Ushtronte dhunë ndaj fëmijëve, arrestohet edukatorja e kopshtit privat

Ushtronte dhunë ndaj fëmijëve, arrestohet edukatorja e kopshtit privat
Një tjetër rast dhune ndaj fëmijëve, është shënuar në institucionet arsimore. Këtë herë bëhet fjalë për dhunën e ushtruar në 2 fëmijë të një kopshti privat, nga edukatorja e tyre. Pas denoncimit të bërë nga prindërit, Policia e Tiranës ka vënë nën pranga Denida Rexhepin, edukatoren 30-vjeçare nga Elbasani, pasi sjelljet e saj janë faktuar nga kamerat e sigurisë. Ka qenë nëna e një prej fëmijëve të dhunuar, ajo që ka denoncuar në polici dhunën e ushtruar nga edukatorja tek fëmija e saj, vetëm 20 muajsh, në kopshtin jopublik “4 stinët”. “Më datë 04.06.2017, Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 2, kanë arrestuar shtetasen: D. R., 30 vjeçe, banuese në Tiranë, me profesion edukatore kopshti. Kjo shtetase është arrestuar, sepse me datë 04.06.2017, në mjediset e Komisariatit të Policisë Nr. 2, janë paraqitur shtetaset J. B. dhe M. L., të cilat kanë bërë kallëzim duke pretenduar se më datë 30.05.2017 dhe 31.05.2017, shtetasja D. R., duke kryer detyrën e saj si edukatore pranë një kopshti privat në rrugën “Nikolla Lena”, ka ushtruar dhunë fizike ndaj fëmijëve të tyre të mitur në këtë kopsht”, - thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Por si është zbuluar dhuna e fëmijëve? Gjithçka ka nisur kur një tjetër prindër i interesuar për të regjistruar fëmijën e tij në kopsht, ka monitoruar një orë mësimi përmes filmimeve të vëna në dispozicion nga kopshti. Në këto pamje, ajo ka vënë re sjellje aspak normale dhe të dhunshme, duke vënë në dijeni edhe prindërit e fëmijës së dhunuar që iu drejtua më pas policisë. Dy ditë pas këtij denoncimi, puna në kopsht vijon normalisht, ndërkohë që prindërit e tjerë pohuan se do i drejtohen policisë për të siguruar pamjet dhe për të parë nëse fëmijë të tjerë në këtë kopsht, janë dhunuar ose jo. Nga të dhënat, rezulton se kjo edukatore kishte rreth 2 vjet që punonte pranë këtij kopshti.

Nga ana tjetër, psikologia e kopshtit ka mohuar të kishte shenja dhune tek fëmijët, por sipas saj, bëhej fjale vetëm për tërheqje të vëmendjes. “Nuk flitet për shenja dhune, flitet për një tërheqje vëmendje karshi fëmijës, por gjithsesi është e gabuar. Edukatorja në fjalë, ka rreth dy vjet që punon këtu. Ndoshta kjo ka ndodhur për shkak të gjendjes së saj psikologjike, emocionale, sepse janë gjëra dhe gabime njerëzore, por jo në këtë profil, këtu nuk lejohet. Në një periudhë të shkurtër, por ka ndodhur, shpesh herë, në disa fëmijë. Nuk kemi pasur asnjë rast tjetër denoncimi nga prindërit e fëmijëve. Jemi të shokuar, të tronditur, e dënojmë si fakt. Organet kompetente do të merren me zgjidhjen e gjërave”, - pohon psikologia e kopshtit privat, “4 stinët”. s/i

Shpërndajeni me miqtë tuaj: