TRE GJËRA QË NUK SHKOJNË ME KËTË FJALË - NGA FRROK ÇUPI

TRE GJËRA QË NUK SHKOJNË ME KËTË FJALË - NGA FRROK ÇUPI
...Nuk mund të ndodhë “bashkëqeverisja” pas datës 25. Po ndodhi?... Sigurisht nuk ndodh!

Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Fjala është 'bashkëqeverisje". Ka gjithë këto ditë që po e dëgjojmë shpesh e më shpesh. Nganjëherë mendoj se janë krijuar "skuadrat" e fshehta të agjitacionit të periudhës së diktaturës, të cilat lëshonin fjalë që nuk thuheshin zyrtarisht, por në fakt bënin vend. Kësaj here fjalët e lëshuara se 'edhe pas 25 qershorit' do të ketë bashkëqeverisje mes PS dhe PD, duket se po zë vend në 'qullosjen' e fushatës elektorale. Nuk e shikoni që fushata nuk ka as energji, as entuziazëm, as nerv, as interes?! Sepse shumë njerëz po mendojnë 'puna është vendosur, si të votosh si të mos votosh'.

Me fjalën 'bashkëqeverisje' që nënkupton periudhën pas votimeve të 25 qershorit, mes dy kundërshtarëve më të mëdhenj politikë (PD e PS), nuk shkojnë, të paktën tre elementë madhorë:

I pari, në qoftë se do të ndodhte 'bashkëqeverisja' mes PD dhe PS, në fund të mandatit nuk do të kishte më PD. Gjatë rrugës së pushtetit, demokratët që i janë bashkuar PD-së për arsye ideje, nuk mund të ndodhen këtu. Në radhën e militantëve të PD do të jenë vetëm ata që do të qëndrojnë për shkak të interesave në punësim ose në ndonjë privilegj tjetër. Privilegjet nuk e mbajnë kurrë një parti gjatë më këmbë, edhe pse jemi mësuar t'i shikojmë njerëzit që kapërcejnë sa në njërën parti në tjetrën 'për arsye pragmatiste interesi'. Por, si vendet e punës në administratë, edhe privilegjet që mund të japë PD për militantët e vet, do të jenë shumë më të kufizuara kësaj here. Pse? Sepse Partia e Madhe do të gllabërojë pjesën e 'luanit' dhe nuk do të ndodhë si me arkitekturën PS-LSI... Sepse vetë administrata do të jetë më e ngushtuar... Sepse 'nderi' i shpallur i PD gjatë protestës është që 'nuk shitemi për interesat tona'... Sepse privilegjet me tenderë, etj., nuk mund të jenë aq shumë sheshit, thonë se reforma në Drejtësi do të nisë të funksionojë.

Një qeveri 'e gjerë' e përbërë nga kundërshtarët politikë të mëdhenj, mund të bëjë edhe të keqen më të madhe, pa i hyrë 'gjemb në këmbë'. Kanabizimi i vendit dhe kriminalizimi i politikës që kanë ndodhur katër vjetët e fundit do të konsiderohen si 'veprat më të pranuara' qeveritare. Vjedhja dhe krimi mund të bëjnë namin

Atëherë ku do të jetë PD? Këta që do të mbeten në qeverisje nga radhët e PD do të jenë çfarë të duash, (Socialistë, anarkistë, pa fe politike...), por vetëm demokratë- jo. Ndërsa ata që kanë mbetur dhe do të mbeten jashtë lidershipit të PD do të kenë ngritur stuhinë e akuzave se 'po qeverisni me oligarkinë', dhe se duam 'PD tjetër'; dhe kjo stuhi mund të ngrihet sapo të nisë mandati qeverisës.

Elementi i dytë: Vendi do të mbetet përsëri pa politikë pluraliste. Jo vetëm do të shkelet natyra Kushtetuese e shtetit sipas të cilës politika e Republikës është pluraliste, por do të shemben shumë kolona (kolona e besimit qytetar, kolona e idesë së shtetformimit, kolona e kontrollit mbi qeverinë, etj). Humbja e besimit do të jetë flagrante për PD e cila u krijua si oponenca e parë e diktaturës komuniste dhe themeloi pluralizmin politik në vend. Aq më tepër që PD u instalua në një protestë 90 ditore pas 18 shkurtit, duke kërkuar edhe 'me sakrificën e fundit' moscënimin e pluralizmit politik nga kundërshtari. Ndërsa qeveria nuk do të kontrollohet më nga qytetarët; pa opozitë nuk ka kontroll më. Media është 'e futur në xhep' siç ka pranuar vetë PD, institucionet fetare nuk kanë bërë kurrë oponencë ndaj 'djallit', LSI që mendohet se do të jetë në opozitë po sulmohet me 'napalm' dhe mund të zhduket. Atëherë mund të ndodhë që 'qeveria e gjerë' të themelojë edhe opozitën, gjë që është një katastrofë politike.

Por një qeveri 'e gjerë' e përbërë nga kundërshtarët politikë të mëdhenj, mund të bëjë edhe të keqen më të madhe, pa i hyrë 'gjemb në këmbë'. Kanabizimi i vendit dhe kriminalizimi i politikës që kanë ndodhur katër vjetët e fundit do të konsiderohen si 'veprat më të pranuara' qeveritare. Vjedhja dhe krimi mund të bëjnë namin.

Elementi i tretë duket si sentimental, por në fakt është përcaktues në kolonat e shtetit: Në themel të kundërshtive mes PS dhe PD është origjina e tyre. PS si pasardhëse e Partisë Komunistë që ushtroi diktaturën më të egër në kontinent apo jashtë tij, mbron (herë me finesë dhe herë me brutalitet) trashëgiminë komuniste. Vetë liderët e PS kanë thënë me mburrje se 'të majtët janë shumicë' në vendin tonë, duke i fryrë një fanfare dinake që i mban militantët e majtë në gatishmëri për të qenë kundër 'ballistëve', 'trockistëve', 'armiqve të diktaturës së proletariatit'.

Ndërsa në anën tjetër qëndron PD që ka në qëllim 'kurën' ndaj viktimave të diktaturës. Viktimë konkrete ishin mijëra, por viktimë reale ishte një popull i tërë. Atëherë, vallë, PD do ta lëshojë këtë kauzë me të cilën është ngjizur? Në qoftë se qeveris me PS (ish PPSH), atëherë kauza bie. Me këtë rast bie mburoja e viktimës së diktaturës, por bie edhe ideja pse PD ekziston. Nuk mund të bëhet krahasim me asnjë shoqëri tjetër ku diktaturat kanë qenë qindra herë më të lehta; këtu puna është e thellë... Mbi të gjitha, anëtarësia e PD do të ishte anëtarësi pa përkatësi politike, ose 'pa fe'; dhe viktimat e diktaturës do të ndjehen pa mbrojtës e mund të bëjnë 'çfarë u thotë mendja'.

...Nuk mund të ndodhë “bashkëqeverisja” pas datës 25. Po ndodhi?... Sigurisht nuk ndodh!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: