Alarmi i Francës: Azilantët nga Shqipëria po dyfishohen çdo vit

Alarmi i Francës: Azilantët nga Shqipëria po dyfishohen çdo vit
Shkon në afro 8 mijë numri i shqiptarëve që kërkojnë azil në Francë. Ditmir Bushati i premton Francës një plan tremujor për të frenuar fluksin e të larguarve. Ministri i Brendshëm i Francës: Pas tre muajsh, do të shkoj në Tiranë

Alket Aliu

Shifrat e larta të azilantëve shqiptarë në Francë, duket se kanë qenë në fokus të takimit të ministrit të Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, me ministrin e Brendshëm francez, Gérard Collomb.

“Shqipëria prezantoi sot në Francë një plan veprimi që synon të arrijë brenda tre muajve rezultate konkrete në luftën kundër emigracionit," tha ministri i brendshëm francez i cituar nga “Le Figaro” në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin shqiptar.

Duket se Franca e ka marrë shumë seriozisht “problemin shqiptar” dhe premton monitorimin e zbatimit të këtij plani veprimi të autoriteteve shqiptare.

"Pas tre muajsh, unë do të shkoj në Tiranë për të verifikuar rezultatet e masave të marra dhe aksioneve të zhvilluara. Kjo do të jetë thelbësore për të arritur një rezultat konkret: rënien e konsiderueshme të emigracionit në vendin tonë. Jam i bindur”, tha Collomb.

Sipas medias franceze, bëhet fjalë për një plan prej 20 masash që duhet të ndërmarrin autoritetet shqiptare, veçanërisht për të forcuar kontrollet në fillim, për të lejuar një luftë më efektive kundër migrimit të miturve të pashoqëruar, më shumë publicitet në lidhje me kushtet e kthimit apo një goditje të madhe në rrjetet e emigracionit.

"Ne duam të riafirmojmë përkushtimin tonë për t'i dhënë fund këtij fenomeni", siguroi ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati.

Por ministri francez nuk ka qenë po aq diplomatik. “Ne shohim që nga viti 2010 një rritje të konsiderueshme të emigracionit ilegal shqiptar në territorin francez dhe një rritje të fortë të numrit të kërkesave për azil nga shqiptarët”, tha Collomb. Viti 2010 është periudha kur BE hoqi vizat me Shqipërinë.

Në vitin 2016, Shqipëria ishte vendi i parë i azilkërkuesve në Francë, me 7432 raste (duke përfshirë të miturit), duke e dyfishuar numrin nga viti në vit, sipas Zyrës Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe Personave pa Shtetësi (OFPRA).

“Që nga viti 2013, Shqipëria bën pjesë në në listën e vendeve të sigurta të origjinës dhe qytetarët e saj nuk ka më nevojë për viza për të udhëtuar në Evropë që nga viti 2010”, shkruan “Le Figaro”, e cila rikujton se në vitin 2012, e nxitur nga Franca dhe Gjermania, Brukseli ka kërcënuar disa vende të Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, për të rivendosur vizat pas pretendimeve abuzive për azil.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: