A ËSHTË INTELIGJENCA NJË MALLKIM?

A ËSHTË INTELIGJENCA NJË MALLKIM?
Nga MERI DISHNICA

 

Ky titull ngjan i çuditshëm, ndoshta po aq sa e çuditshme dhe e pakuptimtë i duket bota njerëzve të zgjuar. Shumë nga njerëzit mendimtarë nuk ia dalin të jenë plotësisht të lumtur. Ata janë tepër të ashpër me veten dhe kanë flash-back në gabimet e të shkuarës. Pellgje të pambyllura ndjenjash faji që prodhojnë shkëputje dhe emocione negative.

Njerëzit inteligjentë analizojnë çdo gjë dhe gjithçka dhe kjo mund të jetë mbytëse, sepse dhunshëm të shpie në skuta përfundimesh frustruese. Me “shpatën e analizës”  ata  vënë gjithçka në dyshim, aty ku çdo budalla do të ishte i sigurt.

Sa herë, mes nesh kemi thënë se ai që nuk di apo nuk e vë trurin në punë, fle i qetë si qengj. Sa më i zgjuar të jesh, aq më shumë “antena” do të ngresh! Sa më shumë antena të mbash ngritur, aq më shumë sinjale do të kapësh! Shumë sinjale, do të thotë më shumë të panjohura; më shumë të panjohura do të thotë më shumë nxitje që t’i zgjidhësh… E meqë zgjidhja nuk është gjithmonë në dorën tonë, ajo që na mbetet është, thjesht, vuajtja.

Aq sa, shpesh themi “ç’mu desh”, duke menduar se është  më mirë të mos dish asgjë. Sepse të mos dish asgjë,  baras një gjumë i mirë. Ndaj, shpeshherë të mbyllim një sy, është shpëtim. Madje, çelësi i njerëzve të zgjuar është të mësojnë të njohin çastet kur i lejohet të luajnë “rolin e budallait”.

Njerëzit inteligjentë ndjejnë mungesën e një komunikimi të mirë. Duke qenë se kanë shumë pak linja kuptueshmërie me të tjerët, gjenden shpesh të keqkuptuar dhe vetëm. Standardet e tyre të  larta, ia bëjnë tepër të vështirë marrjen e kënaqësive, në rrugëtimin drejt ideales. Shpesh, njerëzit e zgjuar gjenden vetëm edhe pse e kanë të vështirë të marrin vendime, duke shpresuar si idiot tek perfeksioni që nuk ekziston.

Dhe nëse do të flasim për krijimin e një familjeje, atyre mund t’u uroj vetëm paç fat në gjetjen e një partneri intelektual.

E, megjithatë, sekreti është të jesh në paqe  me veten dhe me standardet që ke zgjedhur të rrethohesh. Por, mbi të gjitha, besoj se bota është krijuar me mekanizma të tillë të nivelit mesatar dhe  çelësi është tek hedonizmi magjik i përshtatjes. Në të kundërt, të pret shfaqja alegorike e “Mitit të shpellës së Platonit”, ku personazhi  do të ndihet i marrë, i pavend dhe i përbuzur.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: