e ata ishin në qendër të vëmendjes. Unë isha i privilegjuar prej tyre. Artistët ishin në ato kohë më të vlerësuar e pak më të lirë. Sot ata janë prindërit e Redon Makashit. Sigurisht jam krenar dhe kam përgjegjësi.

 

Ku punon Redon me muzikën, ke studio tënden?

Unë zakonisht punoj në dhomën time, në shtëpi. Nuk kam një studio incizimi, kam veglat e mia me të cilat kompozoj. Aty tek muret e shtëpisë sime del lënda e parë. Atë shtëpi nuk dua ta ndërroj, nuk e di pse, as nga ana e mobilimit. I kam të gjitha mundësitë ta sjell në kohët e sotme, por nuk dua, as unë e as im atë. Me ato mobilie, me të njëjtën vendosje, të njëjtën atmosferë. Ashtu më frymëzon. Ndihem i lidhur shpirtërisht me kujtimet e asaj shtëpie.

 

E keni menduar ta çoni koncertin “tre musketjerët” jashtë kufijve?

Nuk e kishim menduar në fillim por pas jehonës dhe afeksionit që tregoi publiku, do të udhëtojë koncerti në Prishtinë, në Selanik, në Athinë, në Suedi, në SHBA, në Milano dhe Romë. Do të ketë një bashkëpunim me orkestrat simfonike të shteteve respektive. Në Kosovë jemi që në tetor dhe kemi besim në sukses të madh sepse edhe koncerti i Tiranës është përshkruar mjeshtërisht nga televizionet e Kosovës, më shumë se këtu.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: