“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Arben Ahmetaj: Shkaktarë për aksidentin tim, janë Edi Rama dhe Mimi Kodheli

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Arben Ahmetaj: Shkaktarë për aksidentin tim, janë Edi Rama dhe Mimi Kodheli
“ANTENA JASHTË FAMILJES”

EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS”

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Sapo morëm vesh që një nga ministrat më të suksesshëm të Ramës, u aksidentua, u lidhëm me të në rrugë telefonike.

-Alo, zoti Ahmetaj?

-Po, unë jam. Kush jeni...?

-Jam Tahir Avazi, gazetari i rubrikës "Antena Jashtë Familjes".

-Jashtë familjes?! Ça bohet kështu mer plak! Sa dola unë nga Qeveria, doli antena jashtë.

-Ku ndodheni tani, z.Ahmetaj?

-Në Maqedoni jam. Do rri edhe pak, e do kthehem.

-A e dini që z.Rama ka dhënë urdhër që asnjë ministër mos të kryejë pushimet jashtë?

-E di, sigurisht. Unë jam një prej të besuarve të tij. Mos ta di unë, kush do e dijë. Por unë s'jam ministër. Urdhri është për ministrat, jo për ish-ministrat. Neve, pasi lëmë pozitën, na lejohet të ikim edhe në Las Vegas. Pastaj Maqedonia nuk është jashtë shtetit. Këtu jetojnë vëllezërit tanë prej shekujsh. Aq më tepër tani që z. Rama po heq kufijtë në Ballkan.

-Komplimente z. Ahmetaj për thellësinë e mendimit. Megjithëse jeni goditur, nuk jeni fare "i goditur". Përgjigjeni saktë.

Unë nuk pësova gjë nga aksidenti. Makina ime e pësoi ca. Por është makinë e fortë, mban. Ndaj duhet paraja o gjigand. Po të isha me biçikletë unë tani, s'do isha gjallë në këtë dynja.

-Përse shkuat në Maqedoni, z.Ahmetaj?

-Si përse? Për të luajtur në kazino pra. Këtë e dinë të gjithë. E kam pasionin tim të dytë, pas anglishtes.

-Ju keni qenë Ministër i Financave. A nuk mund të ndërtonit ndonjë kazino me standarde ne Shqipëri, e kështu ju që kemi bërë lekë, nuk do t’i linit ato në vende të tjera?

-Doja unë të ndërtoja në fakt. Kishim plan që ta ndërtonim një moderne, por u prish plani. Na i prishi Tos Nano.

-Po thoni që Fatos Nano ka lënë vendin pa kazino?

-Pikërisht ai. Ama nuk i hedh faj. Atëherë ai nuk i kishte marrëdhëniet e mira me Ramën.

-Më i qartë, ju lutem?

-Më tha Tosi pas zgjedhjeve të kaluara; "O Beno, pse s'ndërtojmë një kazino të madhe neve? Sjell nga Vjena plot lojtarë". Më mori më qafë Rama. Nëse do pranonte ai propozimin e Tosit, sot do kishim kazino në Shqipëri dhe as unë nuk do isha aksidentuar.

-Mund t’ia bëni përsëri këtë propozim z.Rama. Tani ai do pranojë, meqë nuk ka më zënka me Nanon.

-Pranon, por e ka dorën e rëndë Edi. Ai do 20% të investimit. 10% e dua unë. Vajti 30. E kush vjen të investojë duke dhënë 30% ryshfet. Ndaj e pësojmë duke rënë rrugëve të botës ne.

-Si ndodhi aksidenti?

-Po flisja me zonjën Kodheli. Ajo u bë sebep. Ajo ishte në takim me disa banorë në Dibër. Ata i kërkonin "qiqrra në hell". Na bëj këtë, e na bëj atë gjë, i thoshin. Nuk bëhen ato që kërkojnë banorët atje. Ata pijnë duhan. I vënë flakën gjerave edhe nëse ja u bëjmë ne.

-Po ju bëjini njëherë...

-Ky milet sa më shumë t'i bësh, aq më shumë s'të voton o gjigand.

-Nejse, ju e dini më mirë. Thatë që zonja Kodheli u bë sebepi.

-A po! Si ta kisha llafin, z.Kodheli ju tha atyre banorëve; Mos pini duhan, se marrin flakë pyjet!

-Po ju ku futeni në këtë mesele...?!

-A e bëjmë dot si mazhorancë, që të shkruajmë mbi paketat e cigareve; "Duhani dëmton rëndë pyjet!", më pyeti Mimi mua. - "E shkruajmë posi, i thashë unë. Ne mund të bëjmë gjithçka tani që kemi timonin". Sa po shkruaja fjalën "timon", më iku timoni i makinës... Ja kështu. Edhe në rrugë, puna desh më hëngri kokën.

-Unë dëgjova që rruga kishte lagështirë...

-Mediat e kazanit dëgjon ti?! Ato mediat e Saliut. Thonë që ka pasur lagështirë, për të thënë më vonë që ja shira në Maqedoni ka dhe në Shqipëri jo, se e pengon Rama. Dëgjo vëllanë o gjigand. Megjithëse ma ke prishur qejfin që ke dalë jashtë familjes së Berishës.

-Futemi ne edhe aty, pa problem z.Ahmetaj.

-Tani të më falni mua se po largohem. Do nisem të provoj fatin deri në Bullgari, me ndonjë kazino atje. Mirupafshim dhe vazhdo avazin!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: