“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Astrit Veliaj: Lindita Nikollës ju bëftë...!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Astrit Veliaj: Lindita Nikollës ju bëftë...!
“ANTENA JASHTË FAMILJES”

EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS”

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Astrit Veliaj flet me “Antenën”: Lindita Nikollës ju bëftë...!

Sot në rubrikën e përditshme, po sjell bashkëbisedimin plot finesë të bërë me z. Astrit Veliaj, biznesmen dhe deputet demokratikas. Megjithëse biseda u bë në zhegun e vapës, me thënë të drejtën nuk djersita fare. Freskia e mendimeve të z. Veliaj më bëri fresk edhe mua.

Tahir Avazi: Përshëndetje z.Veliaj!

Astrit Veliaj: Përshëndetje edhe ju dhe lexuesve të rubrikës suaj.

- Së pari, duke qenë se ju intervistoj për herë të parë, komplimente për fitoren personale në zgjedhje, pavarësisht se nuk fitoi forca juaj politike.

- Ere, babuç! E rëndësishme është që fitova unë. As ma ndjen fare që s'fitoi PD-ja.

- Si nuk jua ndjen?! Po a jeni me këtë parti ju?

- Unë me atë jam, por ajo s'është me mua.

- Pak më i qartë të jeni, ju lutem!

- Sa kam vuajtur unë nga ajo parti kur kishte qeverinë, ere! Xhepi im e di!

- Keni vuajtur?

- Kam vuajtur ere, si jo.

- Ku konsistonte vuajtja?

- Nuk më legalizonin ndërtimet që bëja, ere. Ndërtova në Berat, unë. Hiç, s'ma legalizuan, p.sh., shyqyr që kisha njohje dhe shpëtova pa ma prishur kur erdhi Rama, se do më kishte fluturuar gjithë ajo ndërtesë.

- Atë ndërtesë e kam parë dhe ju komplimentoj. Është një mrekulli...!

- Një mrekulli vërtet, po Saliu ama, s'ma legalizoi. Shyqyr që fal njohjeve të mia, arrita që mos ta prishte Rama!

- Kush ju ndihmoi për mos ta prishur?

- Lindita Nikolla që ju bëftë dita 1 mijë euro, e pakta!

- Ju ka ndihmuar zonja Nikolla, thatë?

-Më ndihmoi dhe ia di për faleminderit! E njihja që në kohën që bënte masterin te universiteti im, këtu në Tiranë. Grua për së mbari, ere! Jo si disa që, kur hipin në karrige, të harrojnë.

-Ajo iu fut mik, Kryeministrit?

-Ajo që pastë vetëm të mira, ishallah!

- Çfarë i tha konkretisht?

-Rama i tha që Astriti të mos ndihet. Mos të çohet si astrit në Parlament, por të rrijë si pëllumb! Ndryshe, jo vetëm do ia mbyll universitetet, por edhe do ia shemb fare.

- Ju pyeta, çfarë tha zonja Nikolla, në fakt. Gjithsesi, faleminderit që më thatë se çfarë tha Kryeministri.

- E ja, kështu ere babuç! Tre vjet unë në Parlament, s’e hapa gojën fare. Ç'ta hapja. Edhe ajo më duhej. Nga astrit më kthenin në pëllumb, pastaj. Vitin e fundit, çoku fillova të flisja, se po afronin zgjedhjet dhe më duhej të isha në lista. Lindita Nikolla, për mua, është më e fismja, në të gjitha gratë.

- E meriton vërtet këtë për aktin, me atë që paska bërë. A mund t'ju pyes, ju lutem...?

- Pyet, ere babuç, sa të duash! Unë problemin e kam jo te pyetja. E kam te përgjigja. S'ma mban të përgjigjem, se pastaj fluturojnë universitetet e mia.

- Në lidhje me Cirkun, desha t'ju pyes. Si qëndron...?

- Atë tokë e kam blerë unë.

- Ta gëzoni!

- Habitem se përse duhet të ekzistojë një cirk në qytet. Kam parë kur isha i ri, filmin "Cirku në fshat". Sa shumë gëzoheshin fshatarët kur shikonin cirk! Ndërsa në qytet, njerëzit kanë mundësi të gëzohen me plot gjëra të tjera. Përse mos të shkojë turne gjatë gjithë vitit, nëpër fshatra cirku p.sh., por e ngul çadrën dhe nuk e shkul aty?!

- Ku di unë. Ta dija...

- Pastaj, përse duhet të ketë cirk kur neve, si politikë, i bëjmë vetë cirk këtij mileti? Ja, ma thuaj ti përgjigjen, ere babuç!

- Nuk di çfarë t'ju them z.Veliaj.

- Isha njëherë në shfaqje cirku, që thua ti. Kishte nga dy kllouna atje, që po bënin për të qeshur fëmijët. Ata nxirrnin dhëmbët jashtë nga të qeshurat. Kjo përbën një problem të madh për biznesin tim.

- Përse përbën problem?!

- Si përse, ere babuç! Njerëzit, nëse duan të nxjerrin dhëmbët aty, le të vijnë t'i nxjerrin te laboratorët dentare të universitetit tim. Më konkurrojnë, kuptove?

- Kuptova disi! Pra, ju po thoni që...

- Më fal tani se më duhet të largohem. Ka një mbledhje Basha. Vete kot, dëgjoj. Mirupafshim dhe vazhdo avazin ti!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: