SA MANDATE MERR PS? 68 PLUS/MINUS 2 - NGA EDUARD ZALOSHNJA

SA MANDATE MERR PS? 68 PLUS/MINUS 2 - NGA EDUARD ZALOSHNJA
NGA EDUARD ZALOSHNJA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Refreni i përditshëm i Edi Ramës ditët e fundit ka qenë dëshira e tij për ta patur i vetëm në dorë timonin e qeverisjes. Përkthyer në numër mandatesh, me këtë refren, Rama kërkon aq vota nga elektorati, sa të sigurojë 71 mandate për PS-në. Por ai ka sot PS-ja 71 mandate? Ndoshta po, ndoshta jo…

Para tre ditësh kreva një sondazh elektronik me 3000 të anketuar nga e gjithë Shqipëria. Duke kombinuar të dhënat e detajuara të atij sondazhi me historikun elektoral të secilit qark, bëra një projeksion të përafërt të mandateve, nga i cili më rezultoi që, nëse zgjedhjet do të ishin zhvilluar të dielën e kaluar më 4 qershor, PS-ja do të merrte 68 plus/minus 2 mandate.

Dhe përse ky projeksion ka një marzh gabimi statistikor plus/minus 2 mandate?

Të paktën në 9 qarqe (nga 12 gjithsej), mandatet e fundit janë ende të diskutueshme (brenda marzhit të gabimit statistikor të projeksionit). Kjo, sepse 19 për qind e votuesve janë ende të pavendosur nëse do të votojnë, apo se për cilën parti do të votojnë. Votat e këtyre votuesve të pavendosur i kam shpërndarë në partitë e ndryshme (përmes një modeli probabilitar), për të arritur te llogaritja e përafërt e mandateve për çdo qark.

Në qarkun e Beratit, PS-ja është fare pranë shtimit të një mandati në projeksionin tim. Gjë që do ta çonte atë në kuotën e 69 mandateve. Kështu, në projeksionin tim për Beratin, PS-ja ka pothuaj 22 mijë vota më shumë se PD-ja, por merr vetëm një mandat më tepër se ajo. Në qoftë se PD-ja merr vetëm 450 vota më pak se sa në projeksionin tim, PS-ja merr 2 mandate më shumë se PD-ja në Berat...

Në qarkun e Durrësit, gjithashtu, PS-ja është pranë shtimit të një mandati në projeksionin tim, gjë që do ta çonte në kuotën e 70 mandateve (në kombinim me mandatin shtesë të Beratit).

Nga ana tjetër, në qarkun e Korçës, PS-ja, sipas projeksionit tim, është pranë zbritjes nga 6 mandate, në 5. Gjë që do ta ulte në 67 mandate gjithsej (duke presupozuar se në qarqet e tjera nuk do të kishte ndryshime).

Edhe në qarkun e Vlorës, sipas projeksionit tim, PS-ja rrezikon të bjerë nga 8 mandate, në 7. Gjë që do ta zbriste në 66 mandate gjithsej (në kombinim me mandatin e humbur në Korçë).

Po mundësia për 71 mandate a ekziston?

Në qoftë se PS-ja i ruan të 68 mandatet që ka në projeksionin tim, si dhe shton 2 mandatet në Berat e Durrës, mund ta arrijë 71-shin, në qoftë se LIBRA nuk arrin të marrë 1 mandat në Tiranë. Atë mandat që s’do ta merrte LIBRA në kryeqytet, mund ta marrë PS-ja. Duke i dhënë kështu Edi Ramës timonin e shumëdëshiruar prej tij…

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shifrat e 2009 dhe 2013 dhe projeksioni më 4 qershor 2017

Në grafikun e mëposhtëm janë paraqitur mandatet që ka marrë PS-ja dhe aleatët e saj në vitet 2009 e 2013 dhe mandatet që mund të merrte PS-ja nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin të dielën e kaluar më 4 qershor. Shifra e mandateve në 25 qershor mbetet ende në pikëpyetje. 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: