REPORTAZH / Festa e heshtur e simpatizantëve të PS-së

REPORTAZH / Festa e heshtur e simpatizantëve të PS-së
Çfarë ndodh në oborrin e selisë së Partisë Socialiste. Prej dy ditësh, vetëm disa dhjetëra militantë. Si e shikojnë rezultatin ata pak njerëz që po presin të jepet sinjali i fitores

Albert Z. Zholi

Për dy ditë me radhë edhe pse kryetari Rama përcolli në një postim në Facebook fitoren në zgjedhjet e 2017-s, në selinë e PS ende nuk ka mbërritur aroma e festës së fitores. Nuk ka as fishekzjarrë, as brohorima, as njerëz të shumtë, as flamuj, as banderola, as bori, as thirrje.  Rreth ambienteve të selisë gjen gjithmonë disa simpatizantë të flaktë që duket sikur aty gjejnë forcën e tyre jetësore dhe të gjykimit. Sapo KQZ vendosi përfundimin e zgjedhjeve dhe mbylljen e kutive të votimit, vetëm këta, simpatizantët më të thekur të PS rendën drejt Selisë rozë. Ende pa u hapur mirë numërimi i votave, në selinë e PS në qendër të Tiranës prej tyre në oborr shihej një lloj atmosferë fitoreje. Rreth 30 simpatizantë rrinin në oborrin e Selisë në pritje të drejtuesve të PS apo të simpatizantëve të tjerë. Nuk ishte ai entuziazëm i 4 viteve më parë edhe pse “Exit Poll” kishte shpallur dy herë fitues PS me mbi 71 mandate.

Një fitore që po përcillet deri diku në heshtje. Ndoshta është vetë nisma e kryeministrit Rama që të mos bëjë festë paraprake pa dalë rezultatet pas numërimit të kutive të të gjitha kutive. Dëshira e atyre pak militantëve brenda oborrit të selisë ishte e madhe që të fillonte festa e fitores, por jo. Urdhri është të pritet përfundimi i numërimit.

Shumica e “të tridhjetëve” pinë cigare dhe fjalosen me gazetarët dhe kameramanët që kanë “pushtuar” hyrjen dhe sallonin e selisë rozë. Dhe pse të mbledhur rastësisht ata i shikoje të bisedonin sikur të ishin njohur prej vitesh. Të gjithë të qeshur dhe me një besim të madh në fitore. Shkëmbejnë fjalë mes tyre që fitorja është e sigurt dhe herë pas here hedhin sytë nga rruga në pritje të mbërritjes së kryetarit të tyre, Edi Rama. Mosha e tyre mesatare ishte tek të 65-at. Mbajnë në duar flamuj të vegjël kombëtarë dhe 3-4 flamuj të PS.

Njëri prej tyre prezantohet si profesor Sulejman Muça dhe thotë se është politolog. Ai flet me “Albanian Free Press” me një mënyrë që duket si zgjatim i fushatës zgjedhore.

“Për herë të parë në kaq vite, në mandatin 4-vjeçar, PS ka dhënë modelin e saj, në rikonceptimin urban. Pas shumë vitesh qytetarët u ndërgjegjësuan se çdo gjë që konsumon paguhet dhe nuk falet. Këtu është fjala për pagesat e energjisë. Reforma në arsim, përcolli një mesazh europian. Reforma në Drejtësi si një ndër plagët kancerogjene në tërë sistemin e drejtësisë, ishte tejet shpresëdhënëse. Reforma e ndarjes së re territorialo-administrative ishte proces produktiv”.

Ai thotë se këto janë vetëm disa, por sukseset në këto katër vjet janë të panumërta.

Në oborrin e selisë socialiste, dikush flet për mënyrën se si u zhvilluan votimet, dikush për pjesëmarrjen, për incidentet, dikush për rezultatet paraprake. Bisedat ishin nga më të ndryshmet. Por tek të gjitha mbizotëron entuziazmi, edhe pse festa është ende e heshtur.

 

 

 

 

Dhimitër Xhoga, mësues, pensionist

Këto zgjedhje ishin për mua zgjedhjet më të mira të realizuara në Shqipëri pas vitit 1990. Kjo u vu re qysh në fushatë ku nuk kishte incidente, nuk kishte krisma armësh, nuk kishte përplasje mes  militantëve të partive të ndryshme. Pashë një fushatë disi ndryshe, disi me frymë atdhetare. Madje pashë se kishte harmoni mes simpatizantëve të secilës parti. Ndërsa zgjedhjet në Tiranë ishin shumë të qeta. Pashë gjithë kohën televizor dhe nuk pashë ndonjë incident që të binte në sy. Kam qenë qysh në themelim anëtar i PS dhe vazhdoj të jem. Kam një besim të madh ën fitore. Besoj sepse kam ndjekur gjithë punën që ka bërë PS në katër vjet dhe pse është sabotuar nga LSI. Kryetari Rama ka punuar me pasion dhe me një përgjegjësi të madhe.

 

Gëzim Loka, ish-ushtarak

Jam simpatizant i PS qysh në krijimin e saj. Jam këtu për të festuar. Rama ka ditur të bëjë shtet. Në këto 27 vjet këto janë zgjedhjet më të mira.  Nuk është fitore thjesht se dua unë apo se e duan simpatizantët e PS. Këtë fitore e do gjithë Shqipëria, e do e ardhmja e vendit. Këto zgjedhje i takojnë PS të fitojë bindshëm. Them i takon sepse ka barë një punë që s’është bërë për vite të tëra. Kryeministri Rama që ditën e parë që erdhi në pushtet bëri lëvizje në drejtim që askush si mendonte. Së pari revolucion në arsimin e lartë. Mbylli ato universitetet kasolle që çdo ditë fabrikonin diploma. Revolucioni në energjinë elektrike, pagimin e saj, në legalizime. Ju se besoni. Disa njerëz të mi janë rropatur me vite të tëra, me vite për të bërë legalizimet e banesave, kanë paguar para, kanë zënë miq të rremë, por kurrë nuk i morën dokumentet e legalizimit. Por fitorja më e madhe është ideimi dhe këmbëngulja në Vetingun. Një luftë e tërë për ta çuar në fund.

 

 

 

Ndërsa Yzeir Llanaj, kryetar i shoqatës “Polifonia shqiptare”, është poetik në përshkrimin e emocioneve. “Festa është si polifonia shqiptare. Vjen e ëmbël si ajo këngë, si ato male, si ato zëra të bashkuar melodiozë. Besoj se shqiptarët i kanë bashkuar votat dhe zërat e tyre për Shqipërinë, për të ardhmen e saj. Jo më kot Rama kandidon në Vlorë, pasi ka në gjak patriotizmin që se ka asnjë politikan shqiptar. Asnjë politikan nuk foli për Shqipërinë në fushatë, por foli për partinë. Rama foli për Shqipërinë, për të ardhmen e saj”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: