“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Edi Paloka: Analizat e zgjedhjeve do t’i bëjë Ilir Beqaj...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Edi Paloka: Analizat e zgjedhjeve do t’i bëjë Ilir Beqaj...
"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Sot, në ditën e mërkurë të datës 5 të muajit korrik të motit të përvëluar 2017, gazetari ynë satirik, Tahir Avazi, ka biseduar me zotin Edi Paloka

Edi Paloka: Analizat e zgjedhjeve do t’i bëjë Ilir Beqaj...

Të dashur lexues të rubrikës tonë. Sot po sjell intervistën me zotin Edi Paloka, bërë të selia e PD, në mbrëmje vonë. Në seli kishte rënë një qetësi olimpike. Vetëm qentë e rrugës dëgjoheshin.

Tahir Avazi - Përshëndetje z.Paloka dhe faleminderit që pranuat të bëheshit pjesë e rubrikës sonë; "Antena Jashtë Familjes".

Edi Paloka - Leri përshëndetjet tani, po fillojmë direkt e në ide, se po më zjen koka. Nuk e shikon ç'po bëhet?

- E shikoj, por...

-Duan t'ja fusin Lulit. Dhe po e hëngri ai, e ha edhe unë. Më ka ikur mendja. Po çmendem fare. E të mendosh që unë si natyrë jam i qetë. Ndaj edhe mbiemrin e kam Paloka.

-Si është kjo punë e mbiemrit, nëse mund ta dimë?

-Paloka, apo e shkruajtur Pa-Loka, rrjedh nga fjala spanjolle Loko. Që do të thotë, "I çmendur".

Me parashtesën "Pa", bëhet Pa-I Çmendur. D.m.th "Jo i Çmendur". Kupton?

-Kuptova disi z.Paloko.

-Kam origjinë spanjolle unë ndaj. Shikomi edhe flokët. I kam të zeza si ata. Edhe lëkurën si ata. Kanë ardhur nga Spanja të parët e mi. Kanë qenë fisnikë dhe erdhën në Shqipëri, pasi merreshin me regëti. Kanë qenë për kapitalizmin që para 600 vjetësh. Ky gen demokratësh më është transmetuar edhe mua. Njeriu duhet të bëjë analizën e prejardhjes së tij.

-Meqë ra llafi te analiza, z.Paloko; A do bëjë PD-ja, analizën e zgjedhjeve parlamentare, ku ju humbët thellë?

-Sigurisht që do e bëjë. Po merrem unë me këtë proçes.

-Çfarë po bëni konkretisht?

-Kam kontaktuar z.Ilir Beqaj? Po pres që të më kthejë përgjigje.

-Për Ilirin, ish Ministrin e Shëndetësisë, e keni llafin?

-Po, pra po. Për të. Sigurisht për të. Një Ilir Beqaj ka vendi.

-Ai është inxhinier kompjuterësh, mesa di. Ndaj do ja jepni që ta bëjë ai analizën, besoj. Apo jo?

-Jo, jo s'ka të bëjë me kompjuterat. Iliri njeh Vilma Nushin. E ke parasysh për kë e kam llafin?

-Për ate që bën analizët e Kontrollit të Përgjithshëm Shëndetësor? Që bën "Chech Up"-in, thënë shqip?

-Pikërisht për atë zonjë. Është grua...

-Po e di që është grua.

-Desha të thosha që është grua zonjë. Po ta njohësh do më japësh të drejtë. Luli nuk ka shumë muhabet me të. Ndaj i thamë Ilirit që ta kontaktojë ai Vilmën.

-S'po marr vesh lidhjen...

-Dëgjomë me kujdes se s'kam edhe shumë kohë. Neve të grupimit të Lulit na duhet që analizën e zgjedhjeve ta nxjerrim siç duam. Neve, siç e di edhe ti, dolëm negative në zgjedhje. Përgjigjen neve e duam "Pozitiv". Ndaj përgjigjen e analizës duam të na e japë Ilir Beqaj me Vilmën. Se "Chech Up" i nxjerr analizat të kundërta. Kuptove?

-Tani po e kuptoj. D.m.th rezultatin tuaj negativ, Vilma do e japë pozitiv?

-Sigurisht që kështu do e japë. Kur jep përgjigjet kot më kot për shëndetin e miletit, pse mos ta japë edhe për parti. Fundja partia nga njerëz fizikë përbëhet. Fryma, pra shpirti neve ka kohë që na ka vdekur.

-Faleminderit z.Paloka për bashkëbisedimin!

-Faleminderit edhe rubrikës "Antena Jashtë Familjes"! Dhe vazhdo avazin!

-Sigurisht që do e vazhdoj...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: