ZGJEDHJET, NJË DITË MË PAS!-NGA ALFRED PEZA

ZGJEDHJET, NJË DITË MË PAS!-NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

E diela e 25 qershorit, - që sapo kaloi, - solli shumë zhvillime interesante në procesin zgjedhor, disa prej të cilave do të diktojnë zhvillimet politike, në katër vitet e ardhshme, e disa më pak do të kenë një efekt më afatgjatë në skenën politike shqiptare. Le të mundohemi të rendisim tri më kryesoret, më poshtë.

Së pari, rezultati përfundimtar dhe zyrtar i këtyre zgjedhjeve, dëshmoi së Partia Socialiste është forca politike më e organizuar, më efikase dhe se ajo është nga një deri në shumë hapa përpara, në çdo drejtim, se gjithë grupimet e tjera shoqërore në Shqipëri. Është shumë hapa para të gjitha partive të tjera politike, - sidomos në aspektin organizativ, - duke e shndërruar në këtë mënyrë PS-në në një makinë gati-gati të përsosur elektorale, pa konkurrentë të tjerë në "pistë"-n e "Formula Uno"-s së politikës shqiptare, sepse ajo e ka bërë tashmë mënyrë jetese, kulturën e planifikimit afatgjatë të punës në ekip, për realizimin e objektivave të projektit të saj politik. Përveç shumë e shumë elementëve të tjerë, sot PS-ja është një nga të paktat parti në rajon, që të gjithë funksionimin e saj piramidal dhe kapilar të punës, nga organizimi i dikurshëm tradicional, e ka kaluar në një organizim tërësisht modern në cikël të mbyllur, bazuar tek teknologjitë dixjitale. Për të thënë me fjalë më të thjeshta, ndryshimi mes këtyre dy lloj organizimeve të punës për një parti politike, është në mënyrë figurative e njëjtë me ndryshimin e cilësisë së figurës dhe zërit, mes televizorëve bardhë e zi dhe atyre me ngjyra që transmetojnë sot, me sinjal super HD. Gjithë kjo, në kontrast të thellë me partitë e tjera që vazhdojnë të jenë viktima të inercisë së tranzicionit, për shkak të kulturës së improvizimit që është rrënjosur thellë, si pjesë e kulturës së përgjithshme shoqërore. Duke ia lënë, në këtë mënyrë, rezultatin e tyre elektoral në dorë të punës vetëm në kohë fushatash, ca strukturave të lodhura, me njerëz që kanë marrë peng prej 27 vjetësh, ca vula e ca zyra si të ish-kooperativave bujqësore të komunizmit, e që kanë mbetur shumë shumë prapa, gjithë pjesës tjetër të shoqërisë së cilës shkojnë e i kërkojnë votën, për t’i udhëhequr?! Këto parti vijojnë ende me mentalitetin dhe shpresën se zhurma dhe pluhuri i atyre ditëve të fushatës, do të arrijë që të mbulojë dhe mbushi gjithë defektet dhe boshllëqet organizative të punës ndërmjet dy palë zgjedhjeve.

Përfundimi për këtë pikë: Ky modernitet, kjo kulturë e re perëndimore pune dhe kjo filozofi e funksionimit të PS-së, ka nisur që gjatë mandatit të parë dhe pritet që në këtë mandat të ri, të vijojë të zbatohet dhe injektohet plotësisht edhe në qeverisje, në të gjitha nivelet, administratë dhe në çdo hallkë të shtetit. Vetëm përsosja e sistemit mund të na bëjë të shkëputemi nga prapambetja historike e së shkuarës, për të ecur me shpejtësi drejt së ardhmes sonë europiane. Në fund të fundit, në një mënyrë apo në një tjetër, qeverisja -veç të tjerash - është një pasqyrë e mënyrës së drejtimit dhe qeverisjes së brendshme të partive fituese të zgjedhjeve. Ndërsa, sa i takon partive humbëse të së djelës, pas kësaj, besoj se ka ardhur koha e riorganizimit dhe reformimit të tyre të thellë për t’iu përshtatur sfidave të reja të shoqërisë shqiptare të pas vitit 2021, kur edhe do të jenë zgjedhjet e ardhshme. Në mënyrë që nga makina të lodhura, edhe ato të shndërrohen në sisteme efikase garash, përballë skuadriljes së makinës socialiste.

Së dyti, kjo garë tregoi se forca e shembullit dhe jo shembulli i forcës, është filozofia fituese që qytetarët shqiptarë dëshirojnë të shohin tek partitë dhe liderët e tyre. Që nga koha e Xhingis Kan-it, bota qeveriset nëpërmjet dy filozofive, pavarësisht regjimeve dhe qeverive që shkojnë e vijnë: Ose me forcën e moralit, ose me moralin e forcës. Shqiptarët panë tek PS-ja dhe Edi Rama, - pavarësisht se mandati i parë nuk ishte i përsosur edhe për shkak të aleatëve, - një përpjekje reale, një vendosmëri të jashtëzakonshme për të miratuar dhe zbatuar reforma të thella të shtetformimit modern, të cilat do të na largojnë nga problematikat e mëdha të së shkuarës, duke i dhënë shpresë qytetarëve, se një ditë edhe ky vend mund dhe do të bëhet! Një shtet, të paktën, normal fillimisht për të gjithë. Me një sistem funksional. Që do të mundësojë qeverisje dhe një mënyrë të ushtrimit të pushtetit, me më shumë drejtësi dhe siguri e garanci për qytetarët e vet, me më shumë shpresë, punë dhe mirëqenie për ta. Elementët, shkëndijat dhe shenjat e qarta për këtë, me sa duket, zgjedhësit shqiptarë i panë tek socialistët. Është me siguri kjo, një nga arsyet, se përse për herë të parë në këto 27 vjet, një parti që qëndroi katër vjet në pushtet, mori shumë më tepër vota dhe mandate përfaqësimi për në Parlamentin e ri, sesa në zgjedhjet për mandatin e parë më 2013. Duke rrëzuar në këtë mënyrë, një gati-gati mit politik, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën demokratike. Ku rrallëherë ndodh që një parti e cila hamendësohet se konsumohet në katër vjet qeverisjeje, të rrisë kuotat e saj dhe të marrë mbështetje shumë më të madhe se më parë. Kjo mund të ndodhë, vetëm atëherë kur qytetarët shohin me prova konkrete, me shembuj konkretë dhe me përpjekje konkrete tek një parti dhe lidershipi i saj, projeksionin e asaj se çfarë ata presin që t’u sjellë qeveria që ato votojnë për katër vitet e ardhshme. Një provë e qartë gjithashtu, se shqiptarët nuk votojnë kurrë qorrazi. Përkundrazi, janë votues inteligjentë, gjë që e kanë treguar pothuajse në të gjitha proceset elektorale të zhvilluara pas 1990, në Shqipëri. Partitë humbëse, duket qartë se nuk ia arritën jo vetëm ta dëmtojnë rezultatin dhe imazhin e PS-së dhe Ramës, nëpërmjet propagandës së zezë. Por nga ana tjetër, ato nuk ofruan me sa u pa, asnjë projekt, program, alternativë dhe shpresë për një platformë politike e qeverisëse, më të mirë se ai i socialistëve.

Dhe së treti, rezultati i partive humbëse, tregoi se ato dhe liderët e tyre janë në krizë të thellë idesh dhe reformizmi, sepse vazhdojnë të kërkojnë vota për të ardhmen, me të gjitha defektet e sistemit dhe klasës sonë politike të së shkuarës. Me organizimin e së shkuarës, me akuzat e së shkuarës, me projektet e së shkuarës, me fjalorin e së shkuarës, me liderët e së shkuarës, me skuadrat e së shkuarës, me kulturën, mentalitetin dhe qasjen e së shkuarës, duke harruar se zgjedhësit që votuan për herë të parë më 25 qershor, kanë lindur në vitin 1999, plot 10 vjet pas rrëzimit të Murit të Berlinit. Se duke qenë një popullsi me moshë mesatare nga më te rejat në Europë, shumica e zgjedhësve tanë ose nuk kishin lindur ose ishin shumë të vegjël kur u ndryshua sistemit. Ata sot janë të gjithë bij të lirisë, produkt i një Shqipërie të hapur, që prej shumë vitesh kanë fituar të drejtën e lëvizjes së lirë, të shkollimit dhe punësimit në perëndim a gjetkë, duke u bërë në këtë mënyrë, gjithnjë e më shumë qytetarë të botës. Për rrjedhojë, duke qenë e ardhmja, ata refuzojnë të qeverisen nga e shkuara. Nga e shkuara si mentalitet, filozofi, kulturë, ofertë, projekt, qasje, formë dhe përmbajte. Këtu besoj se duhet t’ia fillojnë në radhë të parë humbësit dhe përgjegjësit e tyre në partitë e ndëshkuara me votë, analizën për të kuptuar shkaqet, e për të punuar më pas që të shërojnë pasojat. PD-ja duke qenë partia më e madhe humbëse, e ka ndjerë edhe më shumë gjithë këtë. Ndaj edhe ka filluar një proces të ri zgjedhjesh në parti. Druaj shumë se, këtë radhë, me gjithë debatet si kurrë më parë, do t’i shkojnë të keqes në themel e do ta shkulin atë, me rrënjë. E njëjta gjë, më pas, LSI-ja që nuk arriti të bëhej "forcë e parë, forcë e paparë". E për të vijuar më pas edhe me partitë e tjera parlamentare e deri tek partiçkat e fundit që u përfshinë në këtë proces. Shumë liderë dhe kryetarë partish, humbën jo vetëm si parti, por edhe si individë. Pasi mbarojnë zgjedhjet, të gjithë janë të lodhur. Disa nga fitorja, por më shumë ato nga humbja. Një ditë më pas, të gjithë fillojnë e mendojnë për të ardhmen e cila projektohet dhe nis të ndërtohet që sot.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: