Shifra rekord, Corentin Tolisso te Bayern...Robben: Karriera ime drejt fundit

Shifra rekord, Corentin Tolisso te Bayern...Robben: Karriera ime drejt fundit
Mesfushori i talentuar Corentin Tolisso do të jetë pjesë e Bayern Munchen për 5 vitet e ardhshme.

Klubi bavarez arriti marrëveshjen me Lionin, duke fituar betejën me Chelsea, për blerjen e mesfushorit, për të cilin pranoi të paguajë 41.5 milionë euro, një rekord i ri përsa u përket lëvizjeve në merkato, duke thyer atë të vitit 2012, kur kampionët e Gjermanisë paguan 40 milionë euro për të blerë spanjollin Javi Martinez.

Ky transferim përbën rekord edhe për Lionin, që mund të përfitojë edhe 6 milionë euro të tjera nga Bayern në formën e shpërblimeve. Bayern Munchen ka vendosur një rekord të ri në Bundesligë me 5 titujt radhazi kampion të fituar, ndërkohë që Liga e Kampioneve është kthyer në një obsesion për këtë klub, duke qenë se nuk triumfon në këtë eveniment që nga viti 2013.

Por klubit gjerman teksa vijnë lojtarë të së ardhmes, dhe po ashtu futbollit holandez po i largohet një ikonë. Arjen Robben e pranon se po afron momenti që të lërë futbollin.

Në një intervistë për revistën gjermane “Kicker”, holandezi theksoi se tani ka filluar të mendojë për atë çfarë do të bëjë kur të mbyllë karrierën e tij nga futbolli i luajtur.

Futbollisti i Bayern Munchen nuk e theksoi se kur do të jetë dita që ai do të tërhiqet nga futbolli i luajtur, por nuk përjashtohet mundësia që kjo të ndodhë në verën e vitit 2018.

“E vërteta është se karrierës sime po i vjen fundi. Çdo ditë e më shumë po mendoj të ardhmen time jashtë fushave të lojës. Në këtë moment jam i qetë dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë në vitin 2018. Jam i përqendruar tek situata ime aktuale këtu”, tha Robben.

Robben nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli si lojtar i Bayern, por si lojtar i Groningenit, klubi ku ai nisi karrierën dhe me të cilin ka ruajtur lidhje të forta. Ai është ende pjesë e kombëtares holandeze dhe konsiderohet një ndër lojtarët më të mirë në botë gjatë dekadës së fundit.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: