SI PARTITË E VOGLA, EDHE BASHKITË E VOGLA?- NGA EDUARD ZALOSHNJA

SI PARTITË E VOGLA, EDHE BASHKITË E VOGLA?- NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga EDUARD ZALOSHNJA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Qysh nga dita që u arrit marrëveshja Rama-Basha, ishte e qartë se ajo synonte shkrirjen/tkurrjen e partive të vogla. Disa prej tyre e nënshkruan aktin de facto të shkrirjes që të nesërmen e marrëveshjes, kur deklaruan se nuk do të regjistroheshin si sigla më vete në garën elektorale, ndërsa të tjerat po luftojnë për mbijetesë në kushtet e “mitralimit” të përditshëm nga dy partitë e mëdha.

Nuk dihet se çfarë kanë vendosur konkretisht Rama e Basha për bashkëpunimin e tyre pas zgjedhjeve, por ata e kanë bërë të qartë se do të bëjnë ndryshime të rëndësishme kushtetuese dhe elektorale. Ndërkohë, ata nuk e kanë përmendur reformën territoriale, të cilën PS-ja e bëri në bashkëpunim me LSI-në e PDIU-në, por pa pjesëmarrjen e PD-së.

Në kushtet kur fushata elektorale e dy partive të mëdha ka vetëm një pikë të përbashkët – sulmin ndaj LSI-së e partive të tjera të vogla të mbetura në garë – dhe kur bashkëpunimi i paszgjedhor PS-PD duket se do të ketë të paktën të njëjtën pikë të përbashkët – është më se e natyrshme që PD-ja të kërkojë një rishikim të reformës territoriale; kësaj radhe në bazë të konsensusit PS-PD, e jo të konsensusit PS-LSI-PDIU.

Sepse në fakt, ndarja territoriale e realizuar në vitin 2015, mban qartazi vulën e kompromiseve politike që PS-ja bëri në shkëmbim të votave që LSI-ja dhe PDIU-ja dhanë pro asaj ndarjeje. Kështu, variant i parë teknik i ndarjes, i përgatitur nga qeveria, bazohej në skemën 36+2: 36 bashki të bazuara në ndarjen e tradicionale të ish-rretheve, si dhe 2 bashki të vogla minoritare (Dropull e Pustec).

Me kalimin e PDIU-së nga opozita në mazhorancë, në këtë skemë u shtuan bashkitë e Konispolit dhe Rrogozhinës, gjë që hapi oreksin e LSI-së për ndarjen e Poliçanit nga Skrapari, Përrenjasit nga Librazhdi, dhe të Vorës nga Kamza. Më pas, deputetë të rëndësishëm të PS-së ushtruan trysni për ndarjen e Divjakës nga Lushnja, Belshit nga Elbasani, e kështu me radhë e me radhë. Me pak fjalë, nga 36+2 bashki, u shkua në 59+2 bashki.

Por a do të kthehet ndarja 36+2, në qoftë se PS-ja e PD-ja arrijnë një marrëveshje për rishikimin e ndarjes territoriale?

Ndoshta jo tamam. Për shembull, PD-ja mund të mos pranojë zgjerimin e bashkisë së Tiranës në kufijtë e vjetër të ish-rrethit të Tiranës. Sidoqoftë, ajo mund të pranojë një bashkim të Vorës me Kamzën, të cilës mund t’i bashkëngjitet edhe ish-komuna e Zall-Herrit (që ka mbetur si një ishull larg qendrës së bashkisë së Tiranës). Thënë ndryshe, ish-rrethi i Tiranës mund të ketë vetëm dy bashki – një në jug të Lumit të Tiranës dhe një në veri të tij.

Shmangie të pakta nga skema 36+2 mund të ketë edhe në ndonjë ish-rreth tjetër, por kuptohet që një skemë e re ndarjeje do të ketë shumë më pak bashki se sa ka sot – dy partitë e mëdha nuk do të kenë më nevojën që të krijojnë bashki/hambare elektorale për partitë e vogla...

Ndarja e vjetër e rretheve bazohej në kritere gjeografike, ekonomike, historike e zakonore. Dhe këto kritere janë testuar në dhjetëra, në mos qindra vjet – në regjime nga më të ndryshme politikisht. Një rikthim sa më i përafërt te ajo ndarje, do të ishte më se i natyrshëm.

Madje, në qoftë se bëhet një ndarje e re e bashkive, mund të rishikohen edhe kufijtë e qarqeve. Kështu për shembull, Kavaja (pasi t’i jetë bashkëngjitur Rrogozhina) mund të përfshihet në qarkun e Durrësit, e jo atë të Tiranës (një kavajasi apo një rrogozhinasi i duhet të kalojë nga Durrësi që të shkojë në Prefekturën e Tiranës). Dhe ndonjë ndryshim tjetër më i vogël mund të bëhet edhe në qarqe të tjera.

Sidoqoftë, duhet pritur fillimisht 25 qershori, si dhe produkti politik që do të prodhojë ai...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: