“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Eduard Selami: Ja parulla sekrete që kemi pasur me Sali Berishën...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Eduard Selami: Ja parulla sekrete që kemi pasur me Sali Berishën...
"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Sot, në ditën e enjte të datës 6 të muajit korrik të motit të përvëluar 2017, gazetari ynë satirik, Tahir Avazi, ka biseduar me zotin Eduard Selami

Eduard Selami: Ja parulla sekrete që kemi pasur me Sali Berishën...

- Përshëndetje, z. Selami!

- Prapë avazin, ti? Po me mua e gjete, "man"?

- Meqë keni kandiduar për kryetar të partisë, ndaj mendova...

- Po, ç'kryetar "man"! Kot e hodha kandidaturën. Mora vesh që do të bëhen zgjedhjet për kryetar dhe... si punë e Lakrorit edhe unë.

- Cilit lakror?

- Lakrorit, pra, Maqo Lakrorit. Ai që i doli Ramës përballë.

- S'keni shpresë që do të fitoni, d.m.th.? Nuk po ju shoh entuziast ...

- Kam harruar fare, të bëj politikë, ti thua të fitoj. Ndenja 20 vjet në Amerikë, "man", o plako. Kur erdha, vetëm Saliu më mbante mend. Edhe ai, madje, mezi u kujtua kur më pa!

- S'ju mbante mend, Saliu!? E çuditshme. Ai ka kujtesë të shkëlqyer, thonë.

- Nuk e di ç'thonë të tjerët, "man". Unë di që mua, kur më pa para katër vitesh, më nguli sytë. Pastaj u çua edhe iku nga...

- Iku nga fiqiri? Çudi, vërtet!

- Iku nga tavolina me gjithë karrige. Ishte te zyrë e tij kur e takova.

- Iku me gjithë karrige!? Nuk e kuptoj. Mund të ma shpjegoni, "please"!

- Iku "man". Mori karrigen me vete edhe iku. Nuk e lëshoj kreun e partisë unë, më tha. Edhe Lulin si xhol e kam vënë në krye, se atje jam vetë.

- Ç'ndodhi më pas?

- Siç të thashë, nuk më njohu në fillim. Më njohu vetëm kur i thashë parullën.

- I thatë parullën?! Cilën parullë? Keni parullë ju në PD?

- Është e vjetër, që ta dish.

- E si është parulla, nëse mund ta di, z. Selami?

- Parulla është: "Aman, o derman, mos më qëllo shumë, se iki vetë!"

- Ju qëllonte? Ku?

- Unë shpëtova pa ngrënë shumë dru, me thënë të drejtën. Ja di për falemnderit që nuk më goditi shumë! Shyqyr, se atëherë isha edhe beqar, e po të haja një goditje në allate, pastaj t'i mbaja për muze, se s'do më hynin më në punë.

- Po tani, s'keni frikë se ju qëllon, nëse fitoni ju dhe jo Luli i tij?

- Kush më voton mua, "man". Unë edhe në Parlament, një herë në vit çohesha të flisja. Në televizion, vetëm gruaja më ftonte në emisione. Edhe në to kur shkoja, më shumë fliste ajo, se unë.

- Para pak ditësh, ju pashë në një foto ku ishit në një takim me shokët e partisë, z. Enno Bozgo me 2"n" dhe...

- Diskutuam rreth...

- Rreth zgjedhjeve në parti, besoj?

- No, man, no! Me Ennon diskutuam rreth basketbollit. Meqë ai ka qenë arbitër i këtij sporti. Ti e di "man", që unë kam jetuar në Amerikë dhe gjatë kohës time të lirë, - njëherë në muaj, - luaja basketboll.

- Në tavolinë me ju ishte edhe z. Eduart Spaho, mesa mbaj mend.

- Po, po, atë e ftova unë të vinte në tavolinë.

- A mund ta di, përse?

- Yes, man! Po, plako, ta them unë. Edi Spahon e mora për t'u ruajtur nga çdo rrahje.

- E kush mund t'ju rrahë?

- Hey man, ... o plako! Ta kam thënë në fillim të intervistës, pra. Jam bërë me fiksime. Po sikur t'i teket Salës të me dërgojë të më rrahin. Ndaj edhe mora Edi Spahon në tavolinë. Nëse dikush do të vinte dhe do të thoshte; "Kush është Edi këtu?", unë do heshtja dhe Edi Spaho do thoshte. "Jam unë". Kështu do i binin atij në hu. Ja, kështu. Në vend që drurin ta hante Edi Selami, do e hante Edi Spaho.

"Kanë erdhur kohë të vështira, man! S'di njeriut si i vjen".

-Flm, z. Selami, për bashkëbisedimin! Po iki tani, të vazhdoj avazin me ndonjë tjetër..

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: