Zgjedhjet jehonë në mediat e huaja: Shans për avancimin e Shqipërisë drejt BE

Zgjedhjet jehonë në mediat e huaja: Shans për avancimin e Shqipërisë drejt BE
Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve po i kushtojnë rëndësi zgjedhjeve parlamentare që sapo u mbyllën në Shqipëri. Ata nënvizonin se zgjedhjet e lira do të thonë avancim drejt Bashkimit Europian.

Agjencia prestigjioze e lajmeve “Reuters” i ka përshkruar këto zgjedhje si një shans që partitë e mëdha kërkojnë për të fituar shumicën në parlament e për të miratuar kështu reformat kyçe për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Agjencia amerikane e lajmeve “Associated Press” gjithashtu i ka kushtuar një artikull zgjedhjeve në Shqipëri. Kjo ditë vjen pas një marrëveshjeje historike mes dy partive më të mëdha politike të vendit që lanë pas diferencat mes tyre për t’i dhënë vëmendje përpjekjeve që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Sipas “Associated Press”, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë çelësi që do të mundësojë hapjen e negociatave me BE-në. Megjithatë, agjencia amerikane e lajmeve vlerëson se që me marrjen e statusit të vendit kandidat, Tirana zyrtare ka patur vështirësi në miratimin e reformave jetësore, sidomos asaj në drejtësi, që shihet si kyçe në rrugën shqiptare drejt familjes europiane.

Al Jazeera raporton se këto zgjedhje shihen si një test për demokracinë. Që prej rënies së komunizmit në 1990, vlerëson Al Jazeera, zgjedhjet në Shqipëri janë shënuar nga mashtrimi, dhuna, rezultatet e kontestuara dhe rivaliteti i hidhur që shkonte deri në kufijtë e urrejtjes.

Pikërisht për këtë, votuesit kërkojnë që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Shqipëria vijon të mbetet një nga vendet më të varfra në Europë, me një nivel të lartë papunësie që prek një në tre të rinj,” mbyll analizën Al Jazeera.

Foto, kryeministri Edi Rama, gjatë votimit, marrë nga Reuters

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: