Shanset e Tiranës ndaj Maccabi Tel Aviv? Cruyff flet për të ardhmen te Barcelona

Shanset e Tiranës ndaj Maccabi Tel Aviv? Cruyff flet për të ardhmen te Barcelona
Ndeshjen e parë ndaj  Maccabi Tel Aviv, e vlefshme për turin e parë kualifikues të Europa League, Tirana  do ta luajë në Izrael më 29 qershor, ndërsa të kthimit më datë 6 korrik, në Shqipëri.

Skuadra izraelite drejtohet nga i biri i legjendës së futbollit holandez dhe atij botëror, Jordi Cruyff.

Ndoshta kaq mjafton për të kuptuar shanset e Tiranës, që ra këtë sezon në një kategori më poshtë por e fitoi të drejtën e pjesëmarrjes në Europë falë trofeut të Kupës së Shqipërisë.

Për më tepër trajneri holandez i ekipit izraelit duket më i interesuar të komentojë merkaton dhe të ardhmen e tij te Barcelona, sesa dy përballjet që e presin me ekipin shqiptar.

Barcelona është e vendosur të forcojë ekipin gjatë verës, ndërsa ish-lojtari i saj, Jordi Cruyff, nuk mendon se afrimi i ndonjë lojtari të talentuar do të jetë i lehtë.

Duke qenë se ka punuar te Barça edhe si drejtor sportiv në të kaluarën, 43-vjeçari i di hyrjet e daljet e lojtarëve gjatë merkatos dhe kostot e lëvizjeve të tyre. “Kur nuk fiton LaLiga apo Champions League por vetëm Kupën e Mbretit, kuptohet se ka nevojë për të bërë ndryshime,” – theksoi ai për “Radio MARCA”.  - “Ata që marrin vendimet do ta hasen në vështirësi. Tregu i transferimeve nuk është i lehtë dhe më tepër çmimet janë në qiell.”

I pyetur rreth zërave që flasin për një rikthim të mundshëm të tij, në “Camp Nou” për t’u bërë drejtor sportiv, Cruyff rrëzoi spekulimet. “Përgjigja më e mirë për zërat që flasin rreth një rikthimi te Barcelona është fakti se kam zgjedhur të drejtoj një ekip.” Jordi ka zgjedhur të drejtojë ekipin izraelit të Maccabi Tel Aviv, kundërshtarit të Tiranës në Europa League. I pyetur nëse ka marrë ndonjë këshillë nga i ati, Johan, ish-futbollist i famshëm i Holandës dhe i Barcelonës, vlerësuar si një ndër lojtarët më të mirë në botë të gjithë kohërave, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë, Jordi përgjigjet: “Njeriu mëson nga të gjithë, e rëndësishme është që unë kam qenë gjithnjë vigjilent kur fliste babai im.”

Jordi Cruyff gjatë karrierës së tij, teksa aktualisht është trajneri i Maccabi Tel Aviv, ka luajtur tre sezone me Barcelonën, duke u larguar në vitin 1996 te një ekip tjetër i madh Manchester United.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: