UKT apel kryeqytetasve: Mos shpërdoroni ujin se do ndëshkoheni

UKT apel kryeqytetasve: Mos shpërdoroni ujin se do ndëshkoheni
Nisur nga thatësira e zgjatur, moti i nxehtë dhe mungesa e reshjeve të shiut gjatë muajve të fundit, Ujësjellësi i Tiranës apelon qytetarët e Tiranës që të përdorin me kursim dhe përgjegjësi qytetare të ujit të pijshëm.

UKT bën me dije se në bashkëpunim edhe me Bashkinë e Tiranës, ka ngritur grupet e Task Forcës të cilët janë gjatë gjithë kohës në terren për të mos lejuar shpërdorimin pa kriter të ujit, si dhe për të marrë masat përkatëse për këdo që nuk respekton Kodin e Ujit.

Duke qenë se shpërdorimi pa kriter i ujit të pijshëm ndikon në furnizimin normal në të gjithë rrjetin e shpërndarjes, çdo shkelje a shpërdorim i ujit do të ndëshkohet sipas ligjit.

“Me këtë rast u bëjmë thirrje administratorëve të pallateve që të tregojnë një kujdes më të madh, të kontrollojnë vazhdimisht funksionimin normal të pompave dhe depozitave, për të mundësuar maksimumin e furnizimit me ujë të pijshëm, duke eliminuar çdo shpërdorim të mundshëm të tij”.

Për disa zona të izoluara, të cilat janë edhe pika fundore e rrjetit të shpërndarjes të ujit, në të cilat mund të vërehen kufizime, Ujësjellësi i Tiranës thotë se ka marrë të gjitha masat, duke vënë në dispozicion botet e ujit në mënyrë periodike.

Gjithashtu, Ujësjellësi i Tiranës fton gjithë qytetarët që të telefonojnë në çdo kohë në numrin pa pagesë 0800 44 88 për të raportuar çdo rast ndërhyrje apo shpërdorimi të ujit të pijshëm nga persona të papërgjegjshëm. /e.g/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: