104 mijë anëtarë të PD thirren për të votuar

104 mijë anëtarë të PD thirren për të votuar
Jemin Gjana tregon se si u bë “pastrimi” i listës së anëtarëve të Partisë Demokratike. Kush u shtua dhe kush u hoq. Pse nuk mund të votojë afro çereku i anëtarëve të regjistruar? Ironia e Astrit Patozit me “njeriun e garave”

Të dhënat e fundit për listën e anëtarëve të Partisë Demokratike, tregojnë se numri i tyre ka shkuar në  103.952.

Kryetari i komisionit elektoral për zgjedhjet në parti, Jemin Gjana ka konfirmuar se në fillim të procesit të verifikimit, ishin në listë 103.200 anëtarë, ose 752 më pak.

Kryetari Gjana ka sqaruar për mediat se çfarë ka ndodhur me këto lista pas “pastrimit”.

Janë shtuar 1557 anëtarë në listat shtesë, nga persona që janë paraqitur pranë degëve të PDSH-së me karta anëtarësie ndër vite por që nuk ishin përditësuar në regjistrin elektronik. Janë shtuar 112 anëtarë në 5 degë të Partisë Demokratike, që kishin formular dhe dokument anëtarësie të para datës 28.06.2017 por që rezultonin të pa hedhur në sistem. Janë hequr nga regjistri elektronik 607 anëtarë, për arsye të kalimit të tyre legalisht në parti të tjera. Janë hequr 310 anëtarë që në 4 vitet e fundit rezultojnë së nuk jetojnë më.

Por jo të gjithë anëtarët e partisë do të votojnë më 22 korrik. Përveç atyre që kanë zgjedhur të mos shkojnë në votim, një tjetër kontingjent i konsiderueshëm duket se do të ketë pamundësi fizike për të votuar për njërin nga kandidatët, Lulzim Basha dhe Eduard Selami.

Në listën përfundimtare të votimit janë të përfshira dhe tre kategori anëtarësh me mundësi të kufizuara për të votuar dhe këta janë, anëtarë të PD-së në degët e saj në Selanik, Athinë, Romë, Milano, Belgjik, Londër etj.”, tha Gjana. Ai saktësoi se të tillë llogaritet të jenë rreth 23 mijë, ose afro çereku i anëtarësisë.

Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i cili është shprehur hapur kundër këtyre zgjedhjeve, ka ironizuar pas komunikimit të Gjanës për mediat.

“Partia Demokratike e ka gjetur njeriun që e fiton gjithmonë garën brenda partisë. Tani i duhet të gjejë edhe një tjetër që të fitojë garën me partitë e tjera", shkruan Patozi në Facebook.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: