Andon Qesari: Humori, pasioni im i fshehur

Andon Qesari:  Humori, pasioni  im i fshehur
 

INTERVISTA/ Flet “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i Madh”, regjisori dhe aktori i njohur: “Pallati 176” u vu në skenë plot 450 herë. Suksesi?  Sepse ishte jashtë ideologjizmave të kohës. Një komedi pa qëndismat e politikës së kohës, pa vënë në krye partinë, Enverin, apo vijën e masave

 

Intervistoi për “Albanian Free Press” Albert Z. ZHOLI

 

Aktor dhe regjisor, por keni anuar më shumë nga komedia si regjisor dhe si aktor në role dramatike. Pse ky ndryshim?

Unë do të flas për to në përgjithësi, por edhe në veçanti. Do të flas si aktor, por më shumë si regjisor.  Si aktor mund të them që rolet komike s’janë të natyrës sime. Ndërsa si regjisor e kam gjetur veten në mënyrë korrekte. Si regjisor apo bashkë-regjisor në “Karnavalet e Korçës”, “Pallati 176”, “Nën dritat e skenës”, “Në jetë”, “Valsi i Titanikut”, jam munduar të përcjell komedi që nga ana regjisoriale t'i përshtaten realitetit shqiptar, kërkesave të spektatorit, humorit të tabanit popullor. Humori për mua është një gjini e vështirë nga ana artistike, është një gjini që kërkon punë, studim, kërkesë llogarie, punë sistematike, eksperiencë. Humori do shumë punë për t’u vënë në skenë dhe do aktor të një natyre të veçantë. Jo çdo aktor mund të bëjë humor. Do plastikë, intuitë,  por edhe kontrapunt pra, të papritura. Dashuria për humorin është diçka e brendshme. Ka lindur bashkë me mua dhe ka marrë orientim në jetë. Shumë herë njeriu në jetë nuk zgjedh profesionin e dëshiruar, por në kohë të caktuara shpalos ato që janë fshehur brenda qenies së tij. Edhe unë si aktor kam luajtur role dramatike, kur në jetën regjisoriale, në mënyrë qoftë spontane qoftë të vetëdijshme i jam përkushtuar komedisë, humorit. Ishte diçka që s’e përcaktoj dot, por që më shtynte drejt kësaj risie për portretin tim profesional në aktrim. Në komedi janë disa elementë, ku unë do të veçoja perceptimin, nuhatjen  dhe kontrapuntin (e papritura). Këto tre elementë dallohen nga elementët e tjerë dhe duhet të jenë në harmoni. Pa një perceptim të qartë të komedisë, si nga regjisori edhe nga aktori, komedia nuk ecën në unitet, ka shkarje, ngadalësim të situatës, del nga shinat. Humori bëhet jo-organik. Nga ana regjisoriale, në një vepër absurde nuk mund të luash absurdin por rolin, hallin. Këtë ma kanë mësuar dy gjigantë të skenës tonë Naim Frashëri dhe Mihal Popi. Në një komedi, sipas tyre nuk duhet të luash veten tënde, por të qash hallin tënd. Në rol nuk je ti, nuk duhet të jesh ti si në përditshmëri, por halli yt, problemi jot, pakënaqësitë e tua. Kështu, spektatori të ofron, të merr me vete, të duartroket. Një personazh në skenë nuk del si një figurë e jetës në shoqëri, familje. Por del me idenë dhe mendimin se është dikush tjetër që mbart mbi shpinë diçka të vuajtur që spektatori mund të jetë pjesë e tij, pra e hallit. Aktori nuk mendon sesa e aprovon në çast spektatori, por shikon se si mund të përçojë hallin sa më bukur, sa më origjinal, tek ai.

 

Ju keni qenë bashkëregjisor me Alfred Bualotin. cili është sekreti i suksesit të paarritshëm të komedisë “Pallati 176”?

Si e thashë më lart, komedia është një gjini e veçantë dhe e vështirë e artit skenik. Kryesisht, komedia kërkon shumë impenjim, disiplinë, përkushtim, vëmendje, realitet.

Pas vitesh, edhe vetë së bashku me regjisorin Alfred Bualoti, s’e mendonim që kjo komedi do të ishte po aq e pëlqyer sa ne fillimet e saj. Ndoshta kjo komedi përbën një rekord për vënien në skenë, afërsisht 450 herë. Parë në këndvështrimin e kohës, ajo që e bën këtë vepër të pëlqyeshme është se ajo ka qenë  jashtë ideologjizmave të kohës. Pra, është një komedi pa ato qëndismat e politikës së kohës, pa vënë në krye partinë, Enverin, apo vijën e masave. Në thelb të saj ishin problemet e ditës, lufta ndaj fenomeneve të servilizmit, miqësive në emërimin në punë, tarafeve, paaftësisë, letrave anonime, përpjekjeve për të zënë një vend pune të pa merituar. Shumë nga këto fenomene janë probleme të ditës edhe sot, në një shoqëri krejt tjetër, me ideologji dhe formë ekonomike krejt të ndryshme. Që një vepër skenike të mbijetojë, t’i rezistojë kohës duhet të ketë dy elemente bazë të shëndoshë, nivelin artistik të komedisë (dramës), pra të autorit që e ka krijuar dhe së dyti nivelin artistik të regjizurës (ku përfshihet edhe ai i aktrimit nga aktorët). Kur këto dy elemente janë të gjetur, të arrirë, koha kurrë nuk i venit, përkundrazi... Janë shumë vepra (si të Shekspirit) që kanë shekuj që janë krijuar dhe i kanë rezistuar kohës duke qenë aktuale dhe sot…Në fund të çdo vepre të vënë në skenë, si spektatori ashtu dhe specialistët duhet të shohin apo të ndjejnë brendinë, përcjelljen  ideo-emocionale të veprës. Një vepër ka jetëgjatësi, atëherë kur  aktorët kanë formuar karaktere. Kjo do të thotë që ata nuk e përsëritin veten në skenë, nuk janë vetvetja, por janë karakteri që luajnë. Të gjithë aktorët në komedinë “Pallati 176” kanë krijuar karaktere, ndaj dhe shumica e aktorëve të kësaj komedie), janë të pëlqyer dhe sot, komentohen, diskutohen, dhe merren si shëmbëlltyrë në shumë diskutime komedish apo dramash. Rolet e aktoreve tek pallati u identifikuan me personazhin dhe kjo është një gjë e rrallë në krijimtarinë e një aktori... Për regjinë e kësaj komedie s’është mirë të flas unë… Koha besoj ia ka vënë notën, por mund të flasin specialist të artit, apo regjisorë të tjerë.

Ku ishin pikësynimet tuaja regjisoriale, çfarë përmirësimesh bëtë në komedi për t’iu afruar skenës dhe çfarë shmangët si domosdoshmëri?

Nga ana dramaturgjike, u munduam që kjo vepër të ishte shumë interesante dhe bëmë këtë gjë: Vendet e zhvillimit të ngjarjes, veprimit ishin ne dy vende dhe ne i bashkuam në një, pra në një pallat, në një shkallë. Emërtimi “Pallati 176” ka dalë rastësisht ku luftuam kundër antikonformizmit të kohës. Ishim kundër 3 konfrontimeve, siç ishin, politizimi,  partia mbi të gjitha, vija e masave, etj. Kjo vepër ka hyrë në fjalorin enciklopedik të teatrove mesdhetare, si një nga veprat më të mira, pra përbën një nga emblemat e teatrit shqiptar. Për ne si regjisorë do të thotë që kemi bërë diçka interesante. Ditëm të mbajmë të ndezur fantazinë e aktorëve. Ç’do të thotë kjo?

Është e rrallë  dhe shumë e vështirë që të identifikohen aktorët me rolin. Sot Roland Trebickën (që ka ndërruar jetë, një homazh për këtë aktor të madh) më të shumtët e njerëzve e identifikojnë si Jovan Bregu. Kjo  është e rrallë në mjeshtërinë e aktrimit. Ka shumë aktorë dhe në kinematografinë botërore qe s’kanë mundur te identifikohen me një rol. Tek komedia janë shumë aktorë, që kanë marrë në jetë emrin e rolit. Skenografi Kristo Cala, bëri një punë interesante që skenografia, të ishte në funksion të komedisë, t’i jepte temporitëm komedisë. Ne teatër janë 3 aspekte të pazgjidhshme ato që vendosin se cili do të jetë suksesi i një shfaqjeje: Vepra dramatike, regjia dhe aktorët. Këta 3 elemente janë baza e një shfaqjeje, padyshim, pa lënë mënjane dhe skenografinë, kostumografin, ndriçimin etj. Në këtë komedi ne si regjisorë u munduam të përcillnim në unison këta tre elemente. Pa këtë tri-unitet, vepra skenike s’mund të marrë suksesin e duhur.

Pse shihet ende po aq sa dje “Pallati 176”?!

Sepse mbetet aktual në çdo kohë. Sepse atje është jeta e vetë njerëzve, shqetësimet e tyre, ngjarjet shqiptare, realiteti i tyre i përditshëm. Pallati është vepër tejet shqiptare, në çdo aspekt. Kur po bënim provat gjeneralë, regjisori i mirënjohur Pirro Mani na thotë: “Kjo vepër ka për t’i qëndruar shumë kohës, ngjarjet dhe gjetjet janë shume interesante”.

 

Kush ishte e veçanta e Trebickës në këtë komedi?

Midis të tjerave ishte dhe improvizimi. Ne këtë shfaqje komedie, ndoshta si në asnjë vepër tjetër ne lejuam dhe improvizimin, pra lejuam aktorët të vepronin dhe vetë me iniciativën e tyre. Po kujtoj një moment kur dëgjohet muzika e Ardit Gjebresë, Jovani thotë: “Ah ç’e ke mirë ti mor byrazer, ja këput një tralala dhe në rregull gjithçka”. Muzika në sfond e kësaj  komedie kishte një “la..la..la”. Të lejosh improvizimin në skenë do të thotë të rrezikosh shumë. Por njohja që ka pasur në rolet në komedi Alfredi (ai kishte parë shumë shfaqje të “Comedia del Arte” italiane), sigurisht dhe ne, bëri që ne të nxitnim tek aktorët një element siç është improvizimi, i cili është në funksion të plotë të karakterit të kësaj komedie, e cila është një farsë në gjininë e komedisë.

DËSHIRAT

 

“Ëndrrat e regjisorit dhe të

aktorit nuk rreshtin kurrë”

“Ato janë pjesa e padukshme e të dyve. Por kur regjisori është dhe aktor, ëndrrat marrin përmasa të tjera. Aktualisht, kam një ëndërr që lidhet me Tiranën. Dikur këtu në qendër të Tiranës ka qenë pazari i Tiranës. Ose pazari i vjetër. Ai ka qenë i mbushur me artizanë. Pra, kishte shumë punishte artizanale tipike shqiptare. Aty kishte lëvizje gjatë gjithë ditës deri në buzëmbrëmje. Por aty kishte dhe kafene. Në këto kafene, kishte dhe dashuri. Aty linin takime të dashuruarit. Por këtu këndoheshin dhe këngët e bukura të Tiranës. Ato këngë qejfi që tiranasit i këndojnë përpara filxhanit me raki. Ishte zakon në Tiranë që dhe rakia pihej në filxhanë, jo me gota. Por qejflinjtë tiranas kishin dhe veshje karakteristike, siç kishin edhe femrat tiranase. Këto veshje dallonin për shumë gjëra që sot janë zhdukur, por ruhen si relike nga persona të veçantë, apo në kostumet popullore të Ansamblit Tirana apo TOB. Këtë dua të luaj. Një komedi për pazarin e Tiranës, pazarin e vjetër ku gjallojnë zejtarët, artizanët, kafenetë, dashuritë, me rroba tradicionale me këngë karakteristike tiranase. Në këtë komedi dua të shpalos të gjallë sentimentin e këngës tiranase që i këndojnë dashurisë dhe qejfit. Tiranasit janë popull i butë dhe qejfli. Më vjen keq që ai pazar kaq i veçantë nuk është më. Ai ishte i mrekullueshëm dhe shumë origjinal, ishte tipik shqiptar. Për mua ishte dhe më i bukur se veprat e sotme shumëkatëshe që të marrin frymën. Pazari kishte frymëmarrje por dhe shumë gjallëri. Një komedi e tillë është në nderin e Tiranës. Por...”.

PREFERENCA

 “Mirandolina” Gordonit,

komedia më e veçantë

“Mirandolina” e Gordonit. Bën fjalë për një femër që nuk jepej as për para, as për qejfe, as për kapardisje. Një femër e sigurt, krenare që jepej vetëm për dashurinë e vërtetë. Këtu dalin në pah cilësitë më të mira të femrës që Gordoni i ka nxjerrë në pah me aq hollësi. Kur shikon një komedi të tillë me të vërtete ke çarë merr. Mesazhi është i qartë dhe për kohën e sotme kur shumë femrave rendin pas parasë, qejfit pa përmasa, apo kalojnë ën shthurje”.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: