Tomor Topore: Ju tregoj takimet e befasishme me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun

Tomor Topore: Ju tregoj takimet e befasishme me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun
INTERVISTË/ Flet ish-përgjegjësi i Redaksisë së Informacionit të TVSH, Tomor Topore

-Enver Hoxha e përpinte kamerën, nuk kishte emocion para saj

Albert  Z. Zholi

Këtë personalitet e kam njohur nga afër në vitin 1995 në Athinë kur së bashku ndërmorëm shumë nisma në mbrojtje të emigrantëve dhe pse emrin e tij e kisha dëgjuar që në vegjëli. Tomor Topore ka studiuar në Institutin e Lartë Bujqësor në vitet 1964-1969.  E zgjodhi me dëshirë këtë degë, që nuk pëlqehej shumë në atë kohë nga ata që banonin në Tiranë, sepse si tip romantik, i pëlqente natyra, edhe sepse daja i kishte studiuar në B.Sovjetik i specializuar për seleksionimin e krijimin e varieteteve të reja të grurit me prodhimtari të lartë. Bisedat me të e shtynë të zgjedh Fakultetin e Agronomisë. Ka qenë student i mirë. Kishte shumë shokë, si: Sotir Tashi, Nevzat Kurti, Fuat Memeli, Ibrahim Baçi, Zyhdi Pepa, Mandir Çela etj.. Kërkesa e llogarisë nga pedagoget ishte normale, pa probleme në marrëdhëniet student-pedagog. Merrte pjesë rregullisht në leksionet dhe i shkruante , sepse nuk kishte libra për të gjitha lëndët. Por dhe pse studionte për agronomi, ëndrra e tij ishte të punonte në televizion ëndërr të cilën ja thoshte gjithmonë të fejuarës. Dhe me ndihmën e ish-ministrit Thoma Deliana, ëndrra ju bë realitet. Kur nuk e priste ai u caktua gazetar pranë RTSH, një institucioni tepër, tepër të vlerësuar në atë kohë pasi ishte I vetmi në llojin e vet. Nga viti 1988 deri në vitin 1992 ishte përgjegjësi i redaksisë së informacionit.

-Agronom me profesion por duhej dhe të mësoje kamerën, e mban mend xhirimin e parë që hodhe hapat e mëtejme për të qenë I sigurt në detyrën e re?

E mbaj mend si sot xhirimin  tim të parë, pasi nuk kishte të bënte me detyrën që kisha por me diçka familjare. Sa shkela në televizion P. Milkani më caktoi për të parë punën e pavarur, se si do ta filmoja, montoja e të bëja tekstin e ngjarjes. Pra kjo do të ishte prova ime e parë, ose ndryshe provimi për të kaluar klasën në këtë detyrë të re. Dhe këtë provim unë e realizova duke filmuar ceremoninë e fejesës së vëllait të gruas. Ju përkushtova deri ën detaj. Ideoja me mendje çdo gjë dhe pastaj filmoja. Nuk kisha marrë mësime ëpr këtë punë por vendosa ën funksion imagjinatën.  Këtë xhirim-film e ruaj sot dhe kësaj dite me një fanatizëm të madh. Më duket dritarja ime e parë e jetës dhe e quaj të shenjtë. Pirro e pëlqeu, madje më përgëzoi. U ndjeva mirë.  Ndërsa  kronikën e parë zyrtare që u transmetua në televizion i përket datës 1 Maj 1969, kur kisha rreth tre muaj që kisha filluar punën.  Ky ishte emocioni im I dytë. Edhe ky xhirim u pëlqye dhe tashmë mua mu hapën dyert në dy kanate. Mund të xhiroja lirshëm. Mund të them se ky xhirimi ishte suksesi im i pare Professional që doli me shumë sukses.

-Kush ta dha emërimin? Si shkove në TVSH dhe kush ishte drejtor? Si të pritën?

Atë kohë emërimin e jepte Ministria e Arsimit.  Sa mbarova fakultetin shkova në Ministri për emërimin. Isha në stres të madh. Kisha frikë se mos më emëronin në ndonjë shkollë të mesme bujqësore për mësim, apo në ndonjë kooperativë për agronom. Sekretarja e Ministrisë më sorollati rreth 20 ditë, derisa portierja që më dinte hallin më tha një ditë: ngjitu lart se ministri është në zyrë. Dhe ashtu bëra, e për fat e ndesha atë në korridor. Ministër në atë kohë ishte Thoma Deliana. I thashë dua të bisedoj për një problem. Mirë, më prit tek sekretarja për dy minuta kthehem. Dhe ashtu ndodhi. I thashë hallin, më dëgjoi me vëmendje e thirri nëpunësin e kritikoi dhe duke më thënë: sa të shkosh në Institut me autobus, do të gjesh emërimin gati. Vajtja tek sekretaria dhe më dhanë emërimin tek RTSH. Sa u gëzova. Nqs nuk do të shkoja tek Thoma Deliana nuk do të kisha shkuar aty. Gjithë jetën ja kam pasur borxh emërimin këtij njeriu të mirë.  Sot kurrë nuk të prêt një ministër si më ka pritur ai në atë kohë madje të ndikonte dhe në emërimin tim pa e njohur fare. Njerëz të mirë, të ditur që nuk bënin dallime. Kur mora emërimin ishte java e parë e shkurtit. Fluturoja. Mezi prisja të takoja të fejuarën dhe ti thoja lajmin e gëzuar. Ëndrra ime ishte realizuar. Të nesërmen që mora emërimin u paraqita tek drejtori i radios. Në atë kohë drejtor ishte Klimi Misa,i cili më tha të bëja nja dy foto për fletëhyrjen që të filloja punë. Si për fat të dytë emërimi im përkoi me vendimin e Byrosë Politike të PPSH-së, për të kaluar televizioni nga faza eksperimentale në program të rregullt. Në lidhje me këtë fazë të re drejtori Misa më vuri në dukje se po organizohemi e po mbledhim kuadro që do të punojnë në TV, pasi tashmë do të ketë më shumë hapësira. Klimi Misa në atë kohë ishte drejtor edhe i radios edhe i televizionit. Ai ishte njeri shumë i mirë, i urtë, komunikues dhe me kulturë. Marrëdhëniet me të ishin shumë të mira e respektoja e kryeja mirë punët dhe ai sillej ngrohtë dhe më donte e më vlerësonte. Njerëz të tillë i gjen shumë rrallë sot.

Kush  e përbënte bërthamën e RTSH në atë kohë që shkove? Si dhe ku u përgatitët për xhirime dhe realizimin e telekronikave, kush ishte ai që ju mësonte dhe si vazhdoi përgatitja?

Në atë kohë gazetarët ishin heronj. Nuk kishin asnjë komoditet që nga pajisja e zyrave dhe deri tek pajisjet e xhirimit që ishin shumë të rënda. Port ë gjithë ishin njerëz të sakrificës dhe njerëz të etur për dije. Kur shkova në RTSH gjeta gazetarë të njohur si Alfons Gurashi, Dh. Rembeci, Stoli Beli, Petro Lati, Gazmir  Shtino, etj. Unë, Petro e Gazmiri do të përgatiteshim për t’u bërë telekronista. Kishin ardhur dhe disa djem nga rrethet e mëdha të vendit që do ishin telekronistët e atyre rretheve. Në redaksinë e informacionit të radios mësonim si përgatiten lajmet. Ndërkohë për mësimin e artit kinematografik, na jepnin leksione e na bënin praktikë regjisori Piro Milkani e operatori Faruk Basha. Detyra ime ishte telekronist, i cili filmonte dhe përgatiste lajmin , pra pasqyronte jetën ekonomike, kulturore e artistike, ngjarjet e ndryshme.

Puna në një televizion është komplekse, është zinxhir, ku duhet të funksionojnë në mënyrë harmonike të gjithë hallkat. Gjëja më e parë ishte ngritja e nivelit profesional. Për këtë me mundësitë e atëhershme shfrytëzonim çdo mjet për tu kualifikuar. Takimet, vizitat në Kinostudio më ndihmuan shumë për të njohur teknologjinë e kohës, radhën e punës përvojën e realizimit të kronikave e dokumentarëve. Natyrisht ngritja profesionale e çdo individi çon dhe në rritjen e cilësisë, e larmisë së paraqitjes së emisioneve. Një ndihmesë të madhe kam dhënë në përgatitjen profesionale të telekronistëve të rretheve të vendit. Më vonë kur unë e perfeksionova punën të gjithë telekronistët që janë emëruar gjatë 23 viteve që punova në TV janë përgatitur nga unë.

Më vonë RTSH u kompletua. Në ato 20 vite kush ishin drejtuesit,  gazetarët, operatorët dhe teknikët që e bënë me emër këtë institucion kaq të rëndësishëm dhe  të kontrolluar nga partia dhe Sigurimi?

Ishin shumë, por do përmend ata që i dhanë fytyrën e vërtetë RTSH, atij gjiganti që krijoi më vonë të gjithë televizionet private. Të flasim për drejtuesit…Drejtuesi i parë, organizuesi e krijuesi i TV ishte Klimi Misa. Pastaj erdhi Marash Hajati, një njeri me horizont, autoritar me iniciativë, i guximshëm, i cili bëri si të thuash një revolucion, duke futur ide të reja e duke bërë organizime për një funksionim më të mirë të punës në TV gjë që bëri të ngrihet ndjeshëm cilësia e programeve. Pas tij erdhi Agron Çobani, radiokronist i shquar, novator e i talentuar.

Virgjil Kule ishte drejtori simpatik e i fundit i periudhës deri në vitin 1992. Gazetar i talentuar njeri i qetë i respektueshëm zotërues i disa gjuhëve të huaja, bëri shumë për t’i dhënë një larmi programeve e roitjes cilësore të tyre. Ndërsa për gazetarët dhe operatorët dhe teknikët po të përmend Alfons Gurashin, Milto Bakën, Shyqyri Skënderin, Vladimir Grillon, Amalia Dhamon. Gëzim Qinami, Halit Lleshi etj., si dhe operatorët e talentuar Gazmir Shtino, Astrit Omeri, Bujar Kore, Astrit Kazaferi, Arjan Negro, inxhinieren Natasha Shpuza, etj.

-Në shumë biseda që kemi bërë ju më keni përmendur disa takime me Enver Hoxhën, mund t'i përcillni lexuesit disa detaje nga këto biseda?

- Po, është e vërtetë. Enver Hoxhën për vetë natyrën e punës që kisha e kam takuar disa herë. Takimet me të për mua mbeten kujtimet më të bukura të jetës. Ai të përpinte, të shtangte, i bukur, i gjatë i paraqitshëm, i ditur, kur ishe para tij të mekej goja. Konkretisht takimin e parë emocional me Enver Hoxhën e kam patur në prill 1969 në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve mbajtur në sallën e Akademisë së Shkencave. Atë kohë unë kisha rreth tre muaj që kisha filluar punë si shefi i redaksisë së lajmeve të radios. Ishin muajt e fillimit.  Atë ditë në mëngjes  Thoma Kerkeshi, më thotë do shkosh bashkë me Agron Çobanin të ndiqni punimet e kongresit.  Thomai më informoi se si do të veproja: Do shikosh kush merr pjesë nga udhëheqësit, kush do hapë punimet e kush do mbajë raportin, e të na japësh lajmin në telefon. Disa minuta para se të mbaronte pjesa e parë e të bëhej pushim, ndërsa Agroni merrte intervista, unë hyra në një dhomë me kolltukë, ku ishte telefoni i vendosur në një tavolinë të vogël pranë dritares. Do të bëja raportimet e domosdoshme deri në atë kohë. Fillova të formoj numrin. Isha me fytyrë nga dritarja dhe fillova të flas e të jap informacionin. Sapo ula receptorin, befas ndjeva që dikush më preku lehtë në sup. Kthej kokën dhe shikoj Enver Hoxhën, i cili më buzëqeshi e më tha: Flet bukur, ku punon ? Në fillim shtanga! U meka! E kisha ëndërr ta takoja. Pasi e mora veten nga emocioni, i thashë se kam filluar punë në radio. Ashtu? Shumë mire! Po nga je? Prindërit i kam nga Gjirokastra, nga familja Topore. U mendua një çast dhe m’u drejtua: A e di që në Gjirokastër ka një rrugë që i thonë sokaku i Toporeve? Jo,- u përgjigja, unë jam lindur në Tiranë. Mirë, mirë,  punë të mbarë. Keni një punë me ëprgjegjësi dhe ta bëni me fanatizëm më tha dhe u largua duke buzëqeshur. Unë ende dridhesha i tëri. Nuk e besoja se kisha takuar Enver Hoxhën.

-Pas këtij takimi, e ndjeje se do kishe po këtë emocion pot a takoje sërish? Kur përket takimi i dytë?

Di të them që të gjithë shokët e mi që e kanë takuar me qindra herë Enver Hoxhën, sa herë e takonin u dukej si takimi I parë. Jo se ai nuk sillej mirë, jo se ai na qortonte, por vetë pamja e tij, vetë madhështia e tij të bënte që ta respektoje. Pastaj ishte dhe ajo tjetra. Enveri dilte në televizion rrallë dhe për mall. Shumë rrallë dhe kur dilte të gjithë kishin dëshirë ta shihnin pa le më ta takonin. Takimi im i dytë me të përkon me festimin e 60 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Ishte një festë e madhe. Një festë që PPSH dha orientim të festohej siç e meritonte. Ne ishim totalisht të mobilizuar që ta përcillnim në mënyrë sa më dinjitoze këtë festim. Bëmë nj organizim perfekt. Ja erdhi momenti që në tribunë të dilte udhëheqja e PPSJ me në krye Enver Hoxhën. Ishte momenti më serioz. Të gjithë udhëheqësit dolën në tribunë dhe filluan të përshëndesnin popullin. Ne si televizion por edhe operatorë nga Kinostudio “Shqipëria e re” po bënim maksimumin të mos na shpëtonte asnjë element. Në gatishmëri të plotë dhe plot entuziazëm. Ishim afër tribunës që të përcillnim detaje nga përshëndetja e udhëheqësve. Në këtë moment na afrohet Mehmet Shehu dhe me atë seriozitetin dhe ashpërsinë e tij në thotë:  Largohuni më tej! Ikni se na mërzitët, nuk e shikoni se po na shqetësoni. Ne shtangëm pasi mundoheshim të bënim sa më mirë detyrën. Ishim në kulmin e vigjilencës. Enveri Qe ishte në krah të tij ndërhyn me të qeshur: “Shoku Mehmet, lëri djemtë të punojnë. Ata i shoh të përkushtuar në punë dhe të përgjegjshëm. Me punë e tyre ata do shkruajnë historinë, do ta dokumentojnë atë. Eh sa mirë do ishte sikur të kishim të filmuar luftën tonë nacional-çlirimtare, betejat e partizanëve tanë trima. Shumë nga ato beteja po të ishin filmuar do ishin frymëzuese per brezat”. Fjalët e tij na qetësuan, na bënë me krah. Mehmeti ishte shumë i ashpër dhe i pakënaqur me çdo punë.

Nga këto takime kush ishte disi më specifik, më i veçantë? 

Çdo takim me Enverin ishte  një kënaqësi, ishte një ndjenjë e veçantë specifike. Ai përcillte mirësi tek çdo njeri. Ishte i qeshur dhe shumë dashamirës me njerëzit e punës. Mbaj mend një takim kur për herë të parë u dha në Tv një mbledhje e Byrosë Politike. Besoj ishte viti 1983. Deri atëherë asnjëherë nuk xhirohej në Byronë Politike. Nuk e do pse ishte marrë ky vendim. Atë ditë për të bërë filmimin isha caktuar  unë së bashku me operatorin Stefan Gajo. Hymë brenda në KQPPSH dhe rrinim në gatishmëri të vinte E. Hoxha. Kur nuk e prisnim, befas  u hap dera e ashensorit, dhe ai me atë të qeshurën e tij e na përshëndeti. Ne filluam xhirimin. Nuk pritëm. Enveri buzëqeshi dhe njëherë dhe na tha: “Filluat nga puna djema? Nuk duroni sa të fillojmë?!” dhe hyri në sallë. Atë ditë e mbaj mend si sot. Enver Hoxha u ul në qendër të tavolinës së bashku

me shokun Ramiz Alia. Ata seç biseduan me njeri-tjetrin. Ramizi tregohej më i hedhur dhe aktiv. Enveri shikonte çdo gjë me vëmendje. Kur filmuam disa minuta shoku Ramiz na thotë më dashamirësi, me atë të qeshurën e tij disi të shtirë: “Djema, mjaft filmuat, ikni tani, dilni”.  Ne ishim aq të përqendruar në punë, sa nuk e vumë re dhe nuk e dëgjuam saktë çka tha dhe  për të qenë më të sigurt për pamjet vazhdonim të filmonim. Sikur ta ndjente hallin dhe shqetësimin tonë Enveri ndërhyn duke thënë” Shoku Ramiz,  lëri djemtë se nuk kanë të ngopur. Ndërkohë ai filloi të fliste dhe hapi mbledhjen e Byrosë Politike me atë zërin e tij kumbues.

E mbani mend sa herë e keni filmuar Enver Hoxhën?

Me numër jo pasi e kam filmuar në shumë raste nga larg. Nga afër këto kanë qenë, por kam patur fatin e madh ta filmoj E. Hoxhën në festat e 1 Majit në kongrese e në shumë raste të tjera. Pra janë me dhjetëra raste. Në të gjitha filmimet di ët them me siguri se Enver Hoxha e printe kamerën, nuk kishte emocion nga ajo. Ishte i sigurt para saj dhe nuk kërkonte parapërgatitje. Të gjithë udhëheqësit e tjerë që nga Mehmet Shehu e me radhë kishin emocion apo nuk kishin qejf kurrë të dilnin para kamerave pasi ose nuk kishin siguri ose i emociononte së tepërmi.

Vdekja e Enver Hoxhës ka qenë një moment i veçantë?  Keni qenë pjesë e xhirimit në ceremoninë e varrimit të tij?

Posi jo. Di të them se të gjithë kanë qarë në vdekjen e tij, madje më shumë ata që e shajnë sot. RTSH e filmoi gjithë ceremoninë e varrim it duke vendosur kamera në disa pika kryesore ku do të behej lëvizja e trupit të tij në shtratin e topit. Të gjithë në televizion kanë qarë ato ditë pacaka që sot disa e mohojnë. Unë si Përgjegjësi i Zyrës së Informacionit kam qenë gjithë kohën në lëvizje për atë xhirim. Dhamë pjesët kryesore të lëvizjes së arkivolit në shtratin e topit, Ishte nj funeral madhështor, I gjithë populli gjatë ditëve të homazheve në Pallatin e Kongreseve qante. Nuk kam parë kurrë aq lot nga një popull. Mizëri njerëzish. Populli nuk e besonte. Kjo është ajo që kam parë unë ato ditë, ndrysa sot çdo kush e tregon sipas mënyrës së tij. Ditët e homazheve dhe dita e çuarjes së trupit të tij në varrezat e Dëshmorëve ishin ditët që pashë nga afër se sa e donte populli një udhëheqës.

Takimi i fundit ishte kur ai ishte i vdekur. Kam qenë pranë tij me kamera e mikrofon në ceremoninë madhështore të nderimit që i bëri populli ynë.

"Puna ime në celuloid në TVSH"

Një punë e madhe, kolosale, orar pa orar. Një punë që sot nuk mund  të imagjinohet për vetë kushtet ku makinat nuk ishin si sot, rrugët nuk ishin si sot, telefonat nuk ishin si sot, ushqimi nuk ishte si sot. Por ne kishim ndërgjegje në punë dhe dashuri për punën.

Në redaksinë tonë të informacionit përfshiheshin edhe emisionet ekonomike-bujqësore, e sportive. Kam realizuar qindra emisione, që po të bësh një llogari të thjeshtë që për një emision 30 minuta harxhoheshin 500 deri 600 metra film i bie të kenë kaluar nëpërmjet syrit tim 60 kilometra film, plus gjatë punës 10 -vjeçare si telekronist i Tiranës kam harxhuar 25 kilometra film të tjera. Këto emisione rubrika e telekronika janë realizuar duke shkelur në të gjithë vendin. Nuk ka mbetur jo qytet po fshat pa shkuar, nga Konispoli deri në Vermosh dhe jo vetëm njëherë.

Pritja nga populli ka qenë e mrekullishme, e papërshkruar, gëzoheshin kur shkonim të paraqisnim jetën dhe punën e tyre. Çfarë të të them nuk mbahen mend drekat e darkat që kemi ngrënë me ta, me atë që kishin dhe sa herë e kemi gdhirë duke pirë raki.. Aparaturat e para që u vunë në godinën e re të TV ishin kineze, të prodhuara për herë të parë dhe që u eksperimentuan tek ne. Filmi që përdornim ishte film negativ, montohej po në negativ dhe kur transmetohej në Efir aparatura e kthente në pozitiv. Në fillim filmat i lanim në Laboratorin e Kinostudios nën drejtimin e inxhinierit teknologjik Nasi Shamia. Më vonë me specializimin e disa vajzave bëhej tek ne në TV. Por teknologjia kineze nuk i rezistoi kohës, kishte defekte, ishte me cilësi të dobët dhe më vonë u blenë aparatura të reja në Francë. Me kalimin e viteve edhe teknika përmirësohej, silleshin aparatura të reja me teknologji të kohës.

Në fillim kamerat tona ishin të markës zvicerane “Bolex” që kurdiseshin me dorë, ishin me zemrek. Më vonë erdhën kamera gjermano- perëndimore Ariflex më të avancuara që lidheshin me një magnetofon dhe bëhej njëkohësisht edhe marrja e figurës edhe e zërit,që në gjuhën tonë i themi sinkron. Pastaj erdhën kamera elektronike “Ikegami” nga Japonia dhe kur kaluam në transmetimin nga bardh e zi në atë me ngjyra, teknologjinë e morëm nga Gjermania Perëndimore. Aparaturat ishin të firmës “Boch”. Ishin shumë më praktike dhe komode. Teknologjia kishte përparuar dhe ne ecnim krahas saj dhe pse ishim vend i varfër. Ecim krahas vendeve më të zhvilluara në teknologji.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: