“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Endri Fuga: Lefter Koka shpërtheu ujërat e zeza në Ksamil

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Endri Fuga: Lefter Koka shpërtheu ujërat e zeza në Ksamil
“ANTENA JASHTË FAMILJES”

EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS”

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Endri Fuga, letër redaksisë: Lefter Koka shpërtheu ujërat e zeza në Ksamil

E nderuar "Antena Jashtë Familjes"!

Po hyj menjëherë në temë, pasi kam edhe letra të tjera për t'iu drejtuar mediave.

Një ngjarje e paprecedentë, siç edhe e keni marrë vesh, na ka ndodhur në Ksamil.

U mbush deti, më falni për shprehjen, me mut. Kur ma thanë, u habita. Si është e mundur, thashë. Pastaj u kujtova se përse ndodhi ajo ngjarje.

Shoku Kryeministër ishte në Holandë. Le t'ia mbajë po të dojë m...it që të dalë kur është këtu vetë Kryeministri. Pse s'del kur është ai këtu, por del kur ai ikën?

Kur më raportuan ngjarjen më erdhi për të vjellë, në fakt. Imagjinova atë bregdet të mrekullueshëm, mbuluar me nevojërat e njerëzve. Apo nuk janë të shumta ato tani, që kemi rritur edhe ekonominë. Kam frike se do kemi shpërthime të tjera, me këtë bum turistësh që po vijnë në vendin tonë. Nga çdo vend po vijnë. Durrësin "e mbytën" polakët. Saranda po mbushet dëng me rusë. Inshallah nuk shkojnë polakë dhe rusë në të njëjtin vend, se do fillojnë do zihen për nacionalizma me sho-shoqin. Nejse, se e kisha llafin te nevojërat që shpërthyen në Ksamil.

"Media e kazanit" tha që shpërtheu tubacioni që ishte vendosur një vit më parë.

Medemek, ne, Rilindja, paskemi vendosur tubacion të dobët në cilësi, apo të panevojshëm për nevojërat e njerëzve. E tillë është "media e kazanit". Na nxin punën e mirë, që po bën Edi Rama. Kot nuk e kam quajtur "media kazani" unë. E, pas meje, edhe i pari im.

Asnjë media nuk pati mirësinë të shkruante faktorët që ndikuan në shpërthimin e atij kanali nevojërash. Ato po i bëj publike unë, te rubrika juaj;

E dyta (sepse e para ishte siç thashë rritja e konsumit ushqimor dhe numrit të turistëve, si asnjëherë tjetër me parë): Në rrugën e nisur nga Saliu, Kardhiq-Delvinë, nisur që në vitin 2007, por e pa bitisur,  banorët e zonës panë të ecte një mjet i rëndë tip fadromë.

Mbi pesë mijë vetë, banorë të asaj treve, kujtuan se qeveria jonë po rifillonte punimet e rrugës. U gabuan të shkretet.

Ne s'kemi prioritet rrugët. E shumta që ne bëjmë, është ndonjë shesh, ku të rinjtë të ulen bashkë me pleqtë dhe të luajnë domino, se punë s'kanë. Ama sheshet që bëjmë ne, forcojnë lidhjen i ri me plak. Ne s'jemi si Saliu që bënte rrugë pa rrugë.

U gabuan banorët e zonës rreth Delvinës, e na bënë proçkën në Ksamil. Filluan të këndonin dhe hidhnin valle nga gëzimi për rifillimin e punimeve në atë rrugë, sa u tund vendi.

Deri në Ksamil vajti tundja. Tundeshin hotelet e Ksamilit, nga qejfi i delvinjotëve. S'kishin të mbaruar këngët. "Moj Saranda, moj Delvinë, kush ta shtoi ty bukurinë. Edi Rama me partinë", thoshin. Ata kërce, e Ksamili lëkundej.

-Ç'po ndodh vallë, thoshin në Ksamil? -Po gëzojnë banorët e Delvinës, thoshin ata që dinin të vërtetën. -E pse po gëzojnë?- pyeste tjetri. Se kanë parë një fadromë që kaloi në rrugën që është lënë pa përfunduar, thoshte ky tjetri. Si duket, do të nisë qeveria punimet...

E kështu... Nga gëzimi për delvinjotët, filluan të gëzoheshin edhe ksamiljotët. Dolën në plazh dhe hidheshin. Ca hidheshin në ujë, e ca në rërë. Në një moment, njëri që ka një lokal aty, vendosi këngët e Albanos. Atij që kishte alamet gruaje, atë Rominën.

-"Saranda", thoshte ai. -"Okinava", ja kthente ajo. Sa tha Okinava ajo, apo ai, nuk e mbaj mend mirë, "bbbbbaaaaauuuu" u dëgjua një shpërthim. Ksamilasit, me ç'më raportuan burimet policore, kujtuan se shpërtheu bombë atomike, si ajo bomba që e shkatërroi, "e bëri mut" atë Okinavën. Hodhën sytë poshtë dhe panë që vërtet Ksamilin e kishte mbuluar, më falni për shprehjen, nevojërat. Ikën të lebetitur disa.

Disa ndenjën dhe shkelnin mbi të, se kanë dëgjuar që kush shkel nevojërat, ka fat.

E kështu që mos ta zgjas. Kjo ishte e vërteta e ngjarjes në Ksamil. Ah po, nuk shpjegova rolin e shokut Lefter Koka. Shoku Koka, që i ka dalë kundër Edit në shumë raste, ta dijë mirë:

Ai e ka fajin në këtë rast, pasi ai jepte leje mjedisore pa kriter. Si mund të ndërtohet lokali nga e cila erdhi zhurma e këngës, në atë zonë ku ka turistë. E për më tepër, kaq vjet që ishte në krye të Ministrisë së Mjedisit, nuk krijoi mundësi që të ndërpriste zhurmat. Përhapen pa teklif të dridhurat, nga Delvina në Sarandë dhe e patë. Bënë atë që bënë. Lekët që i jepnim neve për të mbjellë pemë, ja jepte Ilirit ai.

Tani që timonin e ka vetëm Edi, s'kanë për të ndodhur të tilla gjera. Këtë katërvjeçarin e dytë tonin, do ndodhin, me thënë të vërtetën. Katërvjeçarin tonë të pestë, jam i bindur, jo shumë.

Po iki tani t'ju jap një drekë atyre këshilltarëve bashkiakë të LSI-së, PDIU-së dhe asaj çupës që ka partia e Bamirit në Këshill, që votuan "për ujë 24 orë". Ajo e meriton, se më kënaqi. "Nuk e kam studiuar atë projektin për punën e ngritjes së çmimit të ujit-tha, por do e votoj". Pale ata të Shpëtim Idrizit. Ata e votuan pa folur fare. Si duket do të jetë zënë Shpëtimi me ata shitësit e tregut çam që shesin legenë plastikë, ku mban mileti ujin.

Faleminderit për botimin e kësaj letre. Çdo të premte, do përpiqem t'ju dërgoj një të tillë,

me përmbledhjen e ngjarjeve të javës, të para ndryshe nga ç'i japin "mediat e kazanit"...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: